Mungesa e sinjalistikës në dy unazat e Durrësit është kthyer në rrezik për jetën e qytetarëve, sidomos të fëmijëve, të cilëve u duhen ta kalojnë rrugën të paktën dy herë në ditë, kur ikin dhe kthehen nga shkolla. Bëhet fjalë për Unazën Shkozet-Plepa dhe Shkozet-Korpusi Universitar.
Në këto dy segmente të përuruara vitet e fundit mungon sinjalistika rrugore horizontale dhe vertikale, si dhe mbikalimet për të kaluar nga njëri krah në tjetrin. Banorët ngrenë shqetësimin se ndihen të kërcënuar, por janë fëmijët ata që rrezikojnë më shumë, pasi automjetet lëvizin me shpejtësi skëterrë dhe në shumë raste aksidentet kanë rezultuar fatale.
Fëmijët e zonës së ish-Kënetës kalojnë të paktën dy herë nga njëri krah i rrugës në tjetrin, pasi u duhet të shkojnë në shkollë. Në shumicën e rasteve, ata shoqërohen nga prindërit e tyre, për të kaluar në krahun tjetër të rrugës nëpërmjet mbikalimeve të vogla të improvizuara me dërrasë. Banorët shprehen se e kanë ngritur shpesh shqetë- simin e tyre për mungesën e sinjalistikës dhe mbikalimeve, por ankesat e tyre kanë rënë në vesh të shurdhët.
“Mungesa e sinjalistikës rrugore është kthyer në një problem shumë serioz për ne, pasi përballemi çdo ditë me rrezikun për jetën. Automjetet në këtë aks (ShkozetKorpusi Universitar) lëvizin me shpejtësi marramendëse dhe në shumë raste janë bërë burim aksidentesh fatale. Ne na duhet të kalojmë disa herë në ditë nga njëri krah i rrugës në tjetrin dhe, në çdo rast, ndihemi të kërcënuar se mos na godet ndonjë automjet”, shprehet Nikoll Prenga, banor i zonës. Një tjetër banor shprehet se më të kërcënuarit janë fëmijët, pasi u duhet të kalojnë përmes rrugës të paktën dy-tri herë në ditë.
“Kemi kërkuar me dhjetëra herë të merren masa për të vendosur sinjalistikën dhe mbikalimet në këtë rrugë, por ankesat tona nuk janë marrë parasysh. Prej disa vitesh kjo rrugë ka përfunduar, por jo me parametrat e kërkuara, pasi duhej ishte vendosur sinjalistika dhe mbikalimet. Ne jemi detyruar të vendosim mbikalime të vegla, me konstrukt dërrase, pasi ndryshe ndihemi të izoluar dhe nuk kemi komunikim me pjesën tjetër të qytetit”, shprehet një tjetër banor.
Ndërsa fëmijët tregojnë se ndihen të frikësuar kur u duhet të kalojnë në krahun tjetër të rrugës. “Kalojmë me shumë kujdes, pasi kemi frikë se na merr ndonjë makinë përpara. Makinat ecin me shpejtësi dhe ne duhet ta llogarisim mirë kohën për të kaluar me vrap. Një gabim i vogël mund të na kushtojë shumë. Prindërit i kam në punë dhe nuk mund të më çojnë e të më marrin nga shkolla çdo ditë”, shprehet një fëmijë, i cili është në klasën e tretë.
Banorët e zonës së ish- Kënetës bëjnë thirrje për ndërhyrje të menjëhershme, pasi çdo ditë rrezikohet një tragjedi e mundshme. “Fëmijët kalojnë në grup bashkë. Sikur një makinë që vjen me shpejtësi t’i përplasë, ndodh tragjedia. Shoferët këtu ecin me 160 në orë. Askush nuk i ndalon”, shprehen banorët e ish-Kënetës.
DURRES/ LEONIDHA MUSAJ
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al