Sabiha Kasimati, Mehmet Shehut në hetuesi: Jeni kriminelë, do e paguani!

Nov 20, 2014 | 11:47
SHPËRNDAJE

Sabiha Kasimati
Prof. dr. Uran Asllani tregon jetën e panjohur të Sabiha Kasimatit 1912-1951

“Kam qenë kundër këtij pushteti, sepse ai nuk pajtohej me ideologjinë e botëkuptimin tim evolucionist”

Instituti i Shkencave përvetësoi librin shkencor të ihtologes/zoologes së parë.

“Si ia vodhën studimin pas pushkatimit ish-kolegët”
“Ndoc Filipi e Kozma Basho i dhanë veprën Anatolij Poljakovit”

Sabiha Kasimati ishte femra e parë që guxoi të niste më 1927-n studimet në Liceun e Korçës, zoologia e ihtologia e parë, gjithashtu e para shqiptare që mori doktoraturën shkëlqyeshëm në Torino, për t’u punësuar më pas në Institutin e Shkencave në Tiranë. Ajo ishte në prag të botimit të librit shkencor “Studimi i peshqve të Shqipërisë”, kur u pushkatua në 1951-shin, mes 22 vetave të akuzuar për bombën në Ambasadën Sovjetike. Ishte e vetmja grua mes këtyre viktimave, por ekzekutimi i saj nuk bëri bujë vetëm për shkak të gjinisë. Guximi që ajo ka treguar si gjatë hetuesisë, ashtu edhe deri në çastet para pushkatimit, e bëjnë Sabiha Kasimatin të papërsëritshme në historinë e Shqipërisë. Lidhur me ato ngjarje, studiuesi prof. dr. Uran Asllani na sjell dëshmi të reja për Sabihanë, që nisin me jetën familjare, për të vijuar me punën shkencore, e për ta mbyllur me përballjen krenare të saj kundër komunizmit, deri në frymën e fundit të jetës…. 

Sabiha Kasimati ka qenë një nga femrat intelektuale më të shquara shqiptare, shkencëtare e nivelit më të lartë, por që pati një jetë të shkurtër. Babai i saj, Abdurrahman Kasimati (1865-1943), ishte i biri i Veli efendiut, një kadi i njohur për erudicionin dhe emancipimin e tij. Djalin e madh të tij, Abdurrahmanin, nuk e dërgoi në shkollën e kadilerëve, siç ishte

Studiuesi Uran Asllani
tradita libohovite, por e regjistroi në Shkollën Perandorake të Mjekësisë e Kirurgjisë. Abdurrahmani e përfundoi universitetin në vitin 1890 dhe menjëherë filloi të shërbente si mjek, duke filluar nga viset më të largëta të perandorisë, në kufi me Irakun. Në vitin 1889 atij i lindi djali i parë, Hifziu( 1889-1962), i cili ndoqi profesionin e të atit. Ai u bë mjek në prag të Luftës I Botërore dhe shërbeu gjithë jetën e tij, deri në vdekje në qytetin e Korçës. Kur Abdurrahmani ishte duke shërbyer në Adananë e largët në kufi me Libanin dhe Sirinë, atij i lindën djali i dytë Refiu (1903-1986), që mbaroi studimet universitare për Inxhinieri ndërtimi rrugë e ura, në Paris, vajza e parë Minirea, që u martua në Izmir dhe djali i tretë Nevzadi (1905-1951), që edhe ky i përfundoi studimet në Paris, që u bë jurist me përgatitje të shkëlqyer. Nga Adanaja, mbas shpalljes së Hyrrietit, në fillim të vjeshtës së vitit 1908, dr. Abdurrahmani transferohet në Ederne (Adrianopojë) në afërsi të Stambollit, pranë Detit Egje. Atje doktorit, në vitin 1912, i lindi vajza e dytë, Sabihaja dhe me vajzën e vogël, pas një viti transferohet në Shkodër, ku shërbeu në vitet 1914-1915. Në vitet e vështira të Luftës I Botërore familja e dr. Kasimatit vendoset në pronat e saj, prej disa qindra akrash, në Verrie (Karaferie) në Thesali, në afërsi të Selanikut. Duke pasur pranë Selanikun, djemtë e doktorit ndoqën Misionin Laik Francez (gjimnazin 9-vjeçar). Kur në vitet 1923-1924 filloi të realizohej shkëmbimi i pronave të nënshtetasve osmanë me ato të grekëve, që deri atëherë kishin jetuar në Turqi, rreth Izmirit, familja Kasimati nuk pranoi të merrte prona në Turqi, por u kthye ne atdhe, duke riskuar dhe sakrifikuar pronat e tyre deri sot e kësaj dite. Në Shqipëri fillimisht u stabilizuan në Korçë, ku Hifziu filloi punën si mjek dhe ku djemtë dhe Sabihaja ndoqën Liceun Kombëtar franko-shqiptar. Ndërsa Refiu vijonte vitin e shtatë të liceut dhe u diplomua në verën e vitit 1925, Nevzadi filloi vitin e tretë dhe e mbaroi Liceun në vitin 1929, ndërsa Sabihaja e filloi vitin e parë (që sipas sistemit francez quhej viti i nëntë) dhe e mbaroi në vitin 1931. Nuk kishte ndodhur asnjëherë deri atëherë që atë institucion ta ndiqnin me shumë sukses tre fëmijë të së njëjtës familje dhe njëri prej tyre të ishte vajzë.
LICEISTJA
Sabiha Kasimati kishte qenë studente e shkëlqyer, qytetare dhe atdhetare shembullore. Ja se çfarë shkruan për këtë vajzë prof.Xhuvi Bino, mësues i merituar, ish-student i atij Liceu, në librin e tij “Një mozaik për Liceun e Korçës”: “Vajza e parë, që ndoqi dhe mbaroi me sukses liceun ishte libohovitja Sabiha Kasimati, që guxoi dhe theu paragjykimet dhe u hapi rrugën në këtë mënyrë edhe vajzave të tjera për të ndjekur atë shkollë aq të lakmuar. Dy vëllezërit e saj, Refiu dhe Nevzadi, e kishin mbaruar me kohë liceun dhe vazhduan studimet universitare në Francë, por Sabihaja çau rrugën e pashkelur për një vajzë, jo nën hijen e tyre, por me personalitetin e saj, të një vajze të zgjuar e guximtare. Gjithë Korça e njihte Sabihanë, që shoqërohej si djalë me shokët e klasës si kosovarët Selman Riza, Prenk Kaçinari, gjirokastritët Shemsi Totozani, Fejzi Hoxha, Behxhed Reso, Nazmi Shehu, si edhe me Sami Hysin, Dhimitër Dimçon, sikur t’i kishte të barabartë me veten, mbante edhe ajo kasketën e Liceut me shiritin kuqezi, si ngjyrat e flamurit dhe gjithkush në Korçë atë vajzë e shihte me nderim, respekt dhe përgjërim, që ishte aq e shkathët, sa ishte e qeshur dhe gjithë optimizëm. Sabihaja, gjithnjë e para e klasës, ishte e dashur dhe e dhimbsur me të gjithë shokët, që kishin nevojën e mendjes dhe aftësive të saj. Ajo ndihmonte pa përtuar cilindo shokë, që i kërkonte ndihmë asaj për të kaluar dhe përmirësuar notat në shkollë”. Kur ajo përfundoi Liceun Kombëtar, kishin mbaruar gjithsej 78 maturantë, që kishin fituar edhe bakaloriatin e dytë. Sabihaja ishte e vetmja vajzë që ishte diplomuar me bakaloriatin e dytë dhe e vetmja qëndroi deri në vitin 1937, kur atë Lice e mbaroi edhe një vajzë tjetër, gjirokastritja Nedrete Hoxha. Dhe këto kishin qenë të vetmet vajza maturante, deri sa Liceu franko-shqiptar u mbyll nga italianët, në vitin 1939.
DOKTORATURA
Pas mbarimit të Liceut, Sabihaja punoi disa vite si mësuese në Shkollën Normale Femërore të Korçës, me drejtor libohovitin Sali Caushi, ku ka dhënë lëndet “Edukate Morale” dhe “Frëngjisht”. Më pas, mbas vitit 1933, kur shkollat private në Shqipëri u shtetëzuan, Sabihaja u emërua pranë Institutit Shqiptaro-Amerikan të Kavajës, ku përveç lëndëve që kishte dhënë në Korçë, në Kavajë filloi të jepte biologji. Ishte pikërisht ky rast që Sabihaja u lidh me shkencat biologjike. Në verën e vitit 1935, qeveria shqiptare, me ministra me kulturë austro-gjermane, i akordoi Sabihasë bursë studimi për në Itali. Ajo studioi në Fakultetin e Shkencave Biologjike të Universitetit të Torinos. Sabihaja zgjodhi specialitetin e ihtiologjisë. Mbaroi Universitetin e Torinos me rezultate të larta “trente su trenta con lode” (nota 30 kur nota maksimale ishte 30) dhe në vitin 1940 mbrojti edhe doktoratën, me temë: “Fauna ittica di acqua dolce d’Albania”(Fauna ihtiologjike e ujerave të ëmbla të Shqipërisë). Katedra universitare i propozoi asaj vendin e asistentes për disiplinën e ihtiologjisë fluviale, por ajo nuk e pranoi ofertën dhe u kthye menjëherë në atdhe…
PEDAGOGE
Me kthimin në atdhe, Sabihaja u emërua mësuese në Institutin Femëror “Nana Mbretëreshë”, që mbas pushtimit italian e quajt me emrin “Donika Kastrioti”, ku gjeti shume kolegë, intelektualë në kuptimin e vërtetë të fjalës, të cilët filluan ta donin, respektonin dhe ndihmonin njëri-tjetrin. Ajo arriti të kishte një kënaqësi të shumëfishtë, profesionale, morale, shoqërore. Paralelisht me punën e saj pedagogjike, Sabihaja i dha një vend të rëndësishëm në jetën e në veprimtarinë e saj shkencore studimit të biologjisë së peshqve të detit që jetojnë edhe në lagunat, kënetat, dajlanët lumore, duke grumbulluar materiale për përgatitjen e veprës madhore të së ardhmes, monografinë: “Peshqit e Shqipërisë”. Shëndeti i saj i brishtë e detyroi atë të linte punën e saj pedagogjike dhe të kurohej në Sanatoriumin antituberkular, në Italinë veriore në Bolzano, ku qëndroi deri në vitin 1945. Kthehet në atdhe dhe në vitin 1947, me krijimin e Institutit të Studimeve, caktohet menjëherë punonjëse e atij Instituti me cilësinë e specialistes (nëpunëse) shkencore.
PUNA SI SHKENCËTARE
Një vit më vonë, kur instituti emërtohet Instituti i Studimeve Shkencore, ajo emërtohet specialiste zoologe, profilizuar për ihtiologji, në seksionin e shkencave biologjike, me shef sektori dr.Sotir Angjelin. Instituti kishte një asamble. Kryetar i asamblesë së institutit, i caktuar nga qeveria komuniste, ishte dr.Manol Konomi, asokohe ministër i Drejtësisë, prof.Mark Ndoja, sekretar kolegjiumi. Anëtarët e tjerë të asamblesë së institutit, gjithashtu të emëruar, ishin Sejfulla Malëshova ministër i Kulturës, ing. Spiro Koleka ministër i Botores, ing. Gaqo Tashko ministër i Bujqësisë, Andrea Nathanaili kryetar i Gjykatës së Lartë, ing. Koço Theodhosi nënministër, prof. Aleksandër Xhuvani, dr.Naum Stralla, Shefqet Musaraj, Dhimitër Shuteriqi, prof. Sotir Angjeli, shef i sektorit të biologjisë Aleks Buda, shef i sektorit të historisë dhe sociologjisë ing. Andrea Xega, ing. Gjovalin Gjadri, Kostaq Cipo, prof. Sotir Kuneshka, dr.Fejzi Hoxha, dr.Frederik Shiroka, Gjergj Canco, Petraq Pepo, Petro Fundo dhe Eqrem Çabej. Një vit më vonë, në këtë këshill u kooptuan me vendim qeverie edhe Mehmet Shehu, Bedri Spahiu, Halim Budo e Kol Paparisto. Dr.Sabiha Kasimati ishte emëruar zoologe-ihtiologe, por ajo u mor jo vetëm me ihtiologji. Ajo kreu një punë voluminoze me përcaktimin e bibliografisë shkencore që gjendej asokohe në Shqipëri, veçanërisht me fondin e bibliotekave të konfiskuara.
