Puna artistike në tezgjah nis me qilimat e dedikuar për eksportin gjatë viteve të socializmit, një sektor special ku punimet më cilësore dilnin jashtë vendit në formë dhuratash, ose porosish të veçanta për shtetet e huaja. Sot, ajo realizon qilima me motive tradicionale, madje edhe patriotike. Nga figurat e Ismail Qemalit e Isa Boletinit, te harta e Shqipërisë etnike, gjithfarësoj modele qilimash dalin nga duart e saj
Në një kohë kur tapetet e importit janë blerja e parë e zonjave të shtëpisë, duket si demode dëshira për t’iu rikthyer të vjetrës, që me gjasë ka zënë pluhur në ndonjë sënduk, ku gjyshet janë munduar t’i ruajnë brez pas brezi, si diçka të rrallë, që koha nuk ja zbeh vlerat. Thuajse në çdo shtëpi shqiptare ka një të tillë… Qilim me motive tradicionale, i punuar në mënyrë artizanale në punishtet e kohës së socializmit, ku në pjesën dërrmuese të rasteve modelin e propozonte vetë punëtorja, në mungesë të larmishmërisë e katalogjeve të gatshme. Në ditët e sotme, duket se njerëzit po i kthehen të vjetrës, pikërisht qilimave të ngjashëm që i përkasin një ere të shkuar. Kërkesat më të shumta vijnë nga emigrantët, të cilët sa herë gjenden në vendin tonë, tentojnë të marrin një “copëz Shqipërie” me vete. Dhe qilimat e punuar në tezgjah janë një formë e gjetur, e menduar për përdorim personal në banesat e tyre, ose edhe si dhuratë për të huajt me të cilët frekuentohen. Shpresa Dahri bën prej vitesh të njëjtën punë, atë të krijimit të modeleve të ndryshme dhe interesante të qilimave tradicionalë, angazhim të cilin e kryen në shtëpi si nevojë për të sjellë të ardhura në familje, sidomos pas mbylljes së ndërmarrjeve në vitin 1991. E veçanta e krijimeve të saj janë detajet. Figurat historike dhe ato me motive patriotike janë vetëm një formë e punës së Shpresës, ndërsa shpesh krijimet i përshtaten edhe shijeve të klientëve, të cilët i realizojnë qilimat me porosi të veçanta. Festat e fundvitit, shënuan edhe pikën kulminante të shitjeve, ku sipas Shpresës një pjesë dërrmuese e emigrantëve që kishin mbërritur në vend për të festuar festat, blen edhe qilima të punuar nga duart e saj, për t’i marrë me vete në shtetet ku ata jetojnë e punojnë…
Nga qilimat specialë në socializëm, te portretet historike
Për punën e dorës kish shfaqur dhunti qysh e vogël, me ato punët e dorës që ia rrëmbente nënës apo gjyshes nga duart. Ajo që vite më pas do të ishte zanati i parë dhe ai i preferuari i Shpresa Dahrit, punonjëses së tezgjahut që realizon qilima me motive tradicionale. Në kohët e sotme mund të duken edhe si të dala mode, e që me siguri kanë zënë ndonjë cep të padukshëm të shtëpisë, por me sa duket, referuar edhe kërkesave të klientëve të Shpresës, ka ardhur koha që t’i nxirrni nga sëndukët për t’i përdorur gjerësisht në ambientet e kuzhinës, e holleve të shtëpisë. Të punuarit në tezgjah të modeleve të ndryshme të qilimave kërkon një sy artistik të sprovuar me teknikat dhe detajet që përfshihen në secilën punë. “Gjatë procesit duhet të kesh synimin për të nxjerrë diçka të bukur, të fortë dhe cilësore. Duhet që të punojë syri artistik që të ndjesh kënaqësi për atë që ke punuar. Mendoj se qilimi ka të veçantën e vet në momentin kur shtrohet. Sigurisht, që edhe me shekuj të qëndrojë, kur e shtron shpalos gjithë veçantinë dhe bukurinë, të cilat duken më shumë në kombinimin e ngjyrave, në mënyrën e ndërthurjes së modelit, ngjeshja e punës, e cila është shumë e rëndësishme për jetëgjatësinë e qilimit, tendosja e tij etj. Pra, të kesh një qilim në shtëpinë tënde është detaji që i jep diçka speciale arredimit të shtëpisë, bashkë me vlerat e kulturës, asaj tradicionale të origjinës së gjithëkujt”, thotë Dahri. Punimet me modelet speciale janë lëvruar herët, sidomos përgjatë viteve të sistemit socialist, ku e punësuar në sektorin e dedikuar për eksportin, Shpresa ishte çdo ditë në garë me imagjinatën në drejtim të prodhimit të qilimave më të veçantë, me motivet më të palëvruara në shtëpitë e shqiptarëve, dhe kjo pasi një pjesë e porosive ishin të destinuara për dhurata për ish-liderët socialistë të shteteve të huaja fqinje, por kishte mes tyre edhe porosi speciale. Për Shpresën, jo gjithmonë ka qenë një punë e lehtë, pa presione të jashtme, sidomos kur klientët ishin të kësaj sëre. “Ishte e vështirë të spikasje me modelet e qilimave të gatshëm për eksport, sepse detajet shiheshin me lupë, mirëpo kjo më ndihmoi që të përvetësoja shumë teknika të reja të të punuarit në tezgjah. Më pas, me mbylljen e ndërmarrjeve, u detyrova të punoja në shtëpi, sepse kisha katër fëmijë për të rritur. Emri u krijua dhe klientët u shtuan me kalimin e viteve dhe të them të drejtën, sot qilimat i konsiderojnë si diçka të bukur e me vlerë. Është një kompletim i bukur, që jepet edhe në pajën e vajzave që martohen, ku aty përfshihet qilimi bashkë me rrugicat e veta”, vijon ajo. Por, detajet më të veçanta në krijimet artizanale të Shpresës janë pikërisht figurat historike, të cilat punohen në tezgjah për të zënë sipërfaqen e qilimit. Nga Ismail Qemali tek Isa Boletini, firmëtarët e Pavarësisë, por edhe harta e Shqipërisë etnike, të gjithë këta elementë janë pjesë e punës së përditshme të Shpresa Dahrit, e cila realizon sipas porosive të ndryshme të klientëve gjithfarëlloj qilimash tradicionalë.
Kërkesat në rritje të emigrantëve shqiptarë
Festat e fundvitit, si dhe muajt e pushimeve verore shënojnë kulminacionin e punës së saj, si pasojë e shtimit në numër të kërkesave të klientëve emigrantë që duan të marrin pas një “copëz Shqipërie” në shtetet e huaja ku jetojnë. “Porositë janë nga të gjitha llojet. Mund të them se përveç porosive brenda vendit për pajë, për shtëpitë e reja dhe për sallonet e mëdha, kam pasur shumë kërkesa nga njerëz që vinin nga shtete të huaja, si Gjermania, Italia, Norvegjia, Greqia etj. Kërkesat e tyre për qilima për shtëpitë vijnë si dëshmi e kulturës shqiptare sa i përket artizanatit të punimit të qilimave dhe këtë detaj ata duan ta ndajnë edhe me të huajt e njerëzit me të cilët i lidh jeta kudo nëpër shtetet e botës ku janë shpërndarë”, përfundon Shpresa.
ERMIRA ISUFAJ
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al