Semantika konsensuale mbi luftën antifashiste

Nov 12, 2016 | 12:39
SHPËRNDAJE

ARDIAN MUHAJlufta

Lufta Antifashiste gjatë Luftës së Dytë Botërore është trajtuar e lakuar në të gjitha mënyrat e format, qoftë në formën e narrativës dhe analizës historike, qasjes dokumentare, folklorike, kronistike, memuaristike etj.

Qasja semantike ndaj kësaj periudhe të rëndësishme të historisë sonë do të sillte një pasurim të mëtejshëm në studimin e saj. Çfarë na zbulon semantika e narrativës dhe analizës historike, e prodhimtarisë së pasur historiografike të kësaj lufte? Pikësëpari, që në një pamje sipërfaqësore dhe pa u thelluar në detaje, vërehet se analiza semantike e prodhimit historiografik nxjerr fare lehtë në pah dy dukuri shumë të rëndësishme dhe themelore për kuptimin dhe njohjen e kësaj lufte.

Të gjitha studimet e kryera, nga cilado palë, qoftë nga historiografia enveriste apo nacionaliste e sjellin Luftën Antifashiste të përshkruar në mënyrë shumë të ngjashme, madje mund të thuhet nëpërputhshmëri të plotë, pavarësisht palës apo qasjes që mbështesin studiuesit e ndryshëm. Në të gjitha këto studime e trajtesa, lufta kundër armikut pushtues, qoftë atij italian, qoftë atij gjerman, jepet në trajtën pësore dhe jo në atë veprore.

Nga ana tjetër, trajta veprore përdoret kryesisht në përshkrimin e përplasjeve mes grupimeve të ndryshme shqiptare, veçanërisht mes ballit e komunistëve. Kjo mënyrë të shprehuri është për çudinë tonë konsensuale dhe e njëjtë për të gjitha kahet dhe të sjell ndërmend shprehjen “mos e dvet, se ta thotë vetë”.

Vërtetësia e një fakti dhe besueshmëria e një burimi shtohet në përpjesëtim të drejtë me numrin e dëshmitarëve të mundshëm. Në këtë rast kemi një konsensus të përgjithshëm dhe pikërisht këtu do të flasim për atë që bien dakord të gjithë dhe jo për debatet. Për pajtueshmërinë e palëve dhe jo për ndasinë mes tyre.

LUFTA ANTIFASHISTE NË PËSORE

Semantika e përshkrimit të Luftës Antifashiste, edhe nga më rrahagjoksët për trimëri e heroizëm kundër armikut nazifashist, zbulon lehtë qasjen në pësore ndaj kësaj pjese të luftës. Asnjë historian, as veteran ballist, legalist apo komunist nuk arrin të përshkruajë luftën kundër fashistëve italianë në formën veprore.

Rasti më domethënës dhe përmbyllës dhe që nxjerr në pah më shumë të vërteta se shumë dokumente që mund të citohen, është ndërrimi i pushtimit italian me atë gjerman, në vjeshtë 1943. Askush nuk mund të dëshmojë dhe as të përshkruajë fundin e pranisë italiane në tokën shqiptare në terma veprorë.

Të gjithë e pranojnë se fashistët italianë “u larguan” në vjeshtën e 1943. Askush, nga ana tjetër, nuk ia del të shprehet, ta zëmë, në terma të tillë: “mbas një lufte të përgjakshme kundër pushtuesve fashistë, forcat balliste/komuniste/ legaliste me heroizëm të rrallë e të pashoq i shporrën nga toka shqiptare pushtuesit italianë.” Përkundrazi, përshkrimi i ngjarjeve është tërësisht pësor, dhe thjesht në rolin e spektatorit, jo të aktorit të largimit të pushtuesve italianë. Fakti që askush nuk ka guxuar ta përshkruajë “largimin e italianëve” si “shporrje të italianëve” apo si “çlirim nga italianët”, është më domethënës se një mal me dokumente për triumfalizmin e pabazë të ballistë/komunistë/legalistëve.

Mos të harrojmë për shembull se precedentin e “shporrjes së pushtuesve italianë”, shqiptarët e kishin të freskët dhe tejet domethënës. Lufta e Vlorës e vitit 1920 ishte një nga ato episode ku mund të flitej në mënyrë veprore, krenarisht. Ndërsa në Luftën e Dytë Botërore, një triumfalizëm apo përshkrim në formën veprore, e tipit “forcat balliste/ komuniste/legaliste me heroizëm të pashoq e çliruan atdheun tonë të dashur nga pushtuesit italianë”, do të rezultonte në një vetëvrasje logjike.

Arsyeja është se pushtuesit italianë u ndërruan me ata gjermanë pa ndonjë heroizëm, as nga ana e italianëve/ gjermanëve, as nga ana e ballistë/ komunistë/legalistëve. E thjeshtë. Kush do guxonte të merrte qoftë edhe spekulativisht meritat e çlirimit apo shporrjes së italianëve, do t’i duhej të jepte llogari për çmeritat e pushtimit apo pranimit të gjermanëve menjëherë pas, apo njëkohësisht me “shporrjen e italianëve”, apo “çlirimin nga italianët”. Mijëra dokumente rreth organizimit të çetave balliste/komuniste/ legaliste, mbi vështirësitë që pushtuesi i sillte organizimit të tyre, mbi kolaboracionizmin e të tjerëve me pushtuesit nuk e shlyejnë dhe nuk i japin asnjë pale të drejtë as përparësi, por thjesht përbëjnë një pikë të rëndësishme për të kuptuar realitetin në terren.

Brigadat partizane, që ishin krijuar që përpara ndërrimit të pushtuesve me njëri-tjetrin, nuk i detyruan italianët të largohen, as nuk i penguan gjermanët të afrohen, të hyjnë, të shtrohen e të pushtojnë vendin. Aq më pak, ballistët apo legalistët. Tashmë është përsëritur e stërthënë se Mbreti Zog e braktisi vendin në kohën e pushtimit italian, duke u fajësuar nga njëri krah se nuk i bëri rezistencë atij pushtimi.

Fakti që rezistenca e vetme që hasën forcat italiane ishin forcat zogiste dhe asnjë komunist nuk mori pjesë në rezistencë, është e shpjegueshme po të kemi parasysh se PKSH u themelua në nëntor 1941. Por, pikërisht ky fakt nuk i nxjerr të larë komunistët për pasivitetin e tyre me rastin e pushtimit gjerman. Asnjë betejë, asnjë rrethim, asnjë shenjë rezistence e mjaftueshme për të penguar pushtimin gjerman, në një kohë kur PKSH tashmë kishte dy vite që ishte organizuar.

Fatmirësisht, disa muaj përpara pushtimit gjerman, më 10 korrik 1943, LANÇ-i krijoi Ushtrinë Nacionalçlirimtare me batalione dhe brigada me në krye një shtab të rregullt ushtarak. Megjithatë, edhe pse brigadat partizane ishin formuar e organizuar dhe ishin plotësisht operative, fatkeqësisht pushtuesit italianë dhe gjermanë ndërronin vendet me njëri-tjetrin, lehtësisht dhe të papenguar. Asnjë qytet nuk u rrethua nga gjermanët gjatë pushtimit. Arsyeja është e thjeshtë dhe njëkohësisht absurde. Në asnjë qytet nuk ndeshën rezistencë. Hynë si në shtëpinë e vet, megjithëse precedenti i qytetrrethimit epik ishte akoma i freskët në kujtesën e njerëzve.

Rrethimi i Shkodrës më 1912-1913 për rreth 6 muaj ishte një shembull i mirë për t’u marrë si frymëzim në luftën kundër fashizmit. Në mos 6 muaj, të paktën 6 javë; në mos kaq, të paktën 6 ditë; në mos kaq të paktën 6 orë, nuk u gjend një brigadë, a çetë, a batalion të ngujohej për të mbrojtur të paktën një qytezë. Trimat e paepur ballistë/ komunistë/ legalistë, nëse nuk ishin arratisur, ku ishin në këto momente kritike për vendin? Ritmi i rrahagjoksisë ndërkohë vjen e shtohet në përshkrimin e pushtimit gjerman.

Operacioni i Dimrit, aksionet kundër pushtuesit, reprezaljet, tradhtitë eventuale nga forcat e tjera shqiptare, internimet, vrasjet e partizanëve nga gjermanët, apo vrasjet e gjermanëve nga partizanët, kurorëzohen sërish në formën pësore. Debati artificial dhe më shumë politik se shkencor i përcaktimi të datës së çlirimit, zbuloi edhe unitetin e narrativave të ndryshme në dukje kundërthënëse. Përqendrimi i debatit mbi ditën e largimit të gjermanëve nga territori shtetëror nxori në pah anën pësore të çlirimit. Çështja që shtrohet nga të gjitha palët është se kur “u largua” gjermani i fundit nga Shqipëria, pra më 28 apo 29 nëntor.

Në rastin e një narrative në trajtën veprore, kjo çështje do të kishte qenë zgjidhur fare lehtë. Në këtë rast, çështja do të shtrohej thjesht, “kur e shporrëm gjermanin e fundit”? Në këtë rast do të duhej të ekzistonte një dokument, thesar historiografik, në të cilin të shënohej emri, gjeneralitetet, vendi i arrestimit, i zënies rob, i vrasjes, apo i dorëzimit tek autoritet kufitare të gjermanit të fundit.

Arsyeja e debatit se kur është data e çlirimit qëndron pikërisht në atë që gjermanët ikën pa e ditur njeri se nga e si. Dokumentet shqiptare thjesht pohojnë se më 28 apo 29 nëntor Shkodra u gdhi, u ndjeh, e çliruar, pra nuk kishte më gjermanë në qytet. Mirëpo nga Shkodra në Han të Hotit janë rreth 50 km dhe prapë askush nuk e di të thotë se sa të vrarë, robër, të arrestuar, të dëbuar, të deportuar gjermanë, pati dhe kush i bëri të gjitha këto.

VËLLAVRASJA NË VEPRORE

Ndërkohë terminologjia që përdoret për të përshkruar luftën e brendshme mes shqiptarëve është më e qartë, më luftarake, më veprore. Kryefjala e historiografisë enveriste në përshkrimin e ballistëve dhe legalistëve është shumë veprore. Ballistët/legalistët në këtë rast “shpartallohen”, “asgjësohen” nga forcat partizane, jo thjesht “tërhiqen”, apo “largohen”.

Edhe nga ana e studiuesve të kahut nacionalist, të cilët njësoj sikur ata të kahut komunist e përshkruajnë luftën kundër armikut fashist në trajtën pësore, kur vjen te përballjet me komunistët, njësoj sikur këta të fundit, i përshkruajnë përplasjet e rastësishme apo të planifikuara me komunistët si “masakra”, “vrasje pa gjyq” etj. Mbas Luftës Antifashiste, të gjithë bien dakord se në Shqipëri u vendos regjimi më shtypës dhe antipopullor në krejt Europën për gjysmë shekulli. Askush nuk mund të thotë se ky regjim antipopullor u diktua nga ndonjë rrethanë e jashtëzakonshme apo nga ndonjë pushtues i huaj. Gjermanët u larguan, por diktaturën e vendosëm vetë.

Pra sërish, del ana veprore në raport me vetveten. Sërish meritat e partizanëve për largimin e gjermanit të fundit më 29 nëntor dhe jo më 28, siç e mbajnë mend nacionalistët, çmeritohen pikërisht nga partizanët, të cilët ishin më të vendosurit në Luftën Antifashiste, por që për fat të keq lejuan të keqpërdoren, siç ndodh rëndom në përmbysje të mëdha historike, nga oportunistët e udhëhequr nga Hoxha, duke filluar luftën kundër popullit menjëherë mbasi përfundoi lufta kundër fashizmit.

Edhe sikur gjermanët të ishin shporrur dhe larguar nga armët e partizanëve, një vit luftë kundër armikut nuk i jep askujt të drejtë, ta vendosë atdheun në shtetrrethim për 45 vjet dhe të bëjë 45 vjet luftë kundër popullit. Një luftë, e cila e grabiti dhe e plaçkiti në atë farë feje atdheun dhe popullin, sa që në fund të shtetrrethimit të vendosur nga Hoxha dhe elita ish-partizane, shqiptarët e atdheut të çliruar e të pavarur, por të grabitur, plaçkitur e shkatërruar, ishin paradoksalisht shumëfish më të varfëruar sesa shqiptarët e atdheut të pushtuar nga fqinjët sllavë.

Partizanët e thjeshtë që morën pjesë në epopenë e Luftës Antifashiste dhe ku shumë ranë dëshmorë, që gjatë luftës nisën të keqpërdoren nga udhëheqja komuniste. Si pasojë e kësaj, pikërisht këta partizanë të thjeshtë u keqpërdorën akoma edhe më shumë mbas përfundimit të luftës, duke u shndërruar në vegla të vendosjes së diktaturës më të egër që njohu Europa në gjysmën e dytë të shekullit XX, pikërisht mbi popullin dhe atdheun që rrihnin gjoksin se e kishin çliruar.

Ashtu sikurse kanë meritat më të mëdha në Luftën Antifashiste, kanë çmeritat e lejimit, mbështetjes dhe bashkëpunimit në vendosjen e regjimit antipopullor të pasluftës. Këto dëshmojnë unitetin e narrativës historiografike, pavarësisht kahut politik, dhe bëjnë të qartë se më pak rrahagjoksi e më shumë përpjekje për modesti do të ishte më shkencërisht e saktë sesa një narrativë që kundërshton katërcipërisht faktet, që edhe pse përzgjidhen e retushohen simbas animit politik, dëshmojnë dhe ripohojnë maksimën se e vërteta nuk është monopol i askujt. Tregojnë se sa e pavërtetë është një “e vërtetë” e monopolizuar, e krehur, e qethur dhe e retushuar si në një përrallë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura