“Shpëtoi nga vdekja me qindra persona në qeli, mes tyre At Zef Pllumin”- Kujtimet e ish-të dënuarit politik: Kur mjekun e burgosur e pyeta nëse do e vizitonte Enver Hoxhën, ai…

Jul 3, 2024 | 10:28
SHPËRNDAJE

Kam lindur më 23. 12. 1951, në muajin e zi, të kohës së zisë, nën regjimin më të zi komunist. Më 23 shtator të vitit 1968, krye-hetuesi sadist, Llambi Gegeni, hetuesi xhahil Shyqyri Çoku dhe prokurori mizor, Thoma Tutulani, më sakatuan në Degën e Punëve të Brendshme në Shkodër, më çanë kokën, më qorruan njërin sy, më shurdhuan njërin vesh, mbasi më thyen disa brinjë, gjysmat e dhëmballëve dhe gishtin e madh të dorës së majtë, më 23 tetor 1968, më çuan në gjykatë, ku mjerani Faik Minarolli, më dha një dhjetëshe burg politik. Pasi më prenë gjysmën e dënimit, sepse isha ende minoren, gjashtëmbëdhjetëvjeçar, më 23 nëntor 1968, më shpunë në kampin politik të Repsit dhe prej atje, më 23 shtator 1970, në kampin e Spaçit, ku më 23 maj të vitit 1973, në revoltën e të dënuarve politikë, u dënuan me vdekje dhe u ekzekutuan me pushkatim, katër martirë; Pal Zefi, Skënder Daja, Hajri Pashaj dhe Dervish Bejko.

 MixCollage-03-Jul-2024-10-27-AM-9462

Më 23 qershor 2013, humbi zgjedhjet Partia Demokratike, proces më se normal në demokracinë që mëtojmë. Por më 23 tetor 2013, Drejtori i Përgjithshëm i Qeverisë rilindase, dërgoi urdhrin Nr. 2203, datë 23.10.2013, për; Lirimin nga detyra të një punonjësi policie. Pra Providenca Hyjnore, u pleks me Providencën rilindase neokomuniste dhe, pikërisht më 23 më zëvendësuan, as më pak e as më shumë, po me ish-operativin e Sigurimit të Burgut të Burrelit. Ku do kishte më domethënëse se kaq?! Ish-i burgosuri politik, zëvendësohet nga ish-persekutori!

Autori

                                                               SHKËLQIM ABAZI

                                                           Vijon nga numri kaluar

                                                                      R E P S I

                                                        (Kampi i punës së detyruar)

Memuaristikë

Do përpiqem të riprodhoj tregimin e Feritit, po pa përdorur zhargonin e tij të varfër e sidomos të turpshëm, ku në çdo dhjetë fjalë të dala nga goja e tij, pesë ishin sinonime që të kujtojnë organet gjenitale femërore dhe mashkullore apo të ngjashme me to.

“Më dëgjoni tani, bre shokë, t’ju tregoj historinë time” – ia nisi ai krye-varur. – Në fshatin ku kam lindur, na njohin si një nga familjet më të nderuara të zonës, të varfër vërtetë, po të respektuar. Kemi qenë shumë fëmijë, ia dilnim me zor të mbushnim barkun me bukë. Babai dhe vëllezërit e mëdhenj, robëroheshin nga mëngjesi në darkë, po toka aq jepte, kështu qysh i vogël e pashë se jeta ime s’duhej të rridhte në ato ujra, si e prindërve të mi. S’më pëlqente të punoja në bujqësi, apo të kullosja bagëtitë në mal, ja vara shkollës dhe përfundimisht, ika nga fshati që katërmbëdhjetë vjeç.

U sistemova në minierën e Alarupit. Si unë, atje kishte dhe të tjerë. T’ju them të drejtën edhe atje puna ishte e vështirë, se futeshe nëpër vrima i bardhë dhe dilje i zi. Po kishte edhe nga ata që s’dilnin më të gjallë, po i nxirrnin kufoma dhe i çonin xhenaze në shtëpi. E ndava mendjen, s’do punoja më në galeri. Mirëpo nga ana tjetër, doja të jetoja. Me dashje pa dashje, nisa zanatin e hajdutit. Në fillim me gjëra të vogla, si ndonjë bukë te furra e minierës, apo ushqime të tjera në magazinat ushqimore, po aty. Pa, po, xheku vidhja edhe ndonjë rrobë nëpër tela, se doja edhe të vishesha.

Rashë në sy, aq ishte fshati, bre, të gjithë e njihnin njeri tjetrin. Më zinin, më rrihnin, më mbanin nga një natë në polici dhe mbasi u jepja fjalën, se s’do ta përsërisja më, më kthenin në punë. Jua thashë, puna s’ishte për mua! Por doja të haja, bre! Besomëni, o burra, asnjëherë s’jam ngopur tamam! Edhe atëherë kur kam patur rast, të shtija në dorë ndonjë shumë të majme, s’kam arritur të ngopem. Nuk e kuptoj, po në bark më është gërryer një si shpellë, ç’them unë, një galeri, bre! Or, po një kuçedër! Dhe sado t’i fus, më tepër zgjerohet!

Kështu, duke u rritur duke u shqitur, u bëra usta në këtë zanat. Sapo mbusha të gjashtëmbëdhjetat, filluan burgjet; nga dy muaj e nga gjashtë muaj, pastaj nga një vit e përpjetë. Më iku gjysma e jetës burgjeve, hyr e dil. Meqë kam hyrë dhe dalë shumë herë, u bëra figurë e njohur në burgje, qoftë për policinë, qoftë edhe për të burgosurit ordinerë. Po, ju betohem, s’e doja komunizmin, pavarësisht se s’isha i dënuar për politikë. Por edhe atje kishte burra, paçka se pjesa më e madhe ishin vërtetë ordinerë, në kuptimin e gjerë të kësaj fjale: sepse i kishin dënuar për krime banale, si: vjedhje, pederasti, prostitucion, tregëtira të ndaluara, përdhunim, inceste brenda familjes, si me nënat, motrat, kunatat, vajzat, etj.

Me pak fjalë, njoha njerëz të mirë, hallexhinj, por pjesa dërmuese ishin poshtërsirat që përmenda. Kishin një farë urrejtje për ata që dënoheshin si armiq, sepse veten e shihnin si pjesë e pandashme të besnikëve të Partisë, pavarësisht se ishin burg jo më të mirët, mësova se kish njerëz që e urrenin Partinë e Punës, jo pse i dënonte njerëzit për krimet që përmenda më sipër, por se nuk i ndëshkonte këto krime dhe i stimulonte në rangjet e larta të pushtetit.

Nga lëvizjet e shpeshta nga njeri kamp në tjetrin, më qëlloi që në kaushin e burgut të Tiranës, të njihem me ca të dënuar politikë. Atë kohë bindjet e mia dhe urrejtja për komunistët u kristalizuan. Atyre politikanëve ua di për nder, që më ndriçuan mendimin. Nisa të reflektoja. Qysh nga ajo ditë, e ndava mendjen, të mos futesha më për krime ordinere. “Unë, në burg se në burg po e shkoj jetën, mendova, më mirë të jem për politikë, sepse jap edhe një dorë kundër komunizmit, që të them të drejtën e urrej vërtetë”.

Kjo është historia ime dhe pse përfundova këtu”.

Kur e pyetëm se për ç’arsye e urrente regjimin komunist, ai u përgjigj: “Ça mos t’iu urresh këtyre, or zotëri! Edhe ata që punojnë në minierë e në kooperativat bujqësore, nuk sigurojnë dot një jetë normale, jo më unë që s’e dua fare punën! Pastaj, pa hidh sytë rreth e rrotull, po gjete një femër për së mbari! Po të tëra me pantallona doku me arna e, me nga një shami aksioni në kokë. I keni parë si duken? Të gjitha njëlloj, si kinezet Eh!… Oj, moj nëna ime”! – hiqej si të ish futur në të thella. – Bota bën jetë ore, jetë! Ha e pi e bën pallë, e qejf, o qerrata! Kurse ne, u robëruam vetëm punë dhe aksione! E morët vesh nashti pse se dua komunizmin, unë”!?

Kur përfundoi ligjëratën, u mbush me frymë thellë, si të ishte në vizitë te mjeku. Kur e pyetëm se ku e kishte parë si jetonin jashtë shtetit dhe nëse i kishte shkuar ndonjëherë ndër mend të arratisej; ai përsëri me dorën mbështetur mbi ball, nxori një psherëtimë të zgjatur dhe u përgjigj:

“Hëm!… Or byrazer, a s’ju thashë se sa herë dilja nga burgu, unë rrija, dimrit në Poradec e në Tiranë, beharit në Durrës e Vlorë, se s’kisha shtëpi, rroja ndër shokë. Pse o, s’kam parë të huaj unë?! Të veshur e të mbathur për bukuri! Pa le, ato femrat nëpër plazhe! T’i pije në kupë, bre! – (me tre gishtat e dorës bëri shenjën e thithjes). – Kështu, i dija të tëra këto, por për t’u arratisur, drejt, s’më kish vajtur mendja. Ama, po dola prej këtu, do t’a shoh edhe atë punë! E morët vesh nashi që edhe unë s’i dua komunistët”!

Pyetjes se; për ç’farë e kishin dënuar për politikë, nuk i dha ndonjë përgjigje konkrete. Por ky prototip, gjithçka e lidhte me anët materiale dhe sidomos me të ngrënët. Pyetjes se përse vidhte, ai iu përgjigj sipas filozofisë tij pragmatiste: “Jo, or baba, unë nuk vjedh, po i marr! Atje ku marr unë, patjetër ka! Po të mos kishte, s’kisha ku të merrja! E para kjo, e dyta: pse, bre, unë s’dua të ha? Edhe unë kam bark që duhet mbushur, nga shtëpia s’më ndihmon njeri, kështu që çalltis vet, si të mundem. Jo, or xhanan, duhet t’i dal zot vetes! Këtë di të bëj më mirë, këtë bëj”!

Këto ishin pak a shumë, mendimet e kësaj qenieje të çekuilibruar. Urrejtja e tij për komunizmin ishte totalisht e kundërt me mentalitetin e pjesës dërrmuese të të dënuarve politikë që gjendeshin aty. Mbas disa muajsh, në revoltën e 21 majit 1973, Feriti u dënua përsëdyti. Tashmë i ndëshkuar si kundërshtar i regjimit, e thoshte me zë të lartë: “Jam politikan”! Filloj të merrte një pamje të rëndë, u bë më i heshtur; pra, fituan instinktet, për t’iu përshtatur njerëzve dhe ambientit.

Trilloi edhe një pseudo histori, për dënimin e parë; gjoja qe futur në burg, për tentativë arratisje, e tjera ndodhi fantastike, që vetëm mendja e tij mitomane mund t’i shpikte dhe që vetëm ai mund t’i besonte. Madje shumë vite më vonë, nëpërmjet miqve të mi, që dilnin nga burgu, mësova për një gjasme histori dashurie të Feritit, me një fshatarkën e tij, me të cilën paskërka dashur të arratisej nga Saranda dhe se ky, paskërka qenë shkaku i dënimit të tij të parë!

Këto legjenda ai i kish stisur vet.

Në rrjedhën e viteve, kish dëgjuar me qindra ngjarje të ngjashme, me topëzat standarde të prera nga këto tregime, kishte qepur sagën e vet. Për ne që e patën njohur kur e sollën së pari në Spaç, këto mbeten fantazi alla Ferit-lopa, ndërsa të mëvonshmit edhe mund ta besonin. Gjithsesi, Feriti mbeti Ferit; një individ me emër, po pa mbiemër, një rast unikal në historinë e burgjeve politikë.

Sidoqoftë nga bashkëjetesa e gjatë me të dënuarit politikë, përfitoi edhe disa veti humane, që do t’i manifestonte gjatë viteve të pafunda të dënimit të tij ekzemplar. Tani që hedh mbi letër këto kujtime, ndjej dhimbje për ç’ka përmenda, dhe meqë dua t’i qëndroj besnik së vërtetës, jam i detyruar t’i dëftej këto të meta. Por u detyrova të reflektoja. Mbështetur në tregimet e miqve të mi që vazhduan të vuanin dënimin edhe vite më pas, mësova gjëra të reja.

Një gjest human, i papreçedent, i Ferit Lopës në biruca, më bëri përshtypje të veçantë. Në një moment urie ekstreme, (dua të theksoj se ai ishte përherë i uritur), mbasi kishte gllabëruar tërë gurët e shahut prej tuli buke, që të izoluarit kishin sajuar ilegalisht, për të shtyrë kohën; ai, kish veçuar mënjanë një oficer. Mbas presionit që i bënë bashkëvuajtësit në qeli, kur s’i gjetën gurët prej tuli, ai kish pranuar se i kish ngrënë, nën ngasjen për të shuar urinë.

Kur i kish tundur para sysh oficerin e mbetur, që e gjetën të fshehur në një cep; ai ua kish kthyer: “Të tridhjetë e një figurat, i strehova në shpellën time dhe i kish rënë barkut me dorë, kurse këtë oficerin e lashë, se më shëmbëlleu me Markun. Në respekt të aq të mirave që ka bërë për ne të burgosurit, e hoqa mënjanë, ta shpëtoja prej grykësisë sime”!

Pra në shpirtin e këtij makuti, nisi të bulëzojë ndjenja e respektit dhe mirënjohjes. Natyrisht, për ç’rrëfeva më sipër, i përkasin etapës kur Ferit Lopa, sapo kish nisur serinë e dytë të dënimeve, atë politike, që përkon me realitetin e atyre viteve. Më vonë, si kafsha që i kondicionohet vendit edhe ai iu përshtat rrethanave. Mbase ndryshoi edhe sjellje, por kjo i përket një periudhe tjetër, që s’ka lidhje me kohën për të cilën po flas.

Infermieria

(edhe në FERR, sheh dritë!)

“Ku të jem këtu? Ç’të jenë këto hije të bardha që më lëvrijnë rrotull? Nuk perceptoja dot ku ndodhesha, arsyeja kishte prekur tabanin.

Vagullt si nëpër mjegull, shquaja ca silueta njerëzore por s’dalloja dot asnjë fytyrë. Dëgjoja zhurmërima, pa shkoqitur ç’thoshnin. Herë-here ca duart të padukshme më kthenin në krahë dhe një si pickim grerëzash më gixiloste, sakaq zhytesha sërish në eter. Para më për-shfaqeshin lëndina të lulëzuara dhe bahçe plotë gjelbërim, me zogj që cicërinin e flutura shumëngjyrëshe, me kafshë që harbonin dhe fëmijë të gëzuar, që vraponin e lodronin pas tyre.

Bukuri përrallore, parajsë e vërtetë! Besoja se po jetoja një realitet brilant, brenda një irealiteti të pakonceptueshëm. Shpresoja t’i gëzohesha sa më gjatë këtij irealiteti. Nëse vdekja do kish ngjyrimet e edenit, si ato që përjetoja ato çast, do t’i qepesha pa droje Cerberit e s’do t’i shqitesha më! Sa të bukua dhe atraktivë ato iluzione! S’di sa zgjati, veçse dikur vegimet m’u shprishën, një tufan i furishëm i rrëmbeu me forcë dhe u shembën, si ajo pema që vidhiset nga rrënjët.

Ndjeva të më thirrnin në emër. Njoha zërin e tim eti. Ashtu i shpërqendruar, shqeva sytë. Ajgëtova rreth e rreth për njeriun e dashur, po syri s’po ma zinte gjëkundi. U zgjata dhe u zgjata, sërish asgjë. Pa koshiencë isha çuar përgjysmë. Ajo formë vegimi e atit të dashur, më kish risjell së dyti në jetë. U plasa i këputur, sërishmi mbi shtrat. Sforcimi më kish lodhur por më kish shpëtuar jetën. E madhja kish kaluar, jeta triumfoi. Mjeku dhe infermieri vazhdonin të më injektonin serum; tashmë i ndjeja aget kur më shponin mishin. Ndjesia e dhimbjes më pikonte në zemër, por isha i pafuqishëm të urdhëroja gjymtyrët.

Hapa gojën të flisja, po zëri ngeci diku nga fundi i gurmazit, fyti ish tharë krejtësisht e më jepte ndjesinë e një djegësire që zbriste deri në thellësi të barkut. “Pusho, mos fol”! – urdhëroi, ai që duhej të ish mjeku. Hije e bardha vozitnin rreth shtratit ku dergjesha. Sakaq, një fytyrë e njohur u përkul mbi mua. S’po më binte në hatër kush ishte, po isha në gjendje të dalloja tiparet e para diku. Po se ku? S’isha i aftë t’a përcaktoja saktësisht. “Po ç’ish kjo hata, bre? Po, ky qe mirë, mo”! – dëgjova të shqiptonte. Kur folësi fliste, i vinte përqark shtratit duke u çapitur me tempin e kërcimtari, m’u kujtua: Emini, topalli i magazinës së veshmbathjes.

“Hm ishe mirë, bre! – vazhdoi monologun topalli, duke rendur pa përtim nga njëra anë në tjetrën. – Hajd, bre, mos u merakos, ja hodhe! I di mirë ç’punëra, dy herë më ka ardhur rrotull mua, ama të dyja herët, e shpura tutje! Edhe ti je i ri, do t’ia hedhësh”!  I fliste Emini i mirë dhe çdo fjalë e shoqëronte me gjeste duarsh dhe këmbësh:

“Doktor Naimin e kemi xhanan, do bëj gjithçka ky, e njoh mirë unë Naimin doktor? Po, po, edhe Dilon e ke gjysmë patriot, që e ka gruan nga Berati ky, ore! Do të gjendet me ndonjë ilaç më shumë! “Lëreni të qetë”! – urdhëroi mjeku, një burrë rreth të dyzetave, me një fytyrë simpatike ose kështu m’u fiksua mua, ngaqë po kujdesej për shëndetin tim. – “Ky ka nevojë për lëngje, përgatiti pak çaj”! – iu drejtua tjetrit me bluzë të bardhë, që duhej të ishte ndihmësi.

Pak çaste më vonë, infermieri më futi në gojë një kallam në formë pipthi, skajin tjetër e kishte zhytur në një sapllake alumini. “Thithe”! – urdhëroi mjeku. Thitha me sa munda. Goja m’u mbush me lëng të ngrohtë e të ëmbël, por fyti më dogji jashtë mase. “Kapërdije tani”! – urdhëroi prapë mjeku. E kapërceva gllënjkën e parë me vështirësi, të dytën dhe të tretën, pak më lehtë, deri sa e mbarova.

“Tani, kujto gjëra të bukura”! – dhe u largua te shtrati tjetër. Vazhdoja të isha as zgjuar, as në gjumë. Dikur hapa paksa qepallat, po shikimin m’u terr, vëreja hijet që vinin vërdallë, qëndronin paksa mbi mua, diç flisnin mbyturazi e largoheshin më tej, mandej ca hije të tjera i zëvendësonin. Pastaj e humba toruan, sytë m’u bjerrën. Me ç’më rrëfenin më pas, më kishin hedhur kloropomizinë në çajin që piva pak më herët. S’e kujtoj dot sa zgjati, po kur u zgjova ndihesha më mirë. Ndonëse kokën e kisha ende të rëndë, shihja më pastër dhe dëgjoja më qartë.

Zgjata qafën, numërova të shtruarit në dhomë. Veç meje edhe katër të tjerë; tre të moshuar dhe një i ri, që ish i fashuar thuajse në gjithë trupin. Mjeku, kur pa se lëviza, m’u drejtua me një shiringë. Pa thënë asgjë, me ngriti mëngën, lidhi një llastik në pjesën e muskulit dhe zhyti në damarin e fryrë agen, e zgjidhi llastikun dhe shtyu pistonin. Ilaçi nisi udhëtimin brenda venave. Mbasi hoqi shiringën m’u kthye: “Ndihesh më mirë, besoj! Nesër do gdhihesh qiqër! – shtoi buzagaz- sidoqoftë këtu do jem, do të mbaj nën kontroll”.

“Falemnderit”! – belbëzova dobët. Ai shkoi te tavolina, diç shkroi mbi një regjistër dhe m’u qas: “S’e di kush je e nga je por, po pate mundësi, kërkoj familjes të të sjellin një kurë vitamina B-12”. “Sapo kam mbërritur, ende s’kam kontakte me familjarët”. “Ah-ah! Hëm”! – nisi të më bënte pyetje, jo nga isha, jo përse më kishin dënuar, etj. Mbasi priti përgjigjet, shtoi:

“Dëgjo, o djalë, meqë qenke i ri dhe ende s’paske vendosur lidhje, po të huaj unë një kurë multi vitaminash. – heshti pak sekonda. – Ama, me kusht që të m’i kthesh, kur t’i sjellin të afërmit, se s’janë të mijat. Do t’ua lypë te të tjerëve, t’i bëj ty”. I premtova se do t’ia ktheja, sa më shpejtë të ish e mundur. Kështu, qysh atë ditë u bëra pacient i doktor Naimit.

Naim Çitozi nga Kruja, s’ishte tamam mjek, ngaqë e kishin arrestuar e dënuar, pa e mbyllur ciklin e plotë të studimeve në Fakultetin e Mjekësisë. Por me një vullnet të jashtëzakonshëm dhe dëshirën për t’iu shërbyer bashkëvuajtësve në nevojë, ish shndërruar në mjek e kaluar mjekut. Përvojën e fituar në auditorë, plus manualet mjekësorë që shfletonte pareshtur; e kishin aftësuar deri në perfeksion.

Gjithë dijet, i vinte në shërbim të çdo të sëmuri, pa dallim. Të gjithë i besonin aftësive të tij profesionale, jo vetëm të dënuarit që shihnin te ai mjekun humanist e të papërtuar, po edhe specialistët, në spitalin e burgut në Tiranë. Kushdo të paraqitej pranë tyre, me rekomandimin e doktorit, askush s’e vinte në diskutim, diagnozën e përcaktuar prej tij.

Edhe pse në infermieri nuk dispononte aparatura për vizita të specializuara, fal eksperiencës së fituar dhe studimeve të pandërprera, plus aftësive të veçanta intelektuale, Naimi nuk gabonte. Shumë të dënuar dhe familjarët të tyre, duhet t’i jenë mirënjohës doktor Çitozit, ngaqë në sajë të përkushtimit dhe zotësisë së këtij gjysëm mjeku, që kur i mungonin ilaçet, i shëronte të sëmurët me fjalën e tij të ngrohtë e bindëse, arritën të dilnin gjallë nga ajo skëterrë. Edhe unë ia di për nder doktorit, për përkujdesin e dashamirësinë me të cilën m’u përkushtua ato ditë dhe më pas, kur do më ndëshkonin me dënime në birucat e kampit. Me Naimin u miqësova shpejtë.

Qysh herët, shquava humanizmi që dominonte karakterin e tij, kjo veti e bënte të veçantë nga tërë mjekët e tjerë, që kam njohur në vitet e burgut e më vonë. Ai sakrifikonte deri në vetëmohim, ish i gjindshëm dhe këmbëngulës në shërbim të jetës, saqë shpesh vinte në rrezik edhe veten. Nëse sot ne të mbijetuarit e sistemit komunist, mund të mburremi me veprën madhore, të rrallë dhe unikale në llojin e vet, të At Zef Pllumit, meritë të padiskutueshme, veç Hirit të Zotit, ka doktor Çitozi, që me shpirtin e sakrificës, eksperiencën, përkushtimin, guximin për t’iu kundërvënë drejtuesve injorantë të komandës së kampit të Repsit e, sidomos me besimin që kish krijuar për aftësitë në përcaktimin e pagabueshëm të diagnozave, arriti t’a shpëtonte nga thonjtë e sigurt të vdekjes, më 1970.

Po, Naimi ishte mjek në tërë kuptimin e kësaj fjale. Triumfin e jetës mbi vdekjen e konsideronte detyrë primare të çdo i mjeku. Vizitonte me të njëjtin përkushtim, të dënuarit, policët dhe banorët e zonës. Natyrisht, bëj fjalë për familjarë e të afërm të policëve të kampit, që mund të futeshin aty dhe që ai i vizitonte pa dallim. I shquar për erudicionin dhe anti-komunizmin gëzonte besimin e të gjithëve. Një ditë bëra shaka:

“Doktor, po sikur të bënte vaki, të kërkonin të vizitoje udhëheqësin e madh apo hetuesin, prokurorin, kryetarin e gjyqit, etj., që të kanë bërë akt-akuzën, etj., si do veproje? Prisja të më thosh se; do t’iu përcaktonte diagnozë të gabuar dhe se do t’iu rekomandonte ilaçe të gabuara apo së paku, do refuzonte t’i prekte. Por përgjigja e tij më shtangu:

“Dëgjo, or djalë! S’besoj të ketë ndonjë nga ata që më njohin, që të vëj në diskutim antikomunizmin tim, por unë jam mjek dhe mjeku shihet si apostull, nga ana e pacientit. Normalisht, çdo mjek ka bërë betimin e hipokratit. E pra, gjithsecili që është falur atij shenjti, do donte ta zbatonte sa më mirë në praktikë këtë betim. Pra, mbetet që një mjek që zgjedh politikën para pacientit, s’mund të jetë më mjek, pa më përjashtuar edhe mua. Si mjek, do t’i shëroja njëherë dhe pastaj, nëse do të më kërkohej, do t’iu jepja ndëshkimin ligjor më maksimal, për krimet që kanë kryer”.

Ky ishte Çitozi mjek, kurse antikomunisti Naim, mbeti i tillë, për sa kohë e njoha. Kalova edhe një ditë tjetër, në infermierinë e kampit. Gjatë atyre tri ditëve, kisha përshkuar vrimën e gjilpërës, kisha shpëtuar nga kthetrat e vdekjes. Memorie.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura