ARISTIR LUMEZI/ Kryeministri Rama dhe ai kosovar Haradinaj folën me tone zhgënjyese ndaj Bashkimit Europian, ndërsa nënshkruan 9 marrëveshje që liberalizojnë edhe më tej shkëmbimet mes dy vendeve.
Gjatë mbledhjes së pestë të përbashkët të dy qeverive të zhvilluar në qytetin e Pejës, nën simbolet e festimeve të vitit të Skënderbeut, Kryeministri Rama ishte më i ashpër me BE-në kur tha se ka qëndrime diferencuese mes shqiptarëve dhe serbëve në proceset integruese.
BASHKIMI EUROPIAN
“Na rrokanisën kokën, kaloni demarkacionin, se do t’ju heqim vizat… Ndërkohë që Serbia nuk ka viza, por Kosova duhet ta bënte këtë. E bëri dhe tani nuk kuptohet, ose kuptohet, por nuk thuhet, por nuk thuhet që, prisni se kemi ca halle se na mërziten ekstremistët këtu e atje. Jemi të vegjël për të pasur forcën të ndryshojmë këto gjëra, në ato shtete që kanë edhe gurin edhe arrën, por ne jemi gjallë e nuk kemi vdekur akoma. Serbia nuk mund të ketë një fytyrë për Shqipërinë, një për Kosovën. Kjo është e papranueshme. Ndërkohë që Serbia pengon çdo lloj malli të hyjë nga Kosova në Serbi, pretendon të hyjë në Kosovë me dokumente Kosovo Metohia, Metohinë ta mbajnë për vete. Kjo është Republika e Kosovës, kjo nuk diskutohet më. Mos na tregojnë shumë përralla miqtë tanë europianë, të mos na kërkojnë më shumë se ç’na mbajnë gjunjët, ndërkohë që Serbinë e përdhelin në një formë të papranueshme”, tha Edi Rama. Kreu i qeverisë së Shqipërisë i kërkoi që të mos vazhdojë të punojë kundër Kosovës për sa kohë ulet në takime dialogu. “Dhe një ftesë për Serbinë për të zbritur me këmbë në tokë e të kuptojë se rruga e së ardhmes nuk ndërtohet me thika pas shpine ndaj shqiptarëve dhe procese reaksioni negativ sa herë Kosova shfaqet të marrë certifikatë hyrjeje në një institucion ndërkombëtar. Ministri i Punës së Kosovës më tregonte sesi i kërkonin që të hiqte fjalën Republika e Kosovës nga fjalimi që do të mbante. “What the fuck? Do të thoshin në gjuhën e Parlamentit Europian”, tha Rama.
DOGANAT
Rritjen e tarifave doganore të Kosovës për mallrat serbe, Kryeministri Rama e cilësoi një vendim politik që nuk ka të bëjë me çështjen ekonomike. Sipas Ramës, ai ishte një vendim 100% politik dhe një reagim ndaj goditjeve të njëpasnjëshme pas shpine që Serbia i ka dhënë Kosovës. Nga ana tjetër, Rama theksoi se nga 1 janari Shqipëria dhe Kosova zerojnë tarifat me njëratjetrën, duke unifikuar doganat, ndërsa i ashpër ishte me Serbinë kur u shpreh se lufton për izolimin e Kosovës, qasje të cilën Kryeministri e quajti “thikë pas shpine” ndaj shqiptarëve. “Zero tarifa mes Shqipërisë dhe Kosovës. Nuk ka nevojë të mblidhemi më. Tarifa 100% në Veri dhe 0% mes nesh. Kush e konsideron si kërcenim, të ulet dhe t’ia shpjegojmë. Brenda 6- mujorit të parë të vitit të parë: Njohje të plotë të të gjitha dokumenteve. Çfarë jepet në Shqipëri do të njihet në Kosovë dhe anasjelltas. Ne nuk jemi shqiptarët dhe serbët, ne jemi shqiptarët dhe shqiptarët. Patentat mes Kosovës dhe Shqipërisë nuk janë si ato të Greqisë, që u deshën 30 vjet negociata. Së shpejti nuk ka më roaming mes nesh. Pika e Morinës, do të funksionojmë si pa kufi. Së dyti doganat, do të shkojmë drejt bashkimit doganor, sot hedhim hapin e parë e nga 1 janari Kosova do të ketë tranzitin e vet në Durrës. Serbia shkon në të kundërt të asaj që është rruga e së ardhmes, duke përjashtuar Kosovën nga roamingu dhe duke na vënë ne detyrimin ta bëjmë bashkë”, tha Kryeministri.
BASHKIMI
Kryeministrat Rama dhe Haradinaj vendosën vitin 2025 si vit ku Kosova e Shqipëria të bashkohen në një shtet ose të jenë anëtare të BE-së si dhe Serbia. “Të vendosim një fond për Ministrinë e Jashtme për të bërë një dokument analitik dhe strategjik. Një dokument demografik, social etj., e di çfarë do të thonë në Beograd, por unë kam parasysh vetëm bashkimin e shqiptarëve. I duhet thënë fund qasjes së dyfytyrtë. Ne kemi një fytyrë, ajo është kuqezi, dhe do të përballemi me të gjitha sfidat. Sigurisht, ne jemi të vegjël për të pasur forcën t’i ndryshojmë këto gjëra në konfiguracionet e shteteve më të mëdha, që kanë edhe gurin, edhe arrën në dorë, por ne sidoqoftë jemi gjallë, nuk kemi vdekur akoma. E në këtë aspekt, ne do të vazhdojmë të çojmë përpara proceset e shqiptarëve për shqiptarët. Dokumenti analitik që do të financohet nga të dyja qeveritë për Ministritë e Jashtme, që do të bashkëpunojnë si një grup i vetëm, me konsulencën më të specializuar ndërkombëtare, është një dokument që synon të krijojë vizionin strategjik të Shqipërisë, Kosovës dhe shqiptarëve, 2025, 2030, 2035, 2050. Demografia, potencialet e zhvillimit ekonomik, sistemet politike e kështu me radhë. Ne do të ecim të vendosur në rrugën e bashkimit të shqiptarëve. E duam këtë bashkim nën ombrellën e Bashkimit Europian dhe e duam një orë e më parë. Askush nuk ka për të na penguar e askush nuk ka për të na detyruar që të pranojmë në vazhdimësi të gëlltisim njëri pas tjetrit, akte dhe veprime që i bien ndesh gjithë filozofisë sonë të bashkëpunimit.
TARIFA
Kryeministri Haradinaj i kërkoi qeverisë shqiptare që të përfundojë Rrugën e Kombit, ndërsa mori dhe një sqarim nga ana e Kryeministrit Rama për tarifën prej 5 euro të vendosur në këtë rrugë. “Është diskutuar shumë dhe shfrytëzoj rastin, për taksën e rrugës, 5 euro, që e paguajmë ne. E di që është folur shumë, por unë e kam një shqetësim më të madh dhe i kam kërkuar Kryeministrit Rama mundësinë që të përmbyllet, pra, të kryhet rruga. Më kujtohet kur e ka nisur atëherë zoti Nano, i shpërthente ato gurët me ushtri, edhe Kryeministri Majko, pastaj Kryeministri Berisha e ka sjellë në gjendjen ku është sot, por nuk është kryer rruga. I takon Kryeministrit Rama ta përmbyllë Rrugën e Kombit. S’bën me e lënë ashtu, pa kufi. Është një kërkesë legjitime e qytetarëve të Kosovës. Ne jemi në gjendje të paguajmë aq sa duhet të paguajmë, por e kërkojmë po ashtu rrugën që të jetë e përfunduar, sepse është në kohë dhe kostoja rritet jo vetëm nga ato që paguajmë, por kostoja rritet kur nuk është e përfunduar rruga”, tha Haradinaj. Kryeministri Rama foli për patriotizëm në kohë paqeje. “Mundësitë financiare janë ato që janë dhe ne do bëjmë çmos dhe ky është edhe objektivi. Kemi diskutuar edhe dje që të përfundojmë Rrugën e Kombit. Por një gjë kam për të gjithë ata që në Kosovë ankohen për tarifën. Patriotizmi në luftë është të jesh gati të japësh dhe jetën. Patriotizmi në paqe është të mos diskutosh kontributet nga xhepi për qëllimet dhe të mirën e përbashkët”, tha Rama.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al