Shqipëri 1949: Plani i CIA për operacionet nga Italia dhe Greqia

Dec 30, 2012 | 10:33
SHPËRNDAJE
Enver Hoxha në vitet e para pas Çlirimit

Dokument i Shërbimit të Fshehtë Amerikan i vitit 1949.

Plani i CIA-s për operacione kundër Shqipërisë nga Italia dhe Greqia.

“Grupi i parë me Alush Lleshanakun dhe Xhevdet Blloshmin parashutoi në territorin shqiptar më 15 shkurt 1949”

ADSO
3 maj 1949
Nga: Shefi i FBP (emri i fshirë)
Subjekti: Operacione zbulimi kundër Shqipërisë nga Italia dhe Greqia
Dega e Jashtme për momentin është e angazhuar në dy operacione zbulimi të drejtuara kundër Shqipërisë dhe do të zbatojë edhe një operacion të tretë në qershor. Detajet e këtyre operacioneve janë si më poshtë:
1.    Bashkërendimi i operacionit me Zbulimin Naval Italian në infiltrimin e grupeve të zbulimit në Shqipëri nga ajri.
2.    Organizata jonë u kontaktua nga Zbulimi Naval Italian në pranverën e vitit 1948, me një propozim për të organizuar një operacion zbulimi të përbashkët kundër Shqipërisë. Në korrik të vitit 1948, aprovimi final iu dha OSO-së për angazhimin e saj në këto lloj operacionesh. Ky angazhim konsistonte edhe në dhënien për operacionin të një avioni C-47, për t’u përdorur në hedhjen e agjentëve nga ajri, si dhe të materialeve dhe të pajisjeve të tjera. Një oficer i zbulimit të Inteligjencës Navale të Flotës Italiane, si dhe një oficer i Zbulimit të OSO-se u caktuan për të koordinuar operacionet
3.    Një avion C-47 u dha prej nesh në tetor, i cili bashkë me materiale të tjera për operacionet u morën në Zvicër dhe Gjermani. Komunikimi me radio u bë i mundur nga një bazë në Itali.
4.    Anëtarët e misionit u rekrutuan nga kampet e refugjatëve në Itali dhe në Greqi, me përjashtim të një anëtari, të cilin OSO-ja bëri të mundur që ta transferonte nga Gjermania. Agjentët e dërguar prej nesh në Shqipëri do të kontaktojnë liderët e lëvizjes klandestine të identifikuar nga dy Memo, të përgatitura nga OPC më 18 janar dhe 15 mars (kopjet e bashkangjitura.) Të gjithë anëtarët e misionit janë kontrolluar nga OSO-ja për ndonjë informatë negative për ta. Shqiptarët e përfshirë janë përzgjedhur për arsye të lidhjeve të tyre familjare, si dhe për familjarizimin e tyre me zonat e Elbasanit dhe të Mirditës në Shqipërinë e Mesme, zona ku ka pasur informacione se ka grupe rezistence kundër regjimit. Agjentë katolikë dhe myslimanë janë përfshirë në këto grupe. Lideri shqiptar, i cili ka bashkëpunuar me Zbulimin Italian dhe OSO-në në përgatitjen e këtij operacioni, është Ismail Vërlaci.
5.    Objektivi afatshkurtër i këtij operacioni është infiltrimi  i agjentëve të pajisur me radio-transmetuese, si dhe vendosja e kontakteve me liderë lokalë të rezistencës, me qëllim mbledhjen e informacioneve inteligjente. Grupit të radio-ndërlidhësve u është dhënë detyrë për të parë situatën lokale, të stabilizojnë një bazë të përhershme komunikimi, si dhe organizimin e kushteve për pritjen e materialeve të operacioneve, si dhe personelit që do të dërgohet më vonë. Objektiva specifike u dhanë direkt nga Uashingtoni, duke përfshirë informacion mbi grupet e rezistencës, situata politike, instalacionet e mbrojtjes ushtarake, si dhe urdhrat ushtarakë.
6.    Ky plan hyri në fazën operacionale më 15 shkurt 1949, kur 4 agjentë, të ndarë në dy grupe, të pajisur me radio-transmetuese, u hodhën me parashutë, në kushte atmosferike optimale ne zonën e Serrishtës në Mirditë. Agjentët e mëposhtëm u hodhën me parashutë:
Grupi i parë   
Alush Lleshanaku, Xhevdet Blloshmi
7.    Grupi i dytë
Ndue Gjonmarkaj, Ndue Mëlyshi
Shyqyri Biçaku dhe Kol Cuni, të cilët janë përgatitur si ekip rezervë, janë për momentin në pritje për arsye shëndetësore.
Deri më tani nuk kemi asnjë komunikim me radio me të dyja grupet e para. Një fluturim rikonicioni u krye mbi Shqipëri në kushte atmosferike optimale, por asnjë sinjal nga toka nuk u lokalizua në zonat e paracaktuara për takimin e planifikuar.
8.    Më 24 prill, Ismail Vërlaci mori një radiogram komercial  nga Kosturi, i firmosur nga LLESHANAKU, i cili theksonte se ai dhe BLLOSHMI kishin arritur në Kostur. Më 28 prill, një tjetër radiogram dërguar Ismail Vërlacit njoftonte se të dy individët kishin mbërritur në Athinë. Oficeri ynë (emri i fshirë) u instruktua të kontaktonte këta individë për të filluar intervistën me ta.
PLANI II
Një plan tërësisht i veçante është aktualisht duke u përfunduar në Itali dhe faza operacionale pritet të fillojë në muajin qershor. Në momentin aktual këta agjentë, të cilët mendojmë se do të parashutohen në Shqipëri, nuk kanë asnjë potencial propagandistik apo operacional. Nëse në të ardhmen këto potenciale do të zhvillohen, OPC do të informohet menjëherë.
PLAN III
Ky operacion i aprovuar më 1 mars 1949 përfshin personel nga  organizata KEVA, organizata më e madhe e refugjatëve grekë nga Shqipëria e Jugut (e njohur si Epiri i Veriut), të cilët do të mbledhin inteligjencë. Agjentët nga kjo organizatë janë Stefanos VENAKIDES, sekretar i KEVAS, si dhe punonjës i Bankës Kombëtare të Greqisë dhe Nikolaos PANGO, mjek dhe zv.president i KEVA-s. Këta dy individë kanë disa kohë që janë të përfshirë në dërgimin e agjentëve në Shqipërinë e Jugut. Ata raportojnë se kanë 18 agjentë aktivë në zonën e qyteteve të Gjirokastrës, Vlorës, Përmetit, Leskovikut, Himarës dhe Korçës. Për momentin, 15 korrierë janë në dispozicion për kalimin e kufirit dhe dërgimin e informacionit. Lista me 27 agjentë të përfshirë në operacione spiunazhi të KEVA-s, me informacionin përkatës të punës dhe banimit, i është bashkangjitur këtij raporti.
9-Objektivat e këtij operacioni janë mbledhja e inteligjencës dhe organizimi i rezistencës në Shqipërinë e Jugut. Po ashtu, mbledhja e inteligjencës në programet dhe planet, informacione për punime në portet dhe aeroportet shqiptare, si dhe natyrën e ndihmës së shqiptarëve për guerilet greke, si dhe urdhrin e betejës në rast lufte. Korrierët do të dërgohen përtej kufirit shqiptar, për të iniciuar rrjetin e agjenturës brenda Shqipërisë për të arritur këto objektiva. E gjithë lista e agjentëve, korrierë, si dhe agjentët potencialë, janë kontrolluar nga OSO për informacione negative.
10-Ky operacion është aktualisht në fazën e fillimit. Zyra Qendrore është në Athinë, por është planifikuar një bazë e avancuar në Janinë. Mendojmë se grupi i parë i korrierëve, të cilët do të operojnë nën kontrollin dhe direktivat tona, do të fillojnë operacionin brenda 6 javëve. 5 ekipe radio-operatorë janë duke u trajnuar në Greqi. Komunikimi me radio do të stabilizohet sa më shpejt të jetë e mundur në bazën tonë në Greqi. Ndërkohë, nga dy individët e organizatës së KEVA-s janë marrë disa raporte me interes operacional. Mendojmë se këto informacione do të përmirësohen si në kualitet, por edhe në sasi, kur prezenca jonë do të ndihet në drejtimin e tyre.
Bashkangjitur
Memo  18 janar
Memo 15 mars
Lista e agjenturës  dhe korrierëve të  KEVA-s

Faksimile e dokumentit të CIA-s me 3 plane për operacionet e zbulimit

KEVA, çerdhe e spiunazhit antishqiptar

Enigma dhe dyshime mbi rolin e Ismail Vërlacit në misionet sekrete amerikane në Shqipëri.

Alush Leshanaku

Organizata helene mban lidhje edhe sot me politikanë të Tiranës
Dokumenti i sotëm, i ardhur nga arkivi i deklasifikuar amerikan, sjell sot për lexuesin një sërë faktesh interesante për operacionet klandestine BGFIEND. Nga ky dokument mësojmë për herë të parë se jo vetëm organizata klandestine OPC, pararendësja e CIA-s, organizonte misione sekrete kundër Shqipërisë, por edhe disa organizata zbulimi sekrete amerikane kishin operacionet e tyre kundër Shqipërisë. Kështu, në këtë dokument kemi një raport të shkurtër, por shumë interesant të OSO një tjetër organizatë klandestine, e cila funksiononte paralel me OPC, e drejtuar nga Frank Wisner Sr. Në këtë dokument mësojmë se OSO, në bashkëpunim me Shërbimin Sekret Naval Italian, kishin ndërmarrë një prej operacioneve sekrete kundër regjimit komunist shqiptar. Është interesant fakti që Shërbimi Italian, menjëherë pas Luftës ka filluar operacione zbulimi në Shqipëri me sa duket për të rifituar terrenin e humbur mbas kapitullimit të ushtrisë fashiste në 1943.
Operacioni italo-amerikan, i konceptuar diku në mesin e vitit 1948, operonte në zonat e Elbasanit dhe Mirditës dhe me sa duket ka qenë operacioni i cili ka financuar “Komitetin e Maleve”, një prej organizatave anti-komuniste me të njohura në Shqipëri. Nga historianët e huaj, të cilët kanë shkruar mbi operacionet sekrete të CIA-s gjatë luftës së ftohtë, operacioni i konceptuar nga Shërbimi Inteligjent Naval Italian, në bashkëpunim me OSO-në mbahet si një prej  operacioneve më të suksesshme të shërbimeve inteligjente. “Komiteti i Maleve”, i cili krijoi jo pak problem për Shërbimin Sekret Shqiptar, duke bërë edhe disa vrasje politike, tërhoqi vëmendjen jo vetëm të zyrtarëve të Zbulimit amerikan, por edhe të medias amerikane. Gazeta prestigjioze, New York Times, botoi një artikull mbi vrasjen e Bardhok Bibës, duke e përshkruar këtë vrasje si një shenjë të qartë të rebelimit anti-komunist shqiptar. Por, dokumenti i botuar sot, i hartuar nga oficerët e OSO-së, hedh disa dyshime mbi vërtetësinë e suksesit të këtij operacioni. Ky dyshim lidhet me emrin e Ismail Vërlacit, djalit të ish-kryeministrit të famshëm shqiptar, Shefqet Vërlaci. Ismail Vërlaci, sipas këtij dokumenti, është personi kryesor shqiptar i ngarkuar me rekrutimin e agjentëve shqiptarë. Lleshanaku dhe Blloshmi, dy emra të njohur në krahinën e Elbasanit, me sa duket janë përzgjedhur nga Vërlaci për këto operacione sekrete. Por, emri i Ismail Vërlacit nuk ishte i panjohur për Shërbimin Sekret Shqiptar. Nga burime të këtij Shërbimi, thuhet se Ismail Vërlacit iu ofrua bashkëpunim në shkëmbim të mbrojtjes së familjarëve të tij në Shqipëri. Një bashkëpunim, i cili duhet të jetë pranuar, nëse marrim parasysh disa fakte lidhur me disa pjesëtarë të familjes Vërlaci në Shqipëri. Nëse informacion është i vërtetë, atëherë mund të jemi para një loje shumë të komplikuar të Zbulimit shqiptar, i cili, për të mbrojtur njeriun e tyre në qendër të operacioneve amerikane dhe italiane, të ketë lejuar misionet e dërguara prej tyre të kenë pasur njëfarë suksesi në terren. Sigurisht, ky është një supozim dhe mund të konfirmohet vetëm nga ata pak persona të Zbulimit shqiptar, që dinë më shumë mbi këto operacione.
Fakti tjetër shumë interesant, që del nga raporti i OSO, është në lidhje me rolin e organizatës së “Vorio Epirit” KEVA, në këto operacione. KEVA, një organizatë mjaft aktive në mbrojtje të interesave të Vorio Epirit, edhe sot duket qartë nga ky raport i datës 3 maj 1949, se ka pasur një rol shumë agresiv spiunazhi kundër Shqipërisë, me një numër agjentësh aktivë të rekrutuar nga radhët e refugjatëve të Shqipërisë së Jugut, e drejtuar nga një punonjës i Bankës Kombëtare Greke dhe mjeku Nikola Pango, KEVA ka pasur një objekt shumë të qartë: shkëputjen e Shqipërisë së Jugut për llogari të pretendimeve territoriale greke. Organizata KEVA, mjaft aktive edhe në ditët tona në Greqi dhe ne diasporën helene, mban lidhje të ngushta me disa prej politikanëve dhe anëtarëve të qeverisë së sotme shqiptare. Dokumenti amerikan i Shërbimit Sekret flet qartë mbi rolin në spiunazh aktiv të KEVA-s në vitin 1949 nga regjimi komunist në Shqipëri. Nga ky fakt lind pyetja legjitime: Po sot me çfarë merret kjo organizatë?
(vijon të dielën tjetër)

AURON TARE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura