Shpërthen Ben Blushi: PS në moment kritik, edhe Enveri zgjidhej çdo 4 vjet

Jan 25, 2016 | 13:44
SHPËRNDAJE

Deputeti socialist Bel Blushi ka dalë me një deklaratë të fortë pas mbledhjes së grupit të PS.

I njohur për qëndrimet e tij shumë kritike, Blushi ka atakuar edhe njëherë fort kreun e PS, për mosmbajtjen e Kongresit, duke i kujtuar se edhe në Partinë e Punës mbaheshin zgjedhjet dhe vetë Enver Hoxha zgjidhej cdo katër vjet.

blushi

“Morëm vendim para disa muajsh që Kongresi të bëhej në Janar, janari mbaroi dhe s’ka Kongres. Edhe karnavalet e kanë një datë, kongresi u bë si kometë,  nuk dihet kur do vijë, kur do kalojë”- tha Blushi. Sipas tij,  PS aktualisht është në një moment kritik sot, ekonomia është keq, koalicioni nuk është stabël, reforma në drejtësi s’po merr drejtimin e duhur.

“Kryetari që është edhe kryeministër është i vetmi në botë që ka mandat 7 vjeçar, po shkon drejt të përhershmit, edhe Merkel është zgjedhur pora disa muajsh, zgjedhjet i fiton partia dhe të vë apo të heq mandatin, kjo normë nuk negociohet, është e panegociueshme në cdo sistem. Edhe në Partinë e punës mandatet ishin të kufizuar, Enveri zgjidhej cdo 4 vjet, formalisht por zgjidhej”- tha ai.

Prononcimi i plotë i Ben Blushit:

Ka ardhur koha të ketë zgjedhje në PS dhe duhet të ketë zgjedhje. PS është në një moment kritik sot, ekonomia është keq, papunësia është rritur, koalicioni ynë nuk është shumë stabël. Reforma në Drejtësi nuk po merr drejtimin e duhur akoma. Është e domosdoshme që partia të ketë mundësi të flasë dhe padyshim të ketë zgjedhje për kryetarin e partisë. Kryetari i PS që është e Kryeministër është ndoshta i vetmi kryetar partia në botë që ka një mandat shtatë vjeçar. Po shkon drejt një mandati të përhershëm, nuk ka mandat të përhershëm. Edhe Angela Merkel është zgjedhur në partinë e vet para disa muajsh, çdo parti ka zgjedhje njëherë në katër vjet apo dy vjet. Ka një mandat të kufizuar sepse zgjedhjet i fiton partia dhe partia të vë apo të heq mandatin, të mban në detyrë apo jo. Kam përshtypjen që kjo normë nuk mund të negociohet, është e panegociueshme në cilin do sistem që njohim sot. Edhe në kohën e Partisë së Punës kishte zgjedhje. PS është fatkeqësisht e vetmja parti pa mandat. Nuk bën zgjedhje, delegatët nuk vijnë si zgjedhës, organizatat mblidhen në mënyrë shumë klandestine për fat të keq nga se kam informacionet që kam unë. Sot ky debat u bë në grup, shpresoj që të ketë mundësi për ta korrektuar në Kongresin e shpejtë dhe të shumë pritur besoj.

Vetëm për shkak të zgjedhjeve të munguara është në moment kritik PS?

Një parti e cila nuk bën zgjedhje ka një raport të vështirë me veten dhe me ata që e kanë zgjedhur. Shkoni pyesni njerëzit në të gjithë Shqipërinë, socialistë të thjeshtë nuk besoj se e miratojnë faktin që nuk ka zgjedhje në parti. Ka zona sot në Shqipëri ku deputetët të PS-së fatkeqësisht që shkojnë dhe emërojnë njerëz pa zgjedhje. Pra caktojnë njerëz sikur të kenë biznesin e tyre privat, se kush do të jetë kryetar organizate, kush do të jetë delegat. Kush do marri pjesë në Kongres, kush është anëtar partie dhe kush jo. Ky nuk është një biznes privat. Në një biznes privat ndoshta nuk ka arsye të ketë zgjedhje se njerëzit emërohen apo hiqen nga puna, në një parti jo. Është në moment kritik edhe për këtë arsye, por e thashë edhe për shkak të ekonomisë. Në qoftë se ju më bindi që rritja ekonomike është mirë, që rritja ekonomike është e planifikuar, siç pritje, që papunësia është rritur që nuk ka emigracion, që nuk ka korrupsion, që nuk ka një drejtim të panjohur të ekonomisë qoftë dhe me koncesionet që janë shumë të dyshimta dhe ndoshta të panevojshme. Unë them që kështu është. Ka ardhur koha që PS të mblidhet dhe të ketë një drejtim.

Mendoni se ka ardhur koha për zgjedhje të parakohshme z. Blushi?

Jo, nuk besoj! Nuk besoj se ka arsye për zgjedhje të parakohshme.

Po për ndryshime në qeveri?

Unë nuk mund ta them këtë gjë. Është shpejt për të folur dhe shpejt për të folur në kamera. Sot pati anëtarë të grupit parlamentar që kërkuan të ketë analizë të qeverisë në grup dhe shpresoj që kjo të bëhet. Pra të ketë një normë, që grupi parlamentar njihet me atë çfarë po bën qeveria. Siç pati dhe njerëz që kërkuan të ketë Kongres, të ketë zgjedhje, të ketë një far disiplinë, rregull dhe një norma statutore. Partitë në rrallë të parë funksionojnë mbi një statut, sot statusi i PS-së thotë që zgjedhjet bëhen një herë në katër vjet. Sot në PS nga viti 2009, shtatë vjet pa zgjedhje, shtatë vjet pa Kongres, shtatë vjet pa kryetar partie.

Pse mendoni se jeni i vetmi, që të paktën publikisht….

Ju mendoni që jam i vetmi…në fakt nuk është kështu. Edhe sot ua thash 2-3 kolegë folën për të njëjtën gjë. Shëtisni nëpër Shqipëri dhe do të shikoni njerëz që duan zgjedhje në PS. Kjo parti është mësuar që të zgjedhi që nga viti 1991 e këtej, ka pasur zgjedhje kudo qoftë kur ka qenë në pushtet apo opozitë. Dhe e thash një formë e tillë e drejtimi të partisë koncesionar, apo privatizimi i partisë është e pa pranueshme sepse në fakt ka ardhur koha t’ia bëjmë këtë pyetje vetes: Kush qeverisë Rilindja apo PS-ja? Fatkeqësisht ka qeverisur Rilindja, por Rilindja nuk është PS-ja. Rilindja ka falimentuar, ka ardhur koha që pushtetin ta marrë PS-ja. PS-ja ka fituar zgjedhjet, koncesioni e zgjedhjeve e mori Rilindja. Kjo kohë ka mbaruar kam përshtypjen. Ka ardhur koha që në Kongres t’i themi të gjitha. Nuk mund të ketë parti, pa mbledhje, pa normë, pa statut, pa disiplinë, pa rregulla, pa mandat të përkufizuar dhe  të kufizuar dhe sigurisht pa Kongres. Kongresi është një forum që vendosin kush e qeveris partinë.

Në mbledhjen e radhës nëse do të jetë Kryeministri, Edi Rama do ia thoni këtë?

Unë po ia them publikisht moj zonjë si mendoni se nuk ia them. E kam thënë në çdo mbledhje Asambleje, në dy apo tre vitet e fundit, në këtë parti është bërë kryesia, është bërë Asambleja dhe janë krijuar forume që nuk ekzistojnë. Është njësoj sikur nesër të bini dakord që vendime te qeverisë nuk merren në qeveri, por merren jashtë qeverie. PS nuk mund të ketë një parlament jashtë Kongresit dhe nuk mund të ketë një qeveri jashtë Kryesisë.

Do të kandidoni për drejtimin e partisë?

Në qoftë se do të ketë zgjedhje do t’iu them. Kur të them zgjedhje do ua them. Por sot është e rëndësishme të ketë zgjedhje në PS. Në PS nuk ka zgjedhje!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura