(VIDEO E PUBLIKUAR SOT NGA ARDI VELIU)
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu publikoi ditën e sotme një video të mamasë së 15-vjeçarit, Sarandi Çobo, i cili u dhunua barbarisht disa javë më parë nga disa efektiv të Policisë së Shtetit.
I pranishëm në mbledhjen online të Komisionit të Sigurisë Kombëtare, Ardi Veliu ka publikuar disa imazhe të Zaida Çobos, mamasë së 15-vjeçarit, e cila sipas tij ishte filmuar teksa mbante armë në dorë. Veliu kërkoi nga deputetët të gjykonin vetë se nga çfarë familje vinte 15-vjeçari i dhunuar.
Por, për këtë pohim të Drejtorit të Policisë ka reaguar nëna e 15-vjeçarit, Zaida Çobo, e cila ka deklaruar se skena e publikuar nga drejtori i Policisë së Shtetit janë xhiruar gjatë filmit “Dashia s’mjafton” me regjisor Drilon Hoxhën.
Në një lidhje për “AbcNews”, Zaida Çobo i konsideroi “të turpshme deklarata e Drejtorit të Policisë së Shtetit”, teksa tha se asaj “nuk i vjen turp pasi është aktore dhe personazh publik pasi ka marrë pjesë në Big Brother”.
“Nëse kisha një precedent penal, pse më pranuan në Polici? Për dy pikë nuk e mora testimin. Video e publikuar nga Ardi Veliu, kam qenë në një skenë filmi dhe është shumë e dukshme, kamë punuar dy vite tek ai filmi.
Ky është turp, nga njëra anë më vjen për të ardhur keq, nga ana tjetër më vjen për të qeshur me këta. Unë e kam thënë që nga policia nuk kam më besim dhe ankimimin për mua e ka marrë SHÇBA dhe Avokati i Popullit.
Le ti marrin foto unë nuk kam turp nga ato që kamë bërë në jetë. Unë jam person publik, jam marrë me televizionin, unë kam marrë pjesë në “Big Brother”, në filmin “Dashura S’mjafton”. Këta nuk dinë nga kultura, është gjynah nga kush udhëhiqemi”, ka thënë Zaida Çobo.
PADIA NDAJ ARDI VELIUT
Më tej, nëna e 15-vjeçarit ka bërë të ditur se ajo do bëj padi ndaj Ardi Veliut për prishje Imazhi.
“Është turp, nuk do rri pa denoncuar këtë prishje imazhi, do shkoj në Prokurori, nëse është hapur do shkoj që tani. Nuk hezitova të dal drejtë për drejtë për të përgënjeshtruar këtë lajm banal që ka nxjerrë ai”, u shpreh Çobo.
GJENDJA E 15-VJEÇARIT
Më tej, Zaida Çobo ka rrëfyer dhe gjendjen e djalit të saj, teksa ka pohuar se vazhdon të marrë trajtim nga psikologët dhe se ai vazhdon stërvitjen pasi është ftuar nga akademia e Juventusit.
“Djali im nuk ka marrë gjobë, ai vazhdon me trajnime me psikologun. E ka marrë akademia e Juventusit ka një javë dhe po stërvite për futboll. Kjo më vjen çudi se kur një fëmijë merret me sport, si mund të ketë kulturë tjetër”, u shpreh Çobo.
ÇFARË THA SOT ARDI VELIU
Gjatë raportimit në mbledhjen online të Komisionit të Sigurisë, Veliu tregoi një video, ku tha se dukej e ëma e të miturit, ndërsa mbante një pistoletë në dorë.
“Jo se dua të marr në mbrojtje punonjësit e policisë. Punonjësit e policisë në një rast të caktuar kanë një kapërcim të kompetencës dhe punonjësi i policisë i cili ka konsumuar këtë veprim është pezulluar, ka filluar hetimi disiplinor, njëkohësisht ka filluar dhe një hetim penal nga SHÇBA.
Por më besoni, në qoftë se do ta shikojmë nga fillimi në fund çfarë përfaqëson ky djali, a është me të vërtetë ky djali që i është bindur të gjitha veprimeve, thirrjeve të policisë siç pretendon mamaja e tij, e cila ishte ndier shumë e fyer. Do t’ju shfaq një video të mamasë së tij, se kush është mamaja e tij dhe të besoni se nga çfarë familje vjen ky fëmija dhe pastaj të gjykoni vetë.
Kjo është mamaja e djalit me pistoletë në dorë. Ju a tregova këtë videon për të thënë se nga çfarë familje vjen ky fëmijë, sa i edukuar është, sa i është bindur thirrjeve të policisë dhe tek e fundit policia si gjithmonë bëhet viktimë”, tha Veliu./ Panorama.al
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al