Përpara se të krijoheshin etnitë, përpara se të ndaheshin kufijtë, ishte fjala, ishte kënga, ishte rapsodi që me lahutë i këndonte trimit me mustaqe të gjata që luftonte shkjaun, bajlozin, apo katallanin.Pikërisht aty, tek i quajturi epos, gjen gjurmët e krijimit të së “ndryshmes”, etnikes. “Etnos në epos” është studimi monografik i prof. dr. Shaban Sinanit, që sapo ka dalë në qarkullim së fundmi. Pas një studimi 15-vjeçar, ndërsa përgatitet dosja për përfshirjen e epikës legjendare shqiptare në listën e trashëgimisë botërore, Sinani na tregon rrënjët e etnosit në epos, dallimin e eposit shqiptar nga ata të huaj, temat, heronjtë, por edhe disa “fjalë-kyçe”, të cilat kanë një peshë të veçantë në jetën shpirtërore të shqiptarëve. Një ndër to është edhe fjala “besë”, e cila nga shumëkush trajtohet si një fjalë mirëfilli shqiptare, madje e papërkthyeshme. Në një intervistë, Sinani sqaron disa prej çështjeve të trajtuara në libër.
Sapo ka dalë nga botimi një monografia juaj, për të cilën keni punuar 15 vjet dhe përkon me përgatitjen e dosjes për përfshirjen e epikës legjendare shqiptare në listën e trashëgimisë botërore. Cili ka qenë qëllimi juaj parak?
Libri “Etnos në epos” është një studim monografik, që vijon punën që pata bërë në kohën e mbrojtjes së doktoratës (“Mitologji në eposin e kreshnikëve”, 1998) e më herët, në një shkallë më të thelluar. Në këtë kuptim, nuk ka ndonjë lidhje funksionale me nismën e ndërmarrë dy vjet e gjysmë më parë nga qeveria e Kosovës për t’i propozuar UNESCO-s regjistrimin e epikës legjendare shqiptare në një prej programeve të saj për promovimin ndërkombëtar të pasurisë shpirtërore (jomateriale) të njerëzimit. Kur u ndërmor kjo nismë dhe më caktuan në përbërje të grupit të punës për përgatitjen e dosjes shkencore, mendova se një monografi që synon të ndriçojë kushtëzimin etnos-epos mund ta bënte atë më të shëndetshme shkencërisht. Tani kjo është një punë e përfunduar dhe mund të kryejë detyrën e vet, pavarësisht se si do të ndërrohet nisma që përmenda, e cila kohët e fundme ka pësuar disa ndryshime në shkallën administrative. Qëllimi im parësor ka qenë që, përmes mjetesh filologjike, përmes formulave të ngurtësuara apo shprehjeve klishe, siç i quajnë themeluesit e teorisë së oralitetit, M. Parry e A. Lord; përmes idiomave me kuptim të mbyllur dhe fjalëve të shkuptimësuara, përmes “sintagmave shëtitëse”, të mbërrihet deri tek një thelb zanafillës, tek shtresa e kryehershme, që lejon të vërehen raportet e dy dukurive parakombëtare, etnisë dhe epit, gojëdhënës së origjinës. Me mjete historiografike kjo nuk do të kishte qenë e mundur të bëhej, për më tepër do të ishte metodologjikisht e gabuar, sepse kur lind historia, eposi e mbaron misionin e vet dhe thjesht trashëgohet si pasuri shpirtërore.
Pse kjo pjesë e trashëgimisë gojore shqiptare duhet të merret në mbrojtjen e UNESCO-s?
UNESCO, në konventën e saj për trashëgiminë, merr në mbrojtje pasuritë e papërsëritshme të kulturave të popujve, të mëdhenj e të vegjël; me qëllim që ato të bëhen të njohura dhe të përcjellshme mbi kufijtë që paracakton gjuha. Epika legjendare shqiptare ka cilësi artistike origjinale. Ajo është e fundmja epope në Europë që është ruajtur vetëm në formë gojore. Kodifikuesit e parë të eposit shqiptar janë fretnit franceskanë (veçmas B. Palaj e D. Kurti) dhe dy homerologët amerikanë M. Parry e A. Lord. Epika legjendare shqiptare ka rëndësi parësore për studimet teorike mbi trashëgiminë gojore, për çështjen homerike që trazon ndër shekuj e mijëvjeçarë mendimin njerëzor, për ndikimin e tejshkrimeve letrare në ngurosjen e epopesë, për rolin e rapsodëve dygjuhësh në krijimin e lidhjeve dhe ndikimeve tek popujt fqinjë dhe për shumë çështje të tjera. Për një shumicë studiuesish është e pabesueshme që eposi shqiptar edhe sot bën jetë të gjallë dhe paraqitet në jetën e popullit pa regji, pa inskenime, pa improvizime. Kjo mbijetesë e epit shqiptar u ofron studiuesve e antropologëve mundësi të pafundme kërkimesh dhe krahasimesh. Por, nuk është vetëm interesi ndërkombëtar që e bën këtë pasuri të denjë për mbrojtje prej UNESCO-s. Epika legjendare shqiptare, mekanizmi krijues i së cilës mbyllet me ciklin e këngëve kushtuar betejës së Fushë-Kosovës (1389), kur për herë të parë shfaqen kufij të përcaktuar kohorë e mjedisorë; është një rezervat i vërtetë mjetesh të shprehjes, që ofron pasuri të shkëlqimta për etnologët, filologët, gjuhëtarët, për dijen shqiptare në përgjithësi. Nga kjo anë, eposi mbetet ende i pastudiuar.
Çfarë të dhënash na ofron eposi shqiptar mbi “ngjizjen” e etnosit shqiptar?
Eposi ofron burime për të arritur deri tek të dhëna etnodalluese të shkallës fillestare. Në epos nuk ka heronj historikë, por heronj kulturorë. Në epos nuk ka shqiptarë në kuptimin etnonimik të fjalës, as arbër, as ilirë. Heronjtë kulturorë të botës vendëse dallojnë qartë tjetrin, që mund të jetë, sipas etnonimeve që përmban vetë rapsodia: shkjau (sllavi), jelini (heleni, greku), harapi-harambashi (arabi), maxharri (hungari), ltini (latini), jevrenia (hebreja), osmani (turku), miskovi (rusi), tali (italiani), katallani (spanjolli, katalonjasi), frangu (frëngu, francezi), gumani (igumeni), allamani (gjermani), madje dhe kujtim i ndonjë bashkësie që mbetet e paqartë në rrjedhat e shekujve (si uskokët, për shembull). Por, për vetidentifikim në epos, heronjtë mjaftohen me shenjën se flasin “në gluhë të vet”, vishen “në veshën e vet” dhe kjo është shkalla më e hershme e njohjes së dallimit të bashkësisë. Eposi shqiptar, duke pasur si shtresën më të hershme të konfliktit ardhjen e sllavëve në Ballkan, përkon me daljen e etnisë së re prej burimit protoshqiptar, që historikisht lidhet me shekullin e 7-të, kohë kur lind shqipja e shuhet ilirishtja; kohë kur ndodhin disa dallime themelore midis rendit gjuhësor të toskërishtes dhe atij të gegërishtes, si dhe veçimi i dy makro-njësive etnografike shqiptare (Toskëri e Gegëri). Pavarësisht se kur epika popullore legjendare shqiptare mori përmasën e një trashëgimie themelore të stabilizuar, për çka studiuesit kanë mendime të ndryshme, kujtimi më i hershëm dhe sundues i saj është pikërisht i kohës kur lind dhe etnia e re: albane, arbëre më vonë dhe prej fundit të shekullit të 17-të – shqiptare.
Në monografinë tuaj merreni me disa fjale kyçe, mes të cilave edhe “besa”. Është ajo vërtetë një fjalë e “papërkthyeshme” në gjuhët e tjera dhe që merr apo ka kuptim vetëm si e tillë në shqip?
Më ka interesuar një krahasim i tre stileve më të hershme të ligjërimit shqip parashkrimor: ligjërimit biblik-ungjillor, ligjërimit epik-legjendar dhe ligjërimit etnojuridik. Të tre këto ligjërime, duke i vështruar në një krahasim të brendshëm në epikën legjendare, lejojnë të arrihet në përfundime se si kanë ndikuar, implikuar, shmangur njëri-tjetrin, si një koncept fetar është kthyer në vlerë poetike, si një vlerë poetike është kthyer në nocion etnojuridik. Këto ndikime nuk mund të dalin në dritë as prej fjalorësh etimologjikë, as prej fjalorësh të historisë së fjalës, sepse shenjat e tyre ruhen vetëm në trashëgimi të mbyllura, siç është epika legjendare. Një prej këtyre fjalëve-çelësa që ka qenë e pashmangshme në këtë krahasim, ishte fjala “besë”. Para së gjithash, kjo fjalë jo vetëm që nuk është e papërkthyeshme, por, siç ka shpjeguar E. Çabej, është e një burimi indoeuropian. Së dyti, siç del prej përdorimit të saj në këngët epike legjendare, “besë” nuk është as fjalë e parme, shenjë e sigurt, se është krijuar vonë, si të gjitha fjalët me kuptim abstrakt. Besa nuk ka lindur bashkë me shqiptarët, sikundër trajtohet në studime postromantike, madje as gjuhësisht nuk ka lindur para shqiptarëve. Besa është një kategori historike, që u shfaq ndër shqiptarët në një kohë kur lindi vetëdija e tejkalimit të kufijve të zotërimeve të familjeve patronimike. Në studimin tim besa shihet si kategori e të besuarit, si kategori etike dhe si normë etnojuridike. Ajo del për herë të parë në formë të shkruar si folje, “bessare”, në “Statutet e Shkodrës” (1469), dhe ka kuptimin e dëshmisë së besueshme. Dekodifikimi i nocioneve të tilla si besa, fjalë të cilën Sami Frashëri e përdorte për “fe, besim”, është i nevojshëm për procesin e vetënjohjes dhe të zhvillimit pozitiv të mendësisë njerëzore. Absolutizimi i besës si dukuri shqiptare shumë lehtë mund të çojë në kompleks epërsie, që është po aq i dëmshëm sa dhe ai i vetëpërçmimit. Në fund të fundit, miti i fjalës është një mit biblik, që e ka gjithë njerëzimi (“Në fillim qe Fjala”). Dhe më tej, miti i fjalës, i mbitheksuar në mënyrë etnocentriste, është mbitheksim i një miti të një kulture parashkrimore.
Jo rrallë herë kemi dëgjuar debate për vjedhje, apo huazime këngësh epike mes ballkanasish, si qëndron e vërteta? I kemi huazuar, na i kanë huazuar, apo janë ca tema apo motive “migratore” që i gjen në të gjitha këto vende?
Mendoj se kjo ka qenë një prej grackave që kanë mbajtur dijen shqiptare në një kurth qindvjeçar. Lufta për mbrojtjen e epopesë i ngjan një skajimi të frymës luftarake të vetë eposit. Epose të pastër nuk ka asnjë popull. Sot dija europiane e shtron çështjen e ndikimeve në formën e pyetjes “voisinite, affinite et fraternite” – “fqinjësia, afërsia apo vëllazëria”, kush ka ndikuar më shumë. Ngjashmëritë midis eposit sllav dhe eposit shqiptar janë të papërjashtueshme. Studiuesit në këtë rast më shumë i intereson origjinaliteti i epopesë kombëtare, se lufta për primatin, që është një luftë fanatike dhe jo laike-shkencore. Eposi shqiptar ka si përparësi themelore hershmërinë. Klani i Qyprillinjve (“Koprülü”), që sundoi për gati një shekull perandorinë osmane, nuk ka lënë shenja në eposin shqiptar, sepse mekanizmi i tij nuk vepronte më; por, në eposin e sllavëve të jugut Æupriliæ veziri ka një cikël më vete këngësh heroike legjendare. Në traditën shqiptare nuk vërtetohet tipi i rapsodit që këndon me pagesë në saraje, si ndër sllavët. Rapsodi shqiptar ka ruajtur deri në kohët moderne një sjellje “të shëkrueme”, sipas një fjale të Buzukut, një sjellje sakrale ndaj heronjve, të cilët nuk vdesin, por mbyllen në shpellë dhe atje jetojnë përtej-jetën. Kurse në eposin e sllavëve të jugut, “hrnjiæki brati” kanë varre pelegrinazhi popullor në Banja Luka.
Diku citoni Nopscen që ishte i mendimit që Shqipëria të “izolohej” për ta ruajtur trashëgiminë gojore të paprishur, si ju duket kjo ide?
Po, ka pasur albanologë, si F. Nopsca, por edhe Rose Lane, që kanë propozuar të muzealizohet gjendja e prapambetur e Shqipërisë, të kthehet ky vend në një muze të gjallë të së shkuarës kalorësiake, me qëllim që Europa metropolitane t’u japë mundësi brezave të rinj të shohin të shkuarën e stërgjyshërve të tyre. Rose Lane shprehimisht thotë se “unë jam reaksionare” dhe nga kjo mënyrë të menduari e propozoj këtë. Në të vërtetë, pavarësisht se një pjesë e albanologëve të huaj e kanë idealizuar dhe hyjnizuar “virtytin shqiptar”, dhe mjaft studiues vendës u kanë rendur prapa me shumë zell shkence të rreme atdhetare, projektet e tyre kanë pasur si qëllim ngrirjen e së sotmes, ndalimin e kohës, monumentalizimin e prapambetjes.
Skeda e librit
Titulli: “Etnos në epos”
Autor: Prof. dr. Shaban Sinani
Shtëpia botuese: “Naimi”
Gjinia: Studim monografik
Nr. i faqeve: 240 faqe
Çmimi: 800 lekë/ 8 euro
Viti i botimit: 2011
ALMA MILE
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al