Sherr mes minoriteteve, plasin akuzat për miliona lekë në këmbim të një pasaporte bullgare

Oct 9, 2017 | 17:21
SHPËRNDAJE

Projektligji i qeverisë “Për mbrojtjen e pakicave kombëtare” ka sjellë në Kuvend përplasjen e shoqatave maqedonase me shoqatat bullgare. Akuza të forta ka hedhur dje gjatë seancës dëgjimore përfaqësuesi i Shoqatës së Maqedonasve, Vasil Sterjoski, i cili tha se shumë shtetas shqiptarë dhe maqedonas po deklarohen si bullgarë për të përfituar pasaportën dhe për të emigruar në vendet e BE-së. Ai tha se në Shqipëri nuk ka minoritet bullgar, por tentativa për të asimiluar kombin maqedonas, duke e rrethuar me minoritete bullgare. “Këto 5 vite lindën shoqata të reja gjoja bullgare dhe këto shoqata ndërmjetësojnë marrjen e pasaportës bullgare.

Komisioni i Ligjeve gjate mbledhjes per projektligjin e pakicave
Komisioni i Ligjeve gjate mbledhjes per projektligjin e pakicave

Jo vetëm komuniteti maqedonas, por edhe shumë shqiptarë po aplikojnë, po bëhen bullgarë, vetëm për të ikur në Europë, në Angli e Gjermani. Me këto shoqata bëhet fjalë për një biznes shumë miliona eurosh, që fitojnë jo vetëm këto shoqata, por edhe Bullgaria. Ka shumë persona nga Tropoja që kanë marrë pasaportë bullgare. Më thoni, a ka bullgarë në Tropojë?!”, ka thënë Sterjoski. Por, përfaqësuesi i shoqatave bullgare, Ervis Taluri, u shpreh se minoriteti bullgar ekziston në Shqipëri që prej vitit 1913. Ai tha se vetëm në vitin 2016, rreth 2500 shqiptarë e kanë rikthyer nënshtetësinë bullgare. 

DEBATI NË KUVEND

Vasil Sterjoski(Komuniteti maqedonas): Ketë ligj ka 20 vjet që e kërkojmë, sepse ka pasur mungesë në zbatimin e të drejtave të minoriteteve në Shqipëri, lidhur me pretendimin e ekzistencës së komunitetit bullgar, sepse lidhet drejtpërdrejt me komunitetin maqedonas. Pra, në Shqipëri nuk ekziston minoritet bullgar, ky është deformim i historisë dhe së vërtetës.

Pra në Prespë, Gorë dhe Gollobordë, ku pretendojnë bullgarët që ka bullgarë, jeton vetëm komuniteti maqedonas, i njohur zyrtarisht vetëm në zonën e Prespës dhe në Vernik në zonën e Devollit. Në zonën e Prespës flasim gjuhën dhe kemi tradita si maqedonasit matanë kufirit. S’kemi lidhje fare me Sofjen, as me gjuhën, as me traditën dhe folklorin.

Ervis Taluri (Shoqatat bullgare): Në planin historik, pakica kombëtare bullgare daton që nga vitit 1913, prej kohës së krijimit të shtetit modern shqiptar. Pakicat shtrihen në Dibrën e Sipërmeve, Gollobordën. Më vonë ka hyrë dhe një pjesë nga Gora e Prizrenit, banuar në mënyrë kompakte nga bullgarë myslimanë. Pas Luftës së Dytë Botërore, shteti shqiptar i ka përfshirë edhe fshatrat bullgare të krishtere në Prespën e Vogël së bashku me fshatin Vernik në rajonin e Korçës. Që nga shekulli i 9, në trojet ku ekziston pakica bullgare në Shqipëri, janë të lidhura me qytetërimin ortodoks bullgar përmes imazheve të ish-mbretit të Bullgarisë, Boris Mihail Pagëzorit. Për momentin ndodhet një kishë në zonën e Ballshit që mban të njëjtin emër…

Vasil Sterjoski(Komuniteti maqedonas): Sot, në shekullin e 21-të, të kërkohet të bëhet asimilim në zona ku është i njohur komuniteti maqedonas, më duket që është absurde dhe që është një gjenocid ndaj popullit maqedonas. Kjo kërkesë e Bullgarisë për njohje të bullgarëve në Shqipëri ka të bëjë me projektin e Bullgarisë së madhe. I gjithë ky projekt është që ta rrethojnë Maqedoninë artificialisht me bullgarë, kjo përpjekje nuk është vetëm në Shqipëri.

Edhe në Gorë të Kosovës, edhe në Greqi në pjesën veriore. Dhe bullgarët thonë që si mund të ekzistojë kombi maqedonas, kur është i rrethuar me bullgarë. Jemi shumë të indinjuar që sot po tentohet të futet në këtë projektligj pakica bullgare. Në censusin e vitit 2011, në zonën e Prespës dhe Vernikut, 100% u deklaruan maqedonas.

Por çfarë ndryshoi në këto 5 vjet që na dolën pretendime se ka komunitet bullgar në këtë zonë? Thjesht në këto 5 vite lindën shoqata të reja gjoja bullgare dhe këto shoqata ndërmjetësojnë marrjen e pasaportës bullgare. Jo vetëm komuniteti maqedonas, por edhe shumë shqiptarë po aplikojnë, po bëhen bullgarë, vetëm për të ikur në Europë, në Angli e Gjermani. Me këto shoqata bëhet fjalë për një biznes shumë miliona eurosh, që fitojnë jo vetëm këto shoqata, por edhe Bullgaria. Me dhënien e këtyre pasaportave duan të nxjerrin dhe komunitet bullgar që nuk ekziston. Nëse Parlamenti do ta pranojë një gjë të tillë, ky është një gjenocid ndaj kombit maqedonas.

Ervis Taluri (Shoqatat bullgare): Gjatë vitit 2016, rreth 2500 bullgarë prej Shqipërie kanë kërkuar ta rikthejnë nënshtetësinë e tyre mbi bazë të origjinës së tyre bullgare, ku një pjesë e tyre janë rikthyer dhe punojnë në Shqipëri, ndërsa një pjese prej tyre ka ngelur në Bullgari. Duke pasur parasysh dhe një regjistrim të fshehtë të vitit 1932, të kryer nga Ministria e Punëve të Brendshme të Mbretërisë së Shqipërisë, ku rezultojnë se 10680 qytetarë shqiptarë janë numëruar si folës të gjuhës bullgare në rajonet e Prespës, Vernikut dhe Gollobordës. Ne kërkojmë njohjen e pakicës kombëtare në projektligj.

Andrea Marto(PS): Kërkesat e qytetarëve shqiptarë për të marrë kombësi bullgare është si presion i dikujt, apo e dëshirojnë vetë?

Vasil Sterjoski(Komuniteti maqedonas): Kjo vjen si dëshirë e vetë banorit dhe shqiptarëve për të marrë shtetësi bullgare. Sepse Bullgaria lejon që vetëm me një deklarim ti je bullgar, ata ta japin pasaportën bullgare. Ketë e shohin të gjithë si mundësi për të ikur në Europë, jo për të vajtur në Bullgari. Masivisht, në zonën tonë kanë aplikuar për pasaportë bullgare dhe kanë dhënë me mijëra euro familjet për ta marrë këtë pasaportë. Para një muaji bënë peticion këto shoqatat bullgare, që firmosni që t’ju japin pasaportën. Dhe atë kërkesë mund ta paraqesin sot si peticion të banorëve për t’u njohur si komunitet bullgar. Ka shumë persona nga Tropoja që kanë marrë pasaportë bullgare. Më thoni, a ka bullgarë në Tropojë?!

Ditmir Bushati: U ngrit çështja e pasaportave, unë them që nuk duhet të hyjmë fare në këtë diskutim, sepse ka shtetas shqiptarë që kanë marrë pasaporta italiane, por nuk kanë pretendime për minoritet italian në Shqipëri. Ka shtetas shqiptarë që kanë marrë pasaporta amerikane gjatë këtyre 30 viteve, por nuk kanë pretendime të tilla. Duhet t’i qëndrojmë strikt konventës dhe ligjit.

Enkelejd Alibeaj: Nuk është se ka ndodhur vetëm sot tentativa për të asimiluar një pakicë nga një pakicë tjetër?

Ditmir Bushati: Në rast se ka pretendime për një proces të paligjshëm, ka organe shtetërore që merren me këtë çështje. Ne s’na rezulton të ketë një politikë asimiluese të një pakice ndaj një pakice tjetër. Shteti është i baraslarguar dhe kërkon një trajtim të barabartë për të gjitha pakicat.

FATION BINJAKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura