Shkodrani do të nënshkruajë për 1.5 vite për Hapoel Acre
Shtatlarti ishte drejt Portugalisë, më pas zgjodhi italianët
Hamdi Salihi do të luajë në Izrael të paktën për një sezon e gjysmë, me opsion rinovimi edhe për një vit tjetër. Ai ka gjetur akordin dje me klubin e Hapoel Ironi Acre dhe zyrtarizimi është çështje orësh. Lajmin e bëjnë të ditur mediat izraelitë dhe konfirmohet më pas edhe nga burime pranë lojtarit. Bomberi i përfaqësueses do të mbërrijë sot në Izrael dhe pasi të kalojë testet mjekësore, do të firmosë zyrtarisht për një vit e gjysmë. Sa i përket shifrave të kontratës, nuk është bërë ende asgjë publike, por nëse i referohemi deklaratës së vetë lojtarit pak idiotë më parë, shifrat padiskutim që do të jenë shumë të larta, pasi Salihi tha shprehimisht se do të shkonte te skuadra që i ofronte më shumë.
Klubi
Hapoel Ironi Acre është një skuadër e dorës së dytë në Izrael. Klubi është themeluar në vitin 1962 dhe një pjesë të mirë të historisë së saj skuadra ka luajtur në Kategorinë e Dytë dhe të Tretë. Aktualisht ekipi renditet në vendin e 11-të në tabelë, me 19 pikë në 19 ndeshje dhe lufton për mbijetesë. Uniforma e parë e skuadrës është fanellë blu dhe çorape blu, ndërsa e dyta është fanellë dhe çorape të bardha. Skuadra luan në stadiumin “Akko stadium”, i cili ka një kapacitet prej 5 mijë vendesh të ulura. Trajner i skuadrës është izraeliti Juval Naim, 46-vjeçari i cili gjithë karrierën e tij ka luajtur dhe ka drejtuar vetëm ekipe izraelite.
Çani
Edgar Çani është transferuar dje te skuadra e Barit. Sulmuesi i Kombëtares së Shqipërisë kaloi në formë huazimi nga Karpi te skuadra tjetër e Serisë B dhe shpreson që të ketë më shumë minuta aktivizimi. “Po, është e vërtetë që Çani kaloi te Bari në formë huazimi. Ai ishte duke nënshkruar për Olahensen në Portugali, por në orën 22:30 të mbrëmjes së djeshme morë një telefonatë nga Bari dhe duke qenë se aty kemi shumë miq, ndryshuam mendje. Çani do të jetë i huazuar vetëm për 4 muaj te Bari dhe në fund të majit do të rikthehet te klubi Katanias, që zotëron edhe kartonin e tij”, tha dje për “Panorama Sport”, agjenti i Çanit, Oberto Petrika. Pjesë e kësaj skuadre në të kaluarën ka qenë edhe Fatmir Hysenbelliu. Bari renditet në vendin e 17-të në Serinë B me 23 pikë në 22 ndeshje.
Januzaj pritet të zgjedhë Anglinë
Adnan Januzaj pritet që në të ardhmen të luajë për përfaqësuesen e Anglisë. Kështu ka raportuar të premten tabloidi anglez “The Sun”. Për yllin e Mançester Junajtid, në garë janë disa përfaqësuese, por sipas “The Sun”, Januzaj është i gatshëm të lidhë të ardhmen e tij në nivel të përfaqësueses me Anglinë. Gazeta angleze ka raportuar se Januzaj 18-vjeçar u ka thënë shokëve se është i interesuar të luajë për Anglinë, porse babai i tij, Abedini, do ta ketë fjalën përfundimtare për këtë. “Adnani ndihet si në shtëpi në Angli tashmë”, i ka thënë një shok i Januzajt gazetës “The Sun”.
JORGIS MEMO
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al