Sami Repishti, “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”

Sep 25, 2016 | 9:15
SHPËRNDAJE

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, gjatë qëndrimit të tij në SHBA ka nderuar edhe një sërë figurash shqiptare për kontributin e dhënë në fushën kulturore e shoqërore. Në një ceremoni të zhvilluar në Manhatan, Nishani dekoroi disa nga personalitetet më në zë të diasporës shqiptare.

RepishtiGjatë ceremonisë, kreu i shtetit shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen e vazhdueshme që aleatët e Shteteve të Bashkuara kanë dhënë për institucionet shqiptare. “Ky vlerësim është për ju që jeni sonte në këtë sallë, për qindra mijëra shqiptarët kudo në Shtetet e Bashkuara, për familjet tuaja, të cilat ju mësuan jo vetëm respektin për të parët tuaj, por ju lanë trashëgim edhe respektin dhe krenarinë e të qenit shqiptarë”, theksoi Presidenti. Kreu i shtetit vlerësoi Sami Repishtin me motivacionin:

“Me mirënjohje për vuajtjet e sakrificat e parrëfyeshme, përpjekjet mbinjerëzore dhe qëndresën stoike ndaj diktaturës komuniste.

Në nderim të veprimtarisë së palodhur atdhetare për çështjes kombëtare, si dhe në respekt të rolit e kontributit të çmuar dhënë për dekada me radhë si veprimtar i shquar i të drejtave të njeriut; farkëtues i lidhjeve të gjithanshme shqiptaro-amerikane, duke u shndërruar në një simbol të rrallë e të vyer të shqiptarizmit”.

Njëkohësisht Nishani vlerësoi me dekoratën “Nderi i Kombit” Stan Dragotin me motivacionin:

”Në vlerësim të krijimtarisë së tij të pasur kinematografike, rolit e kontributit të çmuar dhënë për dekada me radhë ndaj forcimit të lidhjeve të gjithanshme amerikano-shqiptare, si dhe përfaqësimit dinjitoz si artist i rrallë, duke lartësuar emrin e kombit shqiptar kudo në botë”.

Këngëtari shqiptar Gëzim Nika u vlerësua me titullin “Mjeshtër i Madh”. Një tjetër vlerësim Presidenti Nishani dha edhe për Frank Shkrelin me motivacionin:

“Në vlerësim të veprimtarisë së shquar atdhetare dhe kontributit të vyer shumëvjeçar si gazetar, publicist e redaktor i Seksionit Shqip dhe drejtues i palodhur i Divizionit EuroAziatik të ‘Zërit të Amerikës’, duke përhapur, mbrojtur me paanshmëri dhe lartësuar vlerat e parimet e shenjta të lirisë dhe demokracisë”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura