AKADEMIK ANASTAS ANGJELI
E ndodhur midis dy “goditjeve të mëdha”, asaj të pasojave të pandemisë dhe luftës Rusi-Ukrainë, ekonomia globale dhe ajo e Eurozonës, po ndeshen me tronditje të mëdha, ku për momentin, rritja e çmimeve, ndërprerjet në zinxhirin e furnizimeve dhe pasiguria, kanë sjellë që të mbizotërojë karakteristika e inflacionit në rritje (në muajin mars, inflacioni në Eurozonë kërceu në 7.5%) dhe ekonomia në rënie. Kështu, kjo luftë në qendër të Europës ka gjeneruar një realitet të ri ekonomik dhe gjeopolitik. Ky fenomen nuk mund të mos reflektohet edhe në ekonominë tonë, me një inflacion të rritur këtë vit dhe me ritëm rritjeje të ekonomisë dukshëm më të ulët se ai i vitit paraardhës dhe se parashikimeve të bëra për këtë vit…
Referuar situatave të ngjashme të zhvillimeve ekonomike botërore në vitet ’70, sot janë “ndezur debate” nëse ekonomia ndodhet në fazë staglafacioni dhe çfarë pasojash mund të këtë. Por…
ÇFARE ESHTE STAGFLACIONI?
Termi “stagflacion” është një përplasje, gërshetim i menjëhershëm, midis stagnjacionit dhe inflacionit. Ai tregon një situatë ekonomike, në të cilën, nga njëra anë kemi proceset e rritjes së përgjithshme të çmimeve, si rrjedhojë e inflacionit, dhe mungesës ose ngadalësimit të fuqishëm të rritjes ekonomike, e për rrjedhojë stanjacionit . Pra, duhet që të dyja këto elemente te jenë duke u zhvilluar në të njëjtën kohë. Megjithatë, për të kuptuar plotësisht shtrirjen e këtij fenomeni, është e nevojshme të ilustrohen disa dinamika të tregut. Një nga dinamikat më karakteristike të funksionimit të tregut është se një rritje e prodhimit, e shkaktuar nga një rritje relative e kërkesës, në mënyrë të pashmangshme, shkakton rritjen e çmimeve, duke shkaktuar kështu inflacion. Megjithatë, ky skenar nuk duhet të konsiderohet tërësisht negativ në vetvete. Kjo sepse, nëse është e vërtetë që çmimet rriten, këtë e bëjnë ekskluzivisht për faktin se nga ana tjetër ka një kërkesë po aq të fortë, me pasojë fuqinë blerëse solide të familjeve. Stagflacioni, duke bashkuar këto dy procese shumë të dallueshme, bën që çmimet të rriten, por në të njëjtën kohë, edhe prodhimi të jetë i ulët (goditet oferta, duke e bërë kështu fuqinë blerëse të familjeve gjithnjë e më joefikase dhe të padobishme). Në praktikë, familjet e gjejnë veten gjithnjë e më të paafta për të blerë mallra dhe produkte, sepse fuqia e tyre blerëse, pra pagat dhe të ardhurat, bëhen të pamjaftueshme.
PO CILAT JANE SHKAQET E KETIJ FENOMENI?
Stagflacioni është një fenomen shumë kompleks, i karakterizuar nga rritja e inflacionit me rënie të fuqishme ekonomike dhe nga ekuilibra shumë delikatë, ndaj nuk duhet të jetë çudi që ai është ende (dhe tashmë i rihapur) si objekt debati dhe hulumtimi nga ekonomistë, analistë dhe ekspertë, veçanërisht, edhe në situatën dhe zhvillimet e sotme. Ekzistojnë dy teori kryesore që hulumtojnë shkaqet e stangflazionit.
Përfaqësuesit e teorisë së parë thonë se stagflacioni është rezultat i një rritjehje të papritur dhe te paparashikueshme të çmimit të lëndëve të para, që çon shumë shpejt në një rritje zinxhir të të gjitha çmimeve. Kështu, sipas tyre, rritmi i rritjes së inflacionit është shumë më i madh se rritmi i rritjes ekonomike. Në përgjithësi, inflacioni rritjet me më shumë se 7% në vit dhe kemi rritje ekonomike 0,5% ose rënie ekonomike për të paktën katër tremujore. Nëse ky fenomen kalon tremujorin e tretë, konsiderohet permanent në ekonomi.
Grupi i dytë i mendimit, nga ana tjetër, gjurmon stagflacionin në gabimet e bëra nga qeveritë dhe bankat qendrore, në politikat monetare që nuk i përshtaten periudhës në të cilën ato janë zbatuar. Këtu rikthehen përsëri dyshimet nëse stangflacioni potencial aktual, në disa vende, lidhet me politikat buxhetore që u përdoren në kohën e pandemisë? Këta ekonomiste mendojnë se emetimet masive monetare si në SHBA, ashtu edhe nga banka europiane në vendet e eurozonës, frynë tregjet e kapitaleve në fillim dhe më vonë tregun e konsumit që çoi direkt në tendenca inflacioniste.
Sigurisht që ka edhe shumë specialistë që pranojnë të dyja teoritë dhe ndërtojnë politika ekonomike në funksion të të dyja teorive. Por, pavarësisht nga shkaqet qe rreshtojnë ekspertët, nga pikëpamja praktike, stagflacioni shkaktohet nga një rritje e çmimeve që nuk lidhet me rritjen e kërkesës, por vetëm nga faktorë të palëve të treta ose të jashtëm. Ai nuk kushtëzohet shumë nga elemente endogjene ekonomike të një tregu të caktuar. Kjo do të thotë qe nuk është një fenomen lokal, por ndërkombëtar, dhe prandaj ekspertët kërkojnë përballim ndërkombëtar të tij në politikat ekonomike të institucioneve ndërkombëtare (FMN, BCE etj.).
Duke u kushtuar vëmendje të veçantë fakteve të këtyre ditëve, kuptojmë se si konflikti ushtarak i vazhdueshëm në Ukrainë ka shkaktuar një ndërprerje të zinxhirit të furnizimeve të lendëve të para, produkteve energjetike dhe ushqimore, për rrjedhojë, edhe rritje të kostove të tyre, e cila, nga ana tjetër, ka një ndikim veçanërisht në vendet importuese të lendëve të para dhe energjetike, duke e bërë prodhimin e mallrat dhe produktet gjithnjë e më të shtrenjta. Pikërisht në një situatë të tillë ndodhemi sot.
Një shembull tjetër mund të na vijë nga politikat e sanksioneve që Bashkimi Europian po ndërton e zbaton në funksion të agresionit rus në Ukrainë, duke vënë në qendër çështjen e energjisë. Në fakt, nëse sanksionet kundër Rusisë do të kufizojnë në formë absolute furnizimet me energji nga ky vend dhe nuk do të zëvendësoheshin në mënyrë adekuate (gjë për të cilën tashmë po reflektohet me shpejtësi), do të arrihej relativisht shpejt një situatë në të cilën kompanitë do të detyroheshin të ngadalësonin prodhimin e tyre dhe, për pasoje, do të kishin një rënie të ndjeshme ekonomike.
PASOJAT E STAGFLACIONIT
Kompleksiteti i këtij fenomeni ekonomik nënkupton që pasojat e tij mund të ndikojnë në aspekte të ndryshme. Në përgjithësi, pasojat më të shpeshta të një periudhe stagflacioni janë:
– ngadalësim ose rënie e ritmeve në ekonomi për shkak të rënies së produktivitetit dhe rritjes se kostove;
– më pak punë dhe, për pasoje, rritja e papunësisë;
– rritje çmimi duke filluar nga produktet energjetike dhe duke vazhduar te produktet e shportës;
– ulje drastike e fuqisë blerëse të familjeve. Për sa i përket situatës aktuale në Europë,
shumë ekonomistë bien dakord se ndër pasojat e pritshme afatshkurtra në BE, do të jenë:
– një rritje e ndjeshme e çmimeve të energjisë; – ngadalësimi i furnizimit të kanaleve të shpërndarjes me produktet bazë;
– erozioni i fuqisë blerëse dhe ulja e vlerës së depozitave;
– dobësim i besimit të konsumatorit dhe pasojat që sjell kjo në terma të PBB-së.
Megjithatë, duhet theksuar gjithashtu se stagflacioni nënkupton një situatë në të cilën dinamikat e përshkruara deri më tani janë strukturore dhe jo të përkohshme, siç i konsiderojnë shumë ekonomistë. Çmimet e shumë produkteve kishin filluar të rriteshin muaj më parë (gjatë pandemisë) sesa Rusia të sulmonte Ukrainën dhe mbushja e kanaleve të shpërndarjes me para që në epokën e pandemisë, pasi bëri qarkullimin e saj në bursat e vendeve të ndryshme, filloi të mbushte edhe kanalet e konsumit. Erdhi koha që emetimet e mëdha të parave të bëra gjatë pandemisë, të ndihen direkt në qarkullimin monetar të Europës dhe SHBA-së. Prandaj, për shumë ekspertë të ekonomisë, financave dhe politikave monetare, në këtë rast nuk kemi një stangflacion si të viteve ‘70, por një fenomen që vendoset në një strukturë ekonomike shumë të ndryshme. Kjo u përgjigjet gjithë elementeve të tjera që mendojnë se janë shkaktare të aktivizimit të këtij fenomeni.
CILAT JANE ZGJIDHJET E MUNDSHME?
Fillimisht, është mirë të saktësohet se në këtë periudhë historike, Europa në përgjithësi nuk është ende në një situatë stagflacioni të vazhdueshëm. Megjithatë, ajo po afrohet, prandaj është e nevojshme të identifikohen zgjidhje praktike për ta luftuar atë. Zgjidhjet e mundshme mund të gjenden në përpjekjet e qeverisjes europiane (BCE, PE, KE etj.) dhe atyre të shteteve përbërëse te saj, duke përdorur mjete dhe rrugë shumë specifike, që të mund të garantojnë rritjen e PBB-së, uljen e inflacionit apo pritjen. Pritja është një zgjidhje që shumë specialistë e konsiderojnë si zgjidhjen më të mirë dhe më të suksesshme për vendet që e zbatuan atë në vitet 1971-1972. Le t’i shohim më nga afër zgjidhjet e mundshme:
Në të ardhmen e afërt, për shembull, për t’iu përgjigjur rritjes së çmimeve të lëndëve të para, mund të jetë e dobishme monitorimi dhe reduktimi i kostove të karburantit dhe ulja e taksave qe përmban ky produkt. Këtu diskutohet për produkte të tilla që kostoja është e ndjeshme në çdo qelizë të ekonomisë, si te konsumatorët, edhe te prodhuesit. Nafta dhe gazi janë produkte të tilla sepse dhe kanë shumë taksa dhe akciza në strukturën e çmimit dhe ndikojnë në të gjitha elementet ekonomike të biznesit dhe të konsumatorëve. Pothuajse të gjitha vendet europiane po mundohen të realizojnë ndërhyrje te këta sektorë, që në disa raste fiksojnë çmime dysheme, në disa raste ulin përkohësisht akcizën dhe në disa raste të tjera subvencionojnë nivele të domosdoshme për shtresat në nevojë.
Një zgjidhje shumë e diskutuar nga specialistët është aplikimi i politikave monetare ad hoc, megjithëse kjo pikë kërkon sqarime të mëtejshme. Në të vërtetë, gjatë një periudhe stagflacioni, zbatimi i politikave monetare, si rritja e normave të interesit për të luftuar inflacionin, mund të shihet si një gabim i aftë për të gjeneruar efekte të kundërta nga ato të pritura. Në këto raste, mund të kemi ulje të investimeve, rënie të prodhimit, rritje të papunësisë dhe futjes në një cikël negativ me pasoja afatgjata. Nga ana tjetër, nëse synohet një rritje proaktive e konsumit dhe e kërkesës për mallra dhe shërbime, duke zbatuar një politikë fiskale specifike, mund të kemi pasojë në rritjen e borxhit publik. Në kushtet që pandemia rriti ndjeshëm borxhin e shumicës së vendeve të BE-së, kufizon përdorimin e këtyre instrumenteve. Duhet pra të behën zgjedhje të këtyre zgjidhjeve që do të çonin njëkohësisht te rritja e kontrolluar ekonomike, me rimëkëmbjen relative të punësimit dhe zbutjen progresive të inflacionit.
Në peshore është edhe zgjidhja e politikës së pritjes. Duke u mbështetur në analizën historike të viteve 1970, në të cilat pati një krizë si rezultat i goditjes së naftës, papritmas u pa që ne disa vende, si: Gjermania, Belgjika dhe Holanda, stagflacioni të zgjidhej pa asnjë ndërhyrje agresive në të dyja variantet e analizuara më lart dhe çmimet të normalizoheshin pas një viti e gjysmë.
U bënë ndërhyrje të përqendruara sidomos për shtresat në nevojë dhe u monitorua gjendja gjatë gjithë vitit 1971 dhe vitit 1972. Ato ishin dhe vendet që dolën ta parat nga ky proces.
HQIPERIA – EKONOMIA NE RENIE, INFLACIONI NE RRITJE, POR JO STAGFLACION
Të gjitha informacionet, sinjalet dhe të dhënat e zhvillimeve ekonomike në vendin tonë dëshmojnë se lufta Rusi-Ukrainë po efekton atë. Për rrjedhojë, ekonomia jonë po karakterizohet nga një inflacion në rritje (kryesisht i importuar) dhe një rënie e lehtë (deri tani) e ekonomisë nga parashikimet.
Në raportin e sapopublikuar, FMN parashikon që ekonomia shqiptare do të rritet ketë vit me vetëm 2%, nga 4.5% që ishte parashikimi në muajin tetor. Ky ngadalësim vjen pasi në vitin 2021, ekonomia vendase u rrit me 8.5%, pas rënies me 3.5% në vitin 2020, kur ekonomia vuajti pasojat e pandemisë. Ritmet e rritjes pritet të jenë të ulëta edhe në vitin 2023, me 2.8% dhe do të përshpejtohet lehtë në 3.4% deri në vitin 2027. Këto janë parashikimet qe FMN ka bërë për rritjen ekonomike. Me këto parashikime përafrohen edhe institucione të tjera ndërkombëtare. Edhe institucionet tona të ndjekjes dhe monitorimit të zhvillimeve të ekonomisë janë të përafërta, duke supozuar një rritje të moderuar ekonomike me ritme rritjeje ne rënie nga parashikimi, diku te 3%..
Në të gjitha studimet e INSTAT-it për nivelin e çmimeve dhe analizat e modeleve parashikuese më negative të shumë studiuesve për vitet e ardhshme, evidentohet një inflacion mesatar vjetor për vitin 2022 nga 4,1% – 4,6%, për vitin 2023 ne rreth 4% dhe pastaj një rënie në më pak se 3,6 %, duke u kthyer drejt objektivit, në vitin 2024. Kjo edhe pse inflacioni u rrit me 4.4 % ne tremujorin e parë, duke kërcyer nga 3.7 % në muajin janar, në 5.7 % në muajin mars. Pra, nëse kombinojmë parashikimet e FMN-së për rritjen ekonomike dhe parashikimet me negative të studiuesve shqiptarë për tri vitet në vazhdim për inflacionin, Shqipëria teknikisht nuk do të hyjë në stangflacion. Në asnjë nga parashikimet, inflacioni nuk parashikohet 3 herë më i lartë se rënia ekonomike, pra statitstikisht nuk jemi në kushtet teorike të stangflacionit. Megjithatë, meqenëse stangflacioni nuk është një fenomen lokal, por ndërkombëtar, prandaj edhe Shqipëria do të ndikohet nga ai, pa e pasur atë si element real ekonomik në tregun shqiptar. Nga të gjithë është e dukshme rritja e çmimit të naftës, e produkteve ushqimore apo e produkteve të tjera të shportës edhe në tregun shqiptar. Kjo është një pasojë indirekte e procesit të stangflacionit, që ka filluar të ndihet në Europë. Ky fenomen nuk ka përmbushur ende 3 tremujore dhe, mbi të gjitha, parashikimet janë për ritme të kontrolluara. Në këtë aspekt, mund të themi se Shqipëria nuk parashikohet të preket nga stangflacioni, por ai do të ndikojë në masë të kontrolluar edhe ekonominë shqiptare. Së fundi, për shumë specialistë të ekonomisë, politika ekonomike shqiptare, duhet të karakterizohet nga parimi i tretë i përballimit të ndikimit të fenomenit të stangflacionit ndërkombëtar: ai i politikës së pritjes. Dhe qeveria atë po bën (dhe duhet ta ndjekë në vazhdimësi) duke e shoqëruar këtë politikë me ndërhyrje ekonomike e financiare në funksion të shtresave në nevojë dhe biznesit të vogël. Kjo ruan në stadin aktual edhe rreziqet që mund të vijnë nga një rritje relative e borxhit publik. Ndërkaq, politikat e ristrukturimit te ekonomisë, të zhvillimit të burimeve alternative të energjisë, të mbështetjes së turizmit dhe të orientimit drejt tregjeve të reja të furnizimit, duhet të jenë në qendër të vëmendjes.
Një ndihmë e vyer në këtë drejtim vjen edhe nga politika monetare e kujdesshme e BSH, që po zbaton një politikë të matur të rritjes së interesave, që kemi një sistem bankar likuid dhe me vazhdimësi në rritje të kreditimit, e veçanërisht politika monetare është kujdesur për një stabilitet në kurset e këmbimit me monedhat ndërkombëtare. Kjo e fundit pengon ndikimin e stangflacionit në ekonominë shqiptare. Ruajtja e stabilitetit të kurseve të këmbimit frenon inflacionin në një ekonomi që ka një bilanc tregtar negativ dhe siguron stabilitet në shërbimin e borxhit të jashtëm në valute. Është edhe ky një sinjal pozitiv për parashikimet e ardhme të procesit të zhvillimit ekonomik në Shqipëri, por që nuk duhet të ulë “vigjilencën” ndaj monitorimit të zhvillimeve dhe reagimin e nevojshëm në kohë.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al