“Shqiptarët refuzojnë abuzimin seksual të fëmijëve”

Oct 24, 2012 | 12:02
SHPËRNDAJE
Valbona Alikaj

Flet psiko-pediatria Valbona Alikaj: Çfarë duhet të dinë prindërit.

Rasti i Ajshes, risku më i lartë në familjet me probleme.

Fenomeni është në rritje, por shoqëria shqiptare refuzon të flasë dhe të trajtojë rastet e abuzimit me fëmijët.  Prindërit, në jo pak raste nuk kanë ditur të dallojnë sjelljet e ndryshuara të fëmijëve të tyre, deri në momentin kur situata ka marrë përmasat e një tragjedie. Në intervistën e saj për gazetën, psikiatrja për fëmijë dhe adoleshentë,  Valbona Alikaj, sqaron shkaqet që mund të çojnë në një abuzim seksual me fëmijët dhe pasojat që zakonisht trauma të tilla lënë për shëndetin mendor. Rasti i Ajshe Vatës dëshmon për një familje në thelb problematike e cila mund të ketë ndikuar në fatin e saj tragjik.
Pak ditë më parë u bë publik një element i ri mbi mënyrën si është rritur Ajshe Vata – 18-vjeçarja e vrarë në mënyrë tragjike, pas një dhunimi 4-vjeçar. Në një shtëpi jetonin gjyshi, i cili i martuar sërish kishte një fëmijë 9-vjeçar, i ati i vajzës i cili gjithashtu kishte dy fëmijë me gruan e dytë. Pra, kemi të bëjmë me një familje me disa “barqe” brenda. A është ky një faktor që mund të ketë ndikuar në gjendjen psikologjike të vajzës dhe krijimin e marrëdhënies së saj me 80-vjeçarin?
Shoqëria jonë përgjithësisht ka refuzuar të merret me çështje të tilla si abuzimi seksual i fëmijëve. Sot, duke u nisur edhe me rritjen në dukje të këtij problemi, ajo duhet të bëhet më e ndjeshme dhe ta shohë si një çështje mjaft serioze.
Abuzimi seksual i fëmijës ndodh në të gjitha shoqëritë dhe klasat ekonomike. Ka të njëjtat tipa dhe faktorë rreziku, si edhe abuzimi fizik, duke përfshirë: abuzimin me alkool dhe drogë, shqetësimet familjare, familjet me probleme të ndryshme apo vështirësit  financiare. Abuzuesit shpesh kanë një histori individuale të abuzimit fizik ose seksual.  Ecuria e shëndetit mendor të fëmijës varet në mënyrë të përmbledhur nga disa  faktorë, të cilët ndikojnë te njëri-tjetri. Familja dhe mbështetja sociale, personaliteti i fëmijës, kohëzgjatja e abuzimit dhe tipi i abuzimit dhe terapia e marrë.
Pas rastit të Ajshe Vatës, 18-vjeçarja nga Durrësi e cila ishte abuzuar që në moshën 13-vjeçare, gjatë fundjavës dy raste të reja pedofilie. Çfarë pasojash mund të lërë një traumë e tillë në shëndetin mendor të një fëmije?
Abuzimi seksual është shumë më i vështirë për t’u zbuluar sesa abuzimi fizik. Termi abuzim seksual ka të bëjë me një varg situatash në të cilat fëmija më i vogël se 18 vjeç përdoret nga një person tjetër për qëllime seksuale. Kur incesti ndodh midis prindit dhe fëmijës, shpesh kjo shfaqet në kontekstin e marrëdhënies së çrregullt martesore. Në kundërshtim me besimin e përgjithshëm, 80-95% e fëmijëve që abuzohen seksualisht, e njohin kriminelin fajtor. Problem kryesor në rastin e një abuzimi seksual është shëndeti mendor i fëmijës. Asnjë fëmijë nuk është i përgatitur psikologjikisht për t’ia dalë një stimulimi të përsëritur seksual. Edhe ai që është dy ose tre vjeç, i cili nuk mund ta kuptojë që ky aktivitet seksual është i gabuar, do të zhvillojë probleme që mund të lidhen me paaftësinë për të menaxhuar mbi stimulimin.
Një fëmijë që është viktimë e një abuzimi seksual të zgjatur, zhvillon zakonisht vetëvlerësim të ulur, ndjenja të pavlerësisë dhe një pikëpamje të shtrembëruar ose jonormale ndaj seksit. Mund të fillojë të qëndrojë vetëm ose të jetë mosbesues ndaj të rriturve, ose edhe mund të tentojë vetëvrasjen. Disa bëhen abuzues të fëmijëve ose prostituta. Mund të kenë probleme me gjumin ose zgjime të natës, refuzim për të shkuar në shkollë, probleme të sjelljes deri në kriminalitet. Vizatimet, lojërat ose fantazitë janë me përmbajtje seksuale.
Përveç rasteve kur abuzimi ndodh një herë dhe më pas akti zbulohet, ka fëmijë që mund të bien pre për vite me radhë. Si mund ta kuptojë një prind që fëmija e tij abuzohet?
Nuk ka asnjë shenjë që të tregojë se fëmija është i abuzuar seksualisht. Megjithatë, shenjat e mëposhtme duhet t’i bëjnë prindërit dhe klinicistët të mendojnë për mundësinë e abuzimit seksual: dëmtime të pashpjegueshme ose dhimbje në rajonet gjenitale të fëmijës, duke përfshirë këtu edhe njollat e gjakut në të brendshmet (shenja të tilla janë të pranishme në më pak se 10% të viktimave të abuzimit seksual). Fëmijët e abuzuar mund të shfaqin probleme të sjelljes, të cilat nuk janë specifike dhe ndryshojnë nga rasti në rast. Ato shpesh tregojnë që fëmija është i stresuar dhe që duhet vlerësuar shkaku i këtij shqetësimi. Fëmijë të tjerë mund të mos shfaqin asnjë problem të dukshëm sjelljeje. Shenjat të cilat tregojnë shqetësim te një fëmijë dhe që nuk duhen neglizhuar pasi mund të na çojnë drejt një abuzimi seksual, janë: sjellja e fëmijës ndryshon në mënyrë shumë të dukshme në disa drejtime. Një fëmijë i rritur mund të regresojë në sjellje, p.sh të urinojë në dyshek ose të defekojë në rroba. Mund të ndryshojnë zakonet e të ngrënit. Mund të ndryshojë marrëdhënia me bashkëmoshatarët, duke u mënjanuar nga ata ose duke u bërë më agresiv. Mund të sillet keq në shkollë, mund të ndryshojë motivimi për të mësuar apo përqendrimi deri në mosmarrjen e klasës. Fëmija mund të duket i frikësuar, shpesh qan apo nuk u shqitet prindërve, ose mundet që të shmangë kontaktin e ngushtë me familjen.
A kanë tipologji të njëjtë sjelljeje fëmijët e abuzuar?
Fëmijët që abuzohen seksualisht, si rregull nuk i tregojnë askujt për pjesëmarrjen e tyre në veprimtaritë seksuale. Ata e dinë zakonisht se një sjellje e tillë është e gabuar që përpara se të jepet fjala për ta përshkruar atë, por ata qëndrojnë të heshtur nga turpi, frika, faji dhe dëshira për të mbrojtur të rriturin pjesëmarrës.
Abuzimi seksual mund të jetë një situatë shumë konfuze për një fëmijë. Për një fëmijë një gjë e tillë mund të jetë përdorim ose dëmtim nga një i rritur të cilit i besonte. Ose fëmija mund të mësojë që e vetmja mënyrë për të fituar vëmendje apo dashuri është të bësh diçka seksuale. Disa besojnë që abuzimi ndodh për faj të tyre. Disa mund të mendojnë që abuzuesi e ka zgjedhur atë pasi ai do ta ketë dëshiruar këtë ose që diçka nuk shkon me të. Nëse abuzuesi është i të njëjtës gjini, fëmija mund të ketë frikë se është “gay”.
Pothuaj të gjithë fëmijët e abuzuar seksualisht e përshkruajnë abuzimin si diçka negative dhe e dinë që është e gabuar. Shpesh kanë ndjenja frike, shoku, zemërimi dhe neverie. Vetëm një numër i pakët i tyre, të cilët zakonisht janë shumë të vegjël ose me prapambetje mendore, nuk e kuptojnë që kjo është e gabuar. Disa nga viktimat mund të shijojnë vëmendjen, afërsinë ose kontaktin fizik me abuzuesin, përgjithësisht ata të cilëve u ka munguar dashuria dhe nuk u janë plotësuar nevojat bazë nga kujdestarët ligjorë (prindërit etj).
Si mund të trajtohet një fëmijë i abuzuar seksualisht, a kemi ne në spitalet tona kapacitete njerëzore të kualifikuara për ndjekjen e këtyre rasteve?
Të gjithë fëmijët që kanë qenë seksualisht të abuzuar, duhet të marrin ndihmë nga profesionistë të shëndetit mendor.
Fëmijët bëhen problemi i profesionistëve të shëndetit mendor, kur marrin nota të dobëta ose kanë simptoma të depresionit, por pa ankesa për abuzim seksual. Në zbulimin e abuzimit seksual është i rëndësishëm vlerësimi i kujdesshëm dhe i gjithanshëm i familjes, si dhe krijimi i një klime të favorshme mirëbesimi me fëmijën. Fëmijët e abuzuar janë në rrezik të madh fizik dhe psikologjik dhe abuzimi në vetvete përbën një urgjencë. Nëse fëmija paraqet ankesa fizike, ai ose ajo duhet të jetë në një vëmendje të menjëhershme mjekësore për të përjashtuar ose trajtuar dëmtimet fizike. Mjekët dhe profesionistët e tjerë të kujdesit shëndetësor janë të detyruar të njoftojnë zyrtarisht rastet e abuzimit ose të dyshimit për abuzim në agjencinë përkatëse për mbrojtjen e fëmijës të bashkësisë dhe medoemos duhet të garantohet një ndërhyrje e menjëhershme, në mënyrë që fëmija të mbrohet nga dëmtime të mëtejshme. Është e vështirë të përcaktosh se sa shpesh ndodh një abuzim seksual i një fëmije, pasi ai është shumë më sekret sesa abuzimi fizik. Fëmijët shpesh janë të frikësuar t’i tregojnë dikujt rreth abuzimit. Për këtë arsye shumë raste të abuzimit nuk referohen. Në vendin tonë, me sa di unë, ekzistojnë disa linja telefonike apo projekte të shoqatave të ndryshme jo qeveritare, të cilat ofrojnë ndihme juridike dhe këshilluese në ndihmë të fëmijëve të abuzuar. Specialiteti i Psikiatrisë së Fëmijëve dhe Adoleshentëve është relativisht i ri në vendin tonë dhe i përqendruar në Tiranë. Në shërbimin spitalor ku unë shërbej, rastet e abuzimit seksual janë shumë të rralla, prandaj nuk mund të jap një mendim të saktë rreth trajtimit të këtyre rasteve te ne, raste të cilat duhet të mbështeten fuqishëm edhe nga një kuadër ligjor i mirë dhe mbrojtje juridike përkatëse.

Topalli, protestë kundër dhunës në familje

Nga aktiviteti kundër dhunës në familje

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka organizuar dje një protestë të heshtur lidhur me raste shokuese të dhunës në familje.  “Të shokuar nga ngjarjet e fundit barbare të krimeve në familje, të indinjuar nga vrasja e nënave dhe vajzave të reja, të prekur thellë në shpirt për tmerret që fëmijët kanë parë e kanë ndier, me dhimbjen e madhe për këtë dhunë të çmendur, sot secila prej këtyre grave është Ajshja, Flutura, Limja, Rolanda, Mira, Manjola, Fatjona, Marjana. Kryetarja e Kuvendit drejtoi këtë lëvizje të heshtur dhe pa fjalime, sepse për tragjedi të tilla nuk gjenden fjalë. Dhe nuk janë pak, por 19 gra të vrara e të dhunuara vetëm për vitin 2012. Ky marshim i heshtur u përcolli mesazh edhe atyre që gjenden në të njëjtat situata, mos hesht”, thuhet një njoftimin e Kuvendit.

ZIRINA LLAMBRO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura