Shqiptarët do të mund ta vizitojnë Beogradin, ashtu si dhe serbët Shqipërinë pa vizë në pasaportën e tyre, por vetëm me kartën e identitetit. Gjatë vizitës së Kryeministrit Rama në Serbi, është firmosur marrëveshja për lëvizjen e lirë, ashtu si dhe marrëveshjet për doganat dhe mbështetjen e bashkëpunimit mes të rinjve. Firmosja e marrëveshjes së lëvizjes së lirë është cilësuar një hap tejet pozitiv prej krerëve të dy vendeve, të cilët theksuan se kjo do t’i japë më shumë frymë si turizmit, ashtu dhe zhvillimit ekonomik. Ndërkohë që një tjetër marrëveshje e rëndësishme ka qenë ajo “Për ndihmën e ndërsjellët për parandalimin, hetimin dhe dënimin e shkeljeve doganore”. Me këtë marrëveshje palët do të angazhohen në shkëmbimin e informacionit të nevojshëm për ndalimin e kontrabandës. Ndërsa u theksua se me këtë marrëveshje palët angazhohen “të sigurojnë se legjislacioni doganor është zbatuar në mënyrë korrekte; dhe të parandalojnë, hetojnë dhe luftojnë shkeljet e legjislacionit doganor”.
Po ashtu në Beograd është realizuar dhe një takim mes bizneseve. Forumi i biznesit u organizua nga Dhoma e Tregtisë e Serbisë. Ndërsa u bisedua dhe për nisjen e bashkëpunimit në realizimin e një hekurudhe që do të lidhte të dy vendet. Si një mundësi e mirë e zhvillimit ekonomik.
Marreveshjet
Lëvizja e Lirë
Palët kanë firmosur për krijimin e lehtësirave të lëvizjes së qytetarëve të vendeve respektive vetëm me karta identiteti. Kjo do të krijojë më shumë lehtësi në turizëm dhe në zhvillimin ekonomik
Marrëveshja Doganore
Palët kanë nënshkruar për ndihmën e ndërsjellë për parandalimin, hetimin dhe dënimin e shkeljeve doganore. në të cilën përfshihet dhe shkëmbimi i informacioneve
Bashkëpunimi rinor
Kjo marrëveshje e firmosur dje mes palëve synon mbështetjen e bashkëpunimit mes grupeve rinore mes Shqipërisë dhe Serbisë, në nivel universitetesh apo dhe më gjerë.
Hekurudhat
Kryeministri Vuçiç e ka cilësuar si një prioritet lidhjen e rajonit përmes hekurudhave nga Beogradi në Nish, pastaj në Podgoricë dhe në Tiranë