“Shtetëzimi” i emigracionit

Aug 14, 2017 | 11:00
SHPËRNDAJE

kosta barjabaKOSTA BARJABA

Ditët e fundit është risjellë në vëmendjen e publikut tema e emigrimit. Kthim azilkërkuesish, ikje e figurave publike, reflektime të atyre që janë ikur, por edhe atyre që janë kthyer. Të gjitha këto i kanë dhënë emigrimit një ngjyrim politik. Të cilin në kohën e sotme, as e ka dhe as duhet ta ketë.

1. Ç’LLOJ EMIGRANTËSH PRODHON SHQIPËRIA?

Pa asnjë dyshim, Shqipëria është vendi me fluksin e emigrimit ndër më të lartët në Europë. Të paktën një në tre-katër shqiptarë kanë emigruar, në mënyrë të përkohshme apo me synimin për të mos u kthyer. Ky numër, edhe pse jo normal, nuk duhet të na habisë. Në vitet 1990 Shqipëria prodhoi flukset më të larta migruese, sepse për gati gjysmë shekulli regjimi komunist e kishte bllokuar në mënyrë hermetike daljen nga vendi. Dhe siç ndodh me ligjet e natyrës, ashtu ndodh edhe në shoqëri.

Presioni i lartë prodhon lëvizje të fuqishme, madje edhe shpërthime. Kjo analogji shkon përtej emigrimit. Po për të njëjtën arsye, kemi pasur ritmin më të lartë të urbanizimit në Europë. Urbanizimi i përshpejtuar ndodhi jo se gjatë këtyre viteve bëmë çudira në qytete, por sepse politika totalitariste e pasaportizimeve kishte bllokuar lëvizjen brenda vendit dhe në vitin 1990 dy në tre shqiptarë ishin ngujuar, donin apo nuk donin, në fshat. Në vitin 1990 i kishim të gjitha arsyet si popull të emigronim masivisht, për shkak të bllokimit politik.

Pas gati tre dekadave, asnjë prej arsyeve të asaj kohe nuk është më. Gradualisht shqiptarëve u janë dhënë shumica e të drejtave të lëvizjes së lirë në hapësirën europiane. Duhet thënë se jemi ndër popujt që e kemi shpërdoruar më pak këtë të drejtë. Duam apo nuk duam, tani Shqipëria prodhon emigrantë të një lloji tjetër. Që më shumë ikin për shkak të projekteve të tyre dhe mundësive më të mëdha në vendet perëndimore, në gjuhën e studiuesve, faktorëve tërheqës. Pa mohuar ata që ikin për shkak se nuk gjejnë hapësirat e duhura në vend, thënë ndryshe, faktorëve shtytës. Që më shumë ikin për një punë, jetë e shkollim më të mirë dhe jo për shkaqe politike.

2. POLITIZIMI DHE “SHTETËZIMI” I EMIGRANTËVE

Sot, tingëllon e tejkaluar që emigrimi të interpretohet politikisht. Nuk gjen asnjë vend tjetër ku ndodh kjo. Emigrimi është tashmë një projekt individual ose familjar, që zhvillohet në kontekstin e lirisë europiane të lëvizjes. Kjo ndodh madje edhe në vendet ku qeverisja shkëlqen. Prirjen për të emigruar duhet të mësohemi ta shohim si një mundësi emancipimi. Jo vetëm si një akt dëshpërimi. Në këtë të ashtuquajtur “shtetëzim” të emigrimit nuk janë “dorëjashtë” as qeveritë.

Ato kanë “luajtur” me emigrantët politikisht, duke i trajtuar ata si klientë apo rezerva elektorale. Politikanët janë mësuar të flasin për emigrantët politikisht, me një mentalitet shtetëror dhe jo zhvillimor. Samiti i Diasporës i vitit 2016 shënoi të paktën përpjekje serioze qeveritare për t’u ngritur mbi retorikat dhe vendosur emigrimin në të njëjtin bosht funksional me zhvillimin e vendit. Kjo sjellje e qeverive, ndoshta është imponuar jo vetëm nga kultura jonë e ekzagjeruar etatiste, por edhe nga boshllëku që ka lenë sektori privat në krijimin e sinergjive me potencialet sipërmarrëse të diasporës.

Është fakt që shumica e nismave për emigrantët janë qeveritare, jo private. Kjo i bën ato afat-shkurtra, të paqëndrueshme, madje pa ndonjë ndikim të dukshëm në zhvillimin e vendit. Edhe politikave të reja për migracionin, pas samitit të Diasporës, sektori privat iu përgjigj në mënyrë asimetrike, të pamjaftueshme. “Të pafajshëm” në “shtetëzimin” e çështjes janë vetëm emigrantët.

Shumica e tyre kanë ndërtuar projektet individuale e familjare, janë përpjekur, kanë fituar ose dështuar, kanë rritur e shkolluar fëmijët, janë emancipuar, janë plakur e kanë dalë në pension, janë bërë qytetarë, madje edhe shtetas europianë, kanë ndihmuar Shqipërinë me sa kanë mundur. Direkt ose indirekt. Ata kanë ndryshuar shumë në krahasim me 27 vjet më parë. Ndërsa politikanët e këtushëm kanë mbetur po ata: të zhurmshëm, retorikë dhe inefiçentë.

Me një ndjenjë të pandryshuar paternalizmi ndaj emigrantëve. Natyrisht, ka pasur e do të ketë edhe emigrantë të zhurmshëm, që vetëpolitizohen e “vetështetëzohen”, që dështimet e tyre i përjetojnë si dështime të Shqipërisë (por sukseset jo). Por këto janë çështje individuale, as politike, as shtetërore, as kombëtare. Individët e suksesshëm nuk i prodhojnë qeveritë, ata vetëbëhen.

3. PËR TË SUKSESSHMIT QË KTHEHEN DHE NDESHEN ME NE, OBSKURANTISTËT

Qindra-mijëra emigrantë janë kthyer në Shqipëri, paralel me ata që kanë ikur e ikin. Janë kthyer emigrantë të suksesshëm, që kanë hapur në Shqipëri sipërmarrjet e tyre ose janë vetëpunësuar me burimet e tyre modeste. Janë kthyer edhe mjaft prej tyre që nuk ia kanë dalë dot. Duhet thënë se mjaft prej tyre kanë qenë në vëmendje të politikave qeveritare.

Por janë kthyer, pa zhurmë e bujë, edhe mjaft ish-studentë të lauruar në universitet perëndimore, disa dhjetëra prej tyre madje në universitetet e famshme, të cilëve shumica prej nesh u ka dëgjuar vetëm emrin. Nuk është se kemi bërë ndonjë gjë të madhe për ta, përveç retorikës. Këtu po, ka vend që çështja të “shtetëzohet”. Për ta duhet të krijohen korsi preferenciale punësimi e rekrutimi, nëse dëshirojmë ta modernizojmë administratën, ta bëjmë atë eficiente dhe perëndimore. Kredencialet e tyre shkëlqejnë para obskurantizmit, mentaliteteve, procedurave e praktikave të disave prej nesh. Atyre po ua di vlerën sektori privat. Por do t’i jepnin më shumë Shqipërisë, nëse sektori publik do të hapej për ta.

4. PËR SHKENCËTARËT EKSELENTË QË NA NDEROJNË NË PERËNDIM

Mjaft shkencëtarë shqiptarë të shquar, për ne të pazëshëm, shkëlqejnë në institucionet perëndimore. Por që mbajnë një sy në vendin e tyre. Ata nuk u bien daulleve, kur shënojnë suksese. Ashtu siç nuk fajësojnë Shqipërinë kur mund të ndodhë, që në fakt nuk u ka ndodhur kurrë, të mos ia dalin në ambiciet e tyre. Pesë anëtarë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë janë korifej të fushave të tyre në Perëndim.

Kardiologu Adnan Kastrati është ndër personalitetet më të shquar të Qendrës Gjermane të Zemrës në Universitetin e Mynihut në Gjermani. Nazim Gruda, ndër shkencëtarët më të mirë të bujqësisë në Gjermani dhe në Europë, u bën nder universiteteve të Bonit, Berlinit dhe Humbold e deri në SHBA. Arben Merkoçi është ndër shkencëtarët më prodhimtarë e më të cituar të nanoteknologjisë në Spanjë dhe në Europë. Shkencëtari Arjan Durrësi është ndër personalitetet e Shkencave të Teknologjisë së Informacionit në Universitetin dhe shtetin e Indianës.

Albert Doja, më i shquari antropolog shqiptar, lauruar profesor i universiteteve në Francë, i është rikthyer pasionit të tij si profesor titullar në Universitetin Lille. Por mund të shkojmë edhe përtej Akademisë. Kur kam takuar për herë të parë Laura Mersinin, fizikanten shqiptare të Universitetit të Karolinës së Veriut, jam habitur jo vetëm me thellësinë e dijeve të saj teorike, si autore e një hipoteze, sot në vëmendjen e kozmologjisë botërore, por edhe me modestinë dhe përkushtimin për Shqipërinë.

Në Miçigan të SHBA shkëlqen një shqiptar shumëdimensional, Nevrus Nazarko: ndër financierët më të shquar të shtetit, funksionar i lartë publik në administratën amerikane dhe profesor universiteti. Ka edhe shumë të tjerë, të cilët kontribuojnë globalisht, por nuk u ndahet shpirti nga Shqipëria, pavar- ësisht se këtu nuk gjejnë dot hapësira për të ushtruar dijet e tyre.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura