“Shkaku dhe pasoja” në kontekstin e botëkuptimit shqiptar

Jul 24, 2024 | 8:22
SHPËRNDAJE

Filip-GuraziuFILIP GURAZIU

Tema e këtij shkrimi ndoshta mundet me qenë nji ndër ma të diskutuemet e filozofisë botnore, që ende vazhdon të studiohet, por çka ka të veçantë ose të randësishme për shoqninë njerëzore ky çift emnash? Pranohet prej të tanëve, se sa ma shumë njohje në lidhje me këto dy koncepte dhe varësinë që ekziston ndërmjet tyne, aq ma shumë problematika jetësore të sapiensit zgjidhen tue ndikue pozitivisht drejt përparimit. Vlera dhe randësia që ato marrin, në interpretimin e saktë të dukunive natyrore e ngjarjeve historike, konsiderohen primare për shoqninë njerëzore drejt ndërgjegjësimit dhe pozicionimit konstruktiv të saj. Interpretimi i gabuem i dukunive dhe i ngjarjeve historike, pasojë e “mos dijes” ose e transformimit të qëllimshëm të fakteve në shërbim të interesave klienteliste, formojnë pengesë për ecjen përpara të shoqnisë njerëzore.

Si të gjithë popujt e Ballkanit edhe shqiptarët “gjinden të mbarsun” me lloj-lloj mentalitetesh që nuk ndihmojnë formimin kulturor bashkëkohor përparimtar psh., pranohen apriori, “pa e lodhë fort mendjen” si të vërteta absolute se “vetëm shqiptarët janë populli i viktimizuem në Europë”, se “fajin për çka ka shkue e shkon keq në botën shqiptare e kanë gjithmonë të tjerët; se shqiptarët nuk janë popull pushtues”, “se vetëm shqiptarët kanë besë” etj.. Personalisht më intrigon psikologjia zotnuese te shqiptarët se “fajin e kanë gjithmonë të tjerët”, që me ma shumë fjalë interpretohet: se “shkakun” në lidhje me “pasojat” (situata jo të kënaqshme që kanë përjetue ose që përjetojnë shqiptarët) nuk duhet t’i kërkojmë brenda vetes (shqiptarëve), por jashtë vetes, te të tjerët…!

Çdo aspekt i jetës së përditshme na ballafaqon me interpretimin e drejtë ose të gabuem të konceptit të masipërm, psh., qytetarët ankohen për mospastrimin e mirë të territorit prej Bashkisë, por në veprimtarinë e tyne janë po ata që hedhin letra, cingare e mbeturina në vende që nuk lejohen, pra “shkaku” i mospastrimit të qytetit nuk asht vetëm Bashkia, por janë edhe vetë qytetarët (shkaku brenda nesh); qytetarët ankoheshin se qeveria nuk po merrte masat e duhuna kundër Covidit, por në të njajtën kohë askush nuk e vente maskën aty ku ishte urdhni me e vue, përsëri pra shkaku i përhapjes së virusit nuk duhet ta kërkojmë vetëm jashtë nesh (te qeveria), por edhe brenda nesh (te vetvetja) etj.

Shqiptarët kritikojnë Kryeministrin e Prusisë, Bismarkun, i cili gjatë diskutimeve për çështjen shqiptare (1878) paska pasë thanë se “Shqipnia asht shprehje gjeografike” me argumentin që nji popull i cili nuk e ka të shkrueme gjuhën e vet nuk mundet me qenë shtetformues. Vetvetiu vjen pyetja: Kush mban përgjegjësi që shqiptarët, të vetmit në Ballkan, ende në vjetin 1878 nuk e kishin të shkrueme gjuhën e vet, Bismarku apo vetë shqiptarët? Kuptohet se shqiptarët (vetvetja) janë shkaku i kësaj situate me pasojë qëndrimin e kryeministrit prusian Bismark.

Në vjetin 1912 ishte shpallë pavarësia e shtetit të ri Shqiptar (me territore të cunguem), por situata paraqitej problematike prej grykësisë territoriale ekspansioniste të shteteve kufitarë. Europa në vazhdim të praktikës së suksesshme të vendosjes së nji monarku në krye të shteteve të rij në Ballkani (Greqi, Rumani dhe Bullgari), në vjetin 1914 vendosi në krye të shtetit të sapoformuem shqiptar, gjermanin Princ Vidi, por ç’ka ndodhi? Dhuna e shqiptarëve “patriotë” me parullën “Dum Baben” shkatërroi të ardhmen europiane…, pikërisht këtë të ardhme për të cilën sot shqiptarët po “shkarraviten” për me qenë pjesë e saj.

Konkluzioni? Kur ti o shqiptar harron vetveten, kur ti o shqiptar nuk kujdesesh për vetveten, si të shkon ndërmend se duhet me të kujtue e me të ndihmue të tjerët? Ku duhet pra ta kërkojmë shkakun e të keqes që ndodhi me territoret e banueme historikisht prej shqiptarëve; brenda apo jashtë nesh? Ç’asht e vërteta duhet pranue se përcaktimi i “shkakut” (për këtë problem) nuk mundet me qenë “bardh e zi”, mbasi rol për sa ma sipër, kanë luejtë edhe interesat ekspansioniste të shteteve imperialiste, por megjithatë…, sikur shqiptarët në ato momente historike do të ishin ma të ndërgjegjësuem e ma të bashkuem për krijimin e shtetit të tyne, harta e Shqipnisë me siguri do të ishte ndryshe…!

Në vazhdim të temës kujtojmë se masivisht shqiptarët ankohen se B.E. nuk na përfill e nuk po na pranon në gjiun e sajë, megjithëse “neve i kemi bërë detyrat”. Pra, mosanëtarësimi në BE që në këtë rast asht “pasoja”, na rrjedhka prej “shkakut” të mos funksionimit të mirë ose funksionimit burokratik të BE! Përsëri “shkakun” e kërkojmë jashtë nesh dhe harrojmë ose bajmë sikur harrojmë se në ç’farë gjendje e ka pozicionue vendin politika 34-vjeçare post diktatoriale. Jo në nji shkrim gazete, por nuk mjafton nji roman me shumë faqe për me rreshtue problematikat bashkëkohore negative të shoqnisë shqiptare; korrupsion masiv, drogë, krim e vjedhje pronash, moszbatim të vendimeve të gjykatave, largim i fuqisë punëtore etj., etj..

Kush e ka pra fajin që kemi qenë të refuzuem deri sot prej BE-së?

A e keni pyetë ndonjiherë vetveten pse ‘Mali i Zi’ që i filloi praktikat e pranimit në BE rreth 10 vjet mbrapa Shqipnisë, sot asht ma afër pranimit në BE se Shqipnia? Për këdo që ka sy me pa, veshë me ndigjue e tru me mendue, përfundimi asht i qartë: “shkakun” që ende sot mbas 34 vjetëve prej diktaturës komuniste, Shqipnia nuk ban pjesë në BE duhet ta kërkojmë brenda nesh (shqiptarëve) pa përjashtue askënd; drejtues shtetnor, gjyqtarë, akademikë, media, klerikë e deri te populli në bazë. Përfundimi?

“Shkaku dhe pasoja” nuk duhen konsiderue “lojna fjalësh për humor karnavalesh”…, por korelacion filozofik me të cilët ndërlidhet ngushtë përparimi i qëndrueshëm i nji populli që imponon s’pari ndryshimin pozitiv brenda vetes sonë, brenda shqiptarëve!

Kuptimi i drejtë, pozicionimi optimal në raport me shkakun e nji dukunie materiale apo ideologjike, thërret, organizon, mobilizon fuqi të brendshme pozitive kombëtare në funksion të projektimit të nji “pasoje” që sjell përparim për mbarë popullin.

“Kumont” bijnë për të tanë shqiptarët pa përjashtim, por kryesisht për elitën intelektuale e drejtuesit e politikës e të shtetit shqiptar!

Mentalitetet arkaike konsevatore frenuese të përparimit, pasojë e mbijetesës mbi dymijëvjeçare të shqiptarëve nën sundimin e pushtuesve shekullor, duhen çrranjosë prej botëkuptimit shqiptar dhe për këtë sot bahet urdhnuese edukimi dhe edukimi i brezit të ri.

Ndërgjegjësimi i drejtë dhe bashkëkohor i nji populli mundëson analizimin e saktë të “shkakut” në funksion të “pasojës”.

Del urgjente konsolidimi i nji strategjie edukuese konstruktive (e mbështetun në ligj) në funksion të ndërgjegjësimit me botëkuptim bashkëkohor europian të shqiptarëve: edukimin me të vërtetën historike, konsolidimin e identitetit kombëtar, bashkimin shpirtnor të tyne, respektimin e pronës, respektimin e ligjit e të dinjitetit të personit dhe të simboleve të shqiptarizmit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura