Shpifja mbetet vepër penale

Feb 21, 2012 | 12:20
SHPËRNDAJE

Komisioni i Ligjeve

PD dhe PS miratojnë ndryshimet në Kodin Penal. Shpifja dhe fyerja do të qëndrojnë në Kod.

Hiqet dënimi me burg, gjobë 50 mijë deri 3 milionë.

Shpifja dhe fyerja do të vazhdojnë të qëndrojnë në Kodin Penal, por duke hequr dënimin me burg. Partia Demokratike dhe Partia Socialiste arritën dje konsensusin për 25 propozime të qeverisë në ligjin me shumicë të cilësuar. Pika më e debatueshme ishte për dy nenet 119 dhe 120 që ka të bëjnë me shpifjen dhe fyerjen. Fillimisht maxhoranca kërkonte që këto vepra të hiqeshin nga Kodi Penal dhe të parashikohen vetëm në Kodin Civil, ndërsa opozita kërkonte që ato që vazhdonin në Kodin Penal, por të hiqej dënimi me burg. Me propozim të relatores Ermonela Felaj, u ra dakord që të hiqej dënimi me burg për këto dy vepra, por duke rishikuar masën e gjobës. “Fyerja e qëllimshme e personit përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë nga 50 mijë gjer në 1 milion. Po kjo vepër, kur kryhet botërisht, në dëm të disa personave ose më shumë se një herë, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë nga 50 mijë gjer në 3 milionë”, thuhet në nenin 119 të Kodit. Ndërkohë, shpifja do të ketë një gjobë paksa më të lartë. “Përhapja e qëllimshme e thënieve, si dhe çdo informacion tjetër që dihet se janë të rreme, që cenojnë nderin dhe dinjitetin e personit, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë nga 50 mijë gjer në 150 mijë lekë. Po kjo vepër, kur kryhet botërisht, në dëm të disa personave ose më shumë se një herë, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë nga 50 mijë gjer në 3 milionë lekë”. Me variantin e parë, masa e gjobës ishte e pacaktuar. Maxhoranca dhe opozita ranë dakord që të hiqen nga Kodi Penal veprat ‘shpifje për shkak të detyrës’, ‘fyerje për shkak të detyrës’, si dhe ‘shpifja ndaj Presidentit të Republikës’. Konsensusi i arritur dje ishte vetëm gjysma e rrugës për Komisionin e Ligjeve, për shkak se në mbledhjen e sotme pritet të diskutohen ndryshimet e propozuara nga Partia Socialiste, ku jo të gjitha janë të pranueshme për maxhorancën.

Ndryshimet në Kodin Penal
Neni 119 ishte

Fyerja
Fyerja e qëllimshme e personit përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në gjashtë muaj. Po kjo vepër, kur kryhet botërisht, në dëm të disa personave ose më shumë se një herë, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit.
Neni 119 bëhet
Fyerja
Fyerja e qëllimshme e personit përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë nga 50 mijë gjer në 1 milion. Po kjo vepër, kur kryhet botërisht, në dëm të disa personave ose më shumë se një herë, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë nga 50 mijë gjer në 3 milionë.
Neni 120 ishte
Shpifja
Përhapja e qëllimshme e thënieve, si dhe çdo informacion tjetër që dihet se janë të rreme, që cenojnë nderin dhe dinjitetin e personit, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit. Po kjo vepër, kur kryhet botërisht, në dëm të disa personave ose më shumë se një herë, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.
Neni 120 bëhet
Shpifja
Përhapja e qëllimshme e thënieve, si dhe çdo informacion tjetër që dihet se janë të rreme, që cenojnë nderin dhe dinjitetin e personit, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë nga 50 mijë gjer në 150 mijë lekë. Po kjo vepër, kur kryhet botërisht, në dëm të disa personave ose më shumë se një herë, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë nga 50 mijë gjer në 3 milionë lekë.

Falsifikimi me pensionet
Në ndryshimet në Kodin Penal do të sanksionohen gjer në shtatë vjet burg ata që falsifikojnë dokumentet me qëllim marrjen e pensionit. “Dhënia në kundërshtim me ligjin e pensioneve ose e të ardhurave të tjera nga sigurimet shoqërore prej punonjësit që ka detyrë t’i japë ato, dënohet me burgim nga 6 muaj gjer në 7 vjet dhe me gjobë nga 300 mijë gjer në 1 milion lekë”, thuhet në nenit 248/a.

Fyerja ndaj gjyqtarit
“Fyerja e gjyqtarit apo anëtarëve të trupit gjykues, prokurorit, avokatit ose çdo arbitri të caktuar për një çështje për shkak të veprimtarisë së tyre, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre muaj”, thuhet në ndryshimet e nenit 318 të Kodit Penal. Deri tani, dënimi për këtë vepër penale ishte gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.

ADI SHKEMBI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura