Jola Hysaj, sekretare për Marrëdhëniet me Publikun në PD, duke folur për protestën e 11 korrikut, ka ftuar të protestojnë të gjithë qytetarët, duke filluar nga ata që konsiderohen si “elektorati gri” te profesionistët e lirë apo edhe biznesmenët.
Në rubrikën “Opinion” në News24, Hysaj tha se shqiptarët duhet të reagojnë pa dallim kundër një regjimi që po i varfëron nga dita në ditë.
Hysaj tha se shqiptarët po vidhen çdo ditë me taksa dhe konçensione. “Demokratët e kanë bërë zgjedhjen e tyre në 11 dhjetor 2021, kur u mblodhën në Kuvendin e Rithemelimit. 11 korriku mund të jetë dita më e nxehtë, por shqiptarët do të jenë në shesh, do të rezistojnë për të mbrojtur familjet e tyre. Po ikën nga Shqipëria shtresa e mesme, ndërsa në vend ka mbetur një shtresë, ku 120 mijë janë analfabetë”, tha Hysaj.
Ajo u shpreh se edhe ata që vijnë nga Bangladeshi nuk qëndrojnë në Shqipëri më shumë se 2 apo 3 muaj, çka do të thotë se ka diçka që nuk shkon.
“I bëj një thirrje shqiptarëve: nuk ka nevojë që nënat të jenë të merakosura çdo ditë, fëmijët e tyre duhet të jenë në Shqipëri”, tha Hysaj.
Ajo tha se protesta është shenja e parë që tregon ndryshimin e madh. “Ky është hapi i parë, shqiptarët duhet të tregojnë se kanë dinjitet, se duan të jetojnë me dinjitet”, tha Hysaj.
Zyrtarja e PD-së tha se protesta do të nisë në orën 20:00, ndërsa përfundimin e saj e vendosin shqiptarët. “E mbani mend protestën kundër armëve kimike? Shqiptarët duhet të reagojnë në të njëjtën formë. Duhet të fitojmë dinjitetin, nuk kemi të drejtat minimale jetike”, tha ajo.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al