Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e Shoqatës së Prodhuesve dhe Tregtuesve të Pijeve Alkoolike Vendase, të cilët kërkuan shfuqizimin e pjesshëm të ligjit për akcizat.
Kushtetuesja argumenton se nuk u provua se ndryshimet ligjore kanë cenuar thelbin e lirisë së veprimtarisë ekonomike apo e kanë vënë atë në rrezik, deri në atë masë që të vihet në dyshim ekzistenca e saj.
“Në këtë këndvështrim, unifikimi i akcizës nuk përbën një mjet joproporcional”, thuhet në vendim.
Njoftimi
Gjykata Kushtetuese mori në shqyrtim në seancë plenare publike çështjen me kërkuese Shoqatën e Prodhuesve dhe Tregtuesve të Pijeve Alkoolike Vendase, me objekt shfuqizimin e pjesshëm të ligjeve nr. 81/2022 dhe nr. 94/2023 për akcizat, për pjesën që parashikon unifikimin e akcizës së birrës nga malto për të gjithë prodhuesit pavarësisht sasisë së prodhimit vjetor.
Kërkuesja ka pretenduar se ky ndryshim, i cili në thelb dyfishonte tarifën e akcizës për prodhuesit deri në 200.000 HL në vit, cenon lirinë e veprimtarisë ekonomike, të drejtën e pronës, parimin e sigurisë juridike, si dhe detyrimet që rrjedhin në zbatim të nenit 70 të MSA-së.
Gjykata Kushtetuese, e mbledhur sot më 16.07.2024, vlerësoi se kërkuesja legjitimohet ratione personae për të vënë në lëvizje gjykimin kushtetues. Megjithëse ajo si shoqatë ishte krijuar pas hyrjes në fuqi të ligjit nr. 81/2022, Gjykata çmoi se ajo mbart interes për sa kohë anëtaret e saj janë subjekte të prekura drejtpërdrejt nga ndryshimet ligjore të kundërshtuara. Për sa i përket legjitimimit ratione materiae, Gjykata vlerësoi se pretendimet e paraqitura ishin me natyrë kushtetuese. Nisur nga thelbi dhe përmbajtja e këtyre pretendimeve, Gjykata çmoi t’i analizojë ato në tërësi në këndvështrim të lirisë së veprimtarisë ekonomike, të garantuar nga neni 11 i Kushtetutës, të lidhur me parimin e proporcionalitetit, të parashikuar në nenin 17 të Kushtetutës.
Në lidhje me bazueshmërinë në themel të këtij pretendimi, Gjykata, duke mos vënë në dyshim hapësirën e gjerë të vlerësimit të shtetit në fushën e taksave dhe tatimeve, vlerësoi se unifikimi i akcizës përbën ndërhyrje në lirinë e veprimtarisë ekonomike. Kjo ndërhyrje plotëson kriteret kushtetuese “të vendosur vetëm me ligj” dhe “për interes publik”, të parashikuara në nenet 11 dhe 17 të Kushtetutës. Lidhur me këtë të fundit, Gjykata rithekson qëndrimin e mbajtur në jurisprudencën e saj në lidhje me prezumimin e rëndësisë së objektivit të ligjvënësit dhe pranisë së interesit publik për një sistem tatimor efektiv.
Për sa i përket analizës së kritereve të parimit të proporcionalitetit, Gjykata mbajti në konsideratë diskrecionin e shtetit në fushën fiskale dhe kohëzgjatjen prej 15 vjetësh të akcizës së diferencuar si një mjet i përzgjedhur nga ligjvënësi për të lehtësuar barrën tatimore për kategorinë e prodhuesve të produktit të birrës nga malto. Gjykata çmoi se gjatë gjykimit nuk u provua se ndryshimet ligjore kanë cenuar thelbin e lirisë së veprimtarisë ekonomike apo e kanë vënë në rrezik atë deri në atë masë që të vihet në dyshim ekzistenca e saj. Në këtë këndvështrim, unifikimi i akcizës nuk përbën një mjet joproporcional.
Në përfundim të shqyrtimit të çështjes, për arsyet e mësipërme, Gjykata vendosi, me shumicë votash:
– Rrëzimin e kërkesës.
Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al