Një nga dështimet më spe ktakolare të shqiptarëve përgjatë historisë ka qenë aftësia për të ndërtuar një shtet modern dhe një administratë publike në shërbim të interesave më të mira të vendit. Madje, paaftësia e shqiptarëve për të bërë shtet, ka qenë një argument i përdorur nga shtete të huaja, të cilat kanë pasur interesa të tjera për të ardhmen e shqiptarëve si kom.
Ky argument qëndron akoma. Me përjashtim të periudhës së komunizmit ku njerëzit akoma besojnë se kishte shtet – një tezë që na ndan në gjykimet tona, por kjo nuk është e rëndësishme të diskutohet këtu – edhe pas gati tri dekadash të kapitalizmit demokratik, Shqipëria është në shumë aspekte një vend “pa shtet”. Po ndalem shkurt në analizën e disa fakteve se si i përmbush shteti detyrimet e veta, me të cilat justifikon ekzistencën e vetvetes. Funksioni i mbrojtjes së pronës dhe jetës së qytetarit, themeli mbi të cilin ngrihet dhe ndërtohet çdo shoqëri.
Fakti është se shteti jo vetëm që nuk ka qenë në gjendje të adresojë problemin e pronësisë, por ka shpërdoruar dhe vazhdon të shpërdorojë në mënyrë kriminale, ndjesë për këtë term të fortë, pasurinë publike që presupozohet që ajo ta mirëadministrojë në emrin tonë. Pronarët akoma nuk kanë marrë atë që vetë ligji (edhe pse një ligj i mbrapshtë) ia ka dhënë që nga fillimet e demokracisë. Akoma më keq, pronat, që nga qendra e Tiranës dhe gjithkund ku potencialet për fitime janë të larta, janë zaptuar nga njerëz shtetarë me pushtet, ndërsa pronarët e ligjshëm vazhdojnë të quhen “ish-pronarë”.
Për këto dhe një mori arsyesh të tjera, sot ne akoma nuk kemi një treg toke, prej ku investitorët mund të orientohen për alternativat e tyre të investimeve. Për të maskuar këtë paaftësi për të ndërtuar një treg të tillë, qeveria ka marrë përsipër që edhe t’i marrë qytetarit, në njëfarë mënyre me forcë, pronën private sa herë që vetë qeveria “gjykon se interesat publike e justifikojnë një gjë të tillë”. Këtë e ka parashikuar me ligjin për investimet strategjike, një ligj që cenon pronën private, në tejkalim të çdo autoriteti ligjor, që njihet në një shoqëri demokratike.
Paaftësia për të krijuar një treg, siç është ai i tokës, në këtë rast pasohet nga arbitrariteti shtetëror me pasoja abuziviste serioze për interesat e qytetarit dhe interesat e zhvillimit të vendit. Privatizimet e pronës publike, veçanërisht ndërmarrjet e mëdha dhe pasuritë publike të mbitokës dhe nëntokës, janë abuzuar dhe vazhdojnë të abuzohen përtej çdo limiti të pranueshëm, sa që mund të konsiderohen me të drejtë si politika antikombëtare. Transferimi i pasurive kombëtare në duart e sektorit privat, deri më tani, ka shërbyer vetëm për të pasuruar një grup individësh, apo klientësh, por pa i shërbyer interesave të publikut. Kontrata të negociuara nëpër korridore zyrash qeveritare apo restorante e lokale luksoze hotelesh me pesë yje, nuk mund të ndjekin interesat publike.
Interesat publike mbrohen kur këto asete dhe pasuri ofrohen në mënyrë transparente në tregje, siç janë tregjet e letrave me vlerë. Por as ky treg nuk është krijuar në Shqipëri. Prandaj, edhe interesat e publikut abuzohen. Askush nuk e di se çfarë përfitimesh ka ekonomia kombëtare nga shfrytëzimi i këtyre pasurive. Për më tepër, kontratat koncesionare, edhe pse përdorin pasuritë e vendit që janë në pronësi të të gjithëve, janë dokumente “tepër sekret”, ku vetëm sytë e disa individëve me pozita të larta shtetërore kanë akses. Asnjë bilanc kontabël nuk raporton se si ndahen përfitimet nga këto pasuri. Prandaj kemi kontrata privatizimesh dhe koncesionesh si ARMO, si minierat e kromit,të bakrit e të naftës – që në vend që të prodhojnë pasuri për vendin, po e varfërojnë individin, duke u shkatërruar shtëpinë dhe pronën, komunitetin, duke u shkatërruar florën dhe faunën dhe vendin, duke i vjedhur mundësinë e përdorimit të këtyre burimeve si mjet zhvillimi në një mënyrë të qëndrueshme, edhe për brezat që do të vijnë.
Këto pasuri tregtohen në tregjet financiare botërore dhe shumëfishojnë pasurinë e investitorëve që i aksesojnë ato, pasi vetë vendi që i disponon këto burime natyrore