ARTIKULLI TEKNIKO-SHKENCOR
Sabiha Kasimati arriti të shkruante një artikull të gjatë programatik të titulluar “Probleme të peshkut dhe të peshkimit në vendin tonë”, të botuar në Buletinin e Institutit në Nr. 2-3 të vitit 1948. Në atë artikull të gjatë tekniko-shkencor, dr. Sabiha Kasimati trajtonte në mënyrë analitike pasurinë ihtiologjike të vendit tonë, sipas zonave, problemet e shumëzimit dhe kultivimit të domosdoshëm, veçanërisht të krapit, koranit dhe levrekut e tjerë. Fillimisht, në atë artikull ajo paraqet kushtet natyrore shumë të përshtatshme që ka atdheu ynë për të pasur një ihtiofaunë të pasur lumore dhe detare. Ajo përmend autorë italianë, që kanë përmendur pasurinë ihtiologjike dhe mundësitë ekonomike të shfrytëzimit të saj. Tregon se, sipas tyre, vetëm brenda një periudhe të shkurtër të vitit kishin arritur të kapnin 800-1000 kv peshk me cilësi të mirë. Më tej, ajo analizonte faktorët natyrorë të përshtatshëm për këtë pasuri faunistike, duke filluar nga konfiguracioni, gjiret e mëdhenj dhe të mbrojtur, kënetat tona të mëdha, ujin jo shumë të kripur dhe që nuk ngrinte asnjëherë. Rëndësi të veçantë ajo u dedikonte rrymave të ujit, me plankton të pasur, që ngjitet nga Deti Jon për në veri të Detit Adriatik. Kusht tjetër të rëndësishëm ajo trajtonte konfiguracionin e shtratit nënujës, platformën nëndetëse, që është e gjerë e shtruar me rërë të hollë ose me baltinë, ku gjenden gjithfarë bimësh ujëse, krustace dhe molusqe të vogla, me të cilat ushqehen peshqit. Sipas të dhënave të studimit të saj, në këto zona gjenden me shumicë peshq të kualiteteve të larta, si bli, levrek, kubla, koca, ngjala. Këto të fundit, sipas S.Kasimati, bëjnë udhëtim prej mbi 300 km deri në kënetën e Maliqit. Me shumicë ajo konsideron shumëllojshmërinë e peshqve të ujërave të ëmbla, si krapin, koranin, barburiqin, njilen, klenin, mlyshin, gurnecin ose skortin. Madje, ajo nënvizon eksperimentet për rritjen dhe kultivimin me shumë sukses të krapit nëpër orizore. Për të bindur opinionin publik dhe ekonomistët mbi leverdinë dhe të ardhurat që sigurohen nga peshkimi, ajo evidenton me tabelë sasitë e peshkut të realizuara nëpër zonat e peshkimit, në dy versione, në atë të shtetit dhe në atë të kooperativave të sapoformuara. Sipas atyre të dhënave të përftuara me kushte mjerane pune, pa asnjë barkë me motor apo me vela, pa rrjeta moderne peshkimi etj., sasia e peshkut arrinte në 3238-4881 kv, me sasinë maksimale nga zona e Nartës, ndërkohë që zona të tjera shumë të pasura, por të pamundura për peshkim, si Butrinti, nuk arrinte as sa 7-8% të sasisë që peshkohej në Nartë, duke ruajtur kështu një rezervë shumë të rëndësishme ekonomike. Një dukuri negative që kishte konstatuar S.Kasimati, ishte shfrytëzimi pa kriter, shumë intensiv i peshqve me vlera të larta komerciale, sikurse ishte korani, bliri, shojza, koba dhe, për rrjedhojë, varfërimin e ihtiofaunës me këto lloje. Për një peshkim modern që i lejonte ekonomisë perspektivë, më shumë rëndësi sipas S.Kasimatit kanë pajisjet për konservimin e peshkut të gjallë, stabilimente të posaçme, si edhe lokale për ruajtjen dhe përpunimin e produkteve të peshkut etj…
PUSHKATIMI NË PRAG TË LIBRIT
Në vitin 1949, seksioni i shkencave të natyrës realizoi një ekspeditë të gjatë duke kaluar në Kukës, Bicaj, Pukë, Burrel, Qafë-Shtamë; Bogë, Theth, duke realizuar kështu një verifikim të konstatimeve të mëparshme lidhur me ihtiofaunën e ujërave të Shqipërisë. Me të dhënat e fituara nga ekspeditat e tri viteve, dr. Sabiha Kasimati arriti të përshkruante përfaqësuesit e familjeve, rendeve, gjinive dhe specieve të të gjithë peshqve të Shqipërisë. Mbas një pune shumë të madhe eksperimentale, shkencore si asnjë shkencëtar tjetër shqiptar, në mesin e vitit 1950, dr. Kasimati i dorëzoi institutit për botim vëllimin prej rreth 200 faqesh dhe të 50 figurave, me titull “Peshqit e Shqipërisë”. Në buletinin e Institutit të Shkencave, Nr. 3 të vitit 1950, fq 78, në rubrikën e jetës shkencore të Institutit njoftohet se janë dërguar për botim, përveç përkthimeve të letërsisë marksiste-leniniste edhe punimet origjinale: “Ortografia e Gjuhës Shqipe”, punë e një kolektivi gjuhëtarësh, si dhe vepra e Sabiha Kasimatit “Peshqit e Shqipërisë”, e planifikuar me një tirazh prej 3500 copësh. Një tirazh i madh për atë kohë, por siç dukej ishte i planifikuar të shërbente për shumë vite. Vepra e Sabiha Kasimatit “Peshqit e Shqipërisë” paraqiste para lexuesit shqiptar ihtiofaunën e Shqipërisë që përmblidhte 257 lloje peshqish, grupuar në 211 familje, të 99 rendeve, duke lënë pa evidentuar dhjetë lloje peshqish, që zakonisht vijnë shumë rrallë në ujërat tona, ose që ende nuk janë ndeshur në Detin Adriatik. Por pikërisht kur libri ishte në shtypshkrim, madje në fazat e fundit të daljes, Sabiha Kasimati arrestohet. Më datë 19 shkurt 1951, në oborrin e Ambasadës Sovjetike, në Tiranë, u hodh një sasi e vogël dinamiti (që u konsiderua bombë). U arrestuan disa dhjetëra shqiptarë dhe, mbas hetimeve, torturave të të gjitha llojeve gjatë 2-3 ditëve, nga ai grumbull i madh të arrestuarish u veçuan 22 persona, të cilët u pushkatuan më 26 shkurt. Ata ishin: Anton Delhysa, Sabiha Kasimati, Fadil Dizdari, Pjerrin Guraziu, Qemal Kasaruho, Zyhdi Ferri, Thoma Katundi, Haki Kodra, Petro Konomi, Niko Lezo, Pandeli Nova, Manush Peshkepia, Ali Qoraliu, Lluka Rashkoviç; Reiz Selfo, Tefik Shehu, Mehmed Shkupi, Gjon Temali, Hekuran Troka….
PËRBALLJA NË HETUESI E MEHMET SHEHUT ME SABIHANË
Nuk u bë asnjë lloj gjyqi, as mbrojtje, as apelim, por nga qelitë ku mbaheshin, mbas një hetim dyditor, të egër dhe barbar, ata u dërguan drejt vendit të pushkatimit, pranë fshatit Mënik, buzë Erzenit. Me hetuesinë e shkurtër të Sabihasë u angazhua personalisht edhe Mehmet Shehu, asokohe ministër i Punëve të Brendshme, të cilit, me kurajën karakteristike të madhe të saj ajo i tha këto fjalë (që gjenden në dosjen e saj pranë Gjykatës së Kasacionit): “Kam qenë kundra këtij pushteti, sepse ai nuk pajtohej me ideologjinë e botëkuptimin tim evolucionist. Unë nuk kam qenë kurrë e mendimit që me një akt revolucionar të arrihej në socializëm. Unë vetë nuk kam kryer ndonjë atentat dhe as kam marrë pjesë në ndonjë mbledhje, ku është marrë vendimi për akt terrorist. Ju jeni kriminelë dhe tiranë, që kërkoni të nënshtroni shqiptarët me terror, por do të vijë një ditë që këto mizori do t’i paguani”. Këto fjalë ishin dënimi me vdekje i Sabihasë. Ministri i atëhershëm i Drejtësisë, Manol Konomi, nuk u pajtua me shkeljen e ligjshmërisë dhe u shkarkua nga detyra. Sipas dëshmitarve fshatarë, që kanë dëgjuar krismat e armëve, kanë dëgjuar dhe britmat me zërin e një gruaje, të cilat u shuan mbas goditjeve me kondakët e armëve. Gruaja e vetme e atij grupi të pushkatuarish ishte Sabiha Kasimati. Kështu përfundoi kjo shkencëtare e parë e Shqipërisë…
PËRVETËSIMI I PUNËS SHKENCORE
Natyrisht që mbas pushkatimit libri i përgatitur nga Sabiha Kasimati u tërhoq menjëherë nga shtypshkronja dhe u arkivua në depozitën sekrete të Institutit, por edhe atje nuk ndenji shumë kohë. Kryesia e Institutit, nën insistimin e Kolë Paparistos, i kërkojnë Akademisë së Shkencave të Bashkimit Sovjetik një specialist ihtiolog të vinte në Shqipëri për përfundimin e botimit të veprës mbi peshqit edhe për ndonjë plotësim të mundshëm. Në fillim të muajit prill 1951, dy muaj pas pushkatimit të Sabiha Kasimatit, nga Leningradi vjen në Tiranë Anatolij Poljakov, i cili qëndroi në Shqipëri gjithsej 18 muaj. Instituti i Shkencave menjëherë i vuri në dispozicion të tij gjithë materialin e përgatitur për botim të Sabiha Kasimatit. Anatolij Poljakovi përgjatë periudhës që qëndroi në Shqipëri jo vetëm përvetësoi punën shkencore të Sabiha Kasimatit, por edhe me ndihmën e dy ish-bashkëpuntorëve të saj, Ndoc Filipit dhe Kozma Bashos, u shtoi 257 llojeve të peshqve të paraqitura nga Sabihaja edhe 10 lloje peshqish, që në detet Adriatik dhe Jon probabilisht gjenden në raste jashtëzakonisht shumë të rralla. Instituti i Shkencave punën e përvetësuar të Sabiha Kasimatit në fillim të vitit 1958 e botoi si vepër të Anatolij Poljakovit. Kështu, Sabiha Kasimatin fillimisht e pushkatuan fizikisht dhe më pas “pushkatuan” edhe veprën e saj. Sabiha Kasimati, ky “pishtar i demokracisë”, pas ndyshimeve politike u rivarros me nderimet që i takonin dhe u dekretua “Martire e Demokracisë”.

Prof dr Uran Asllani

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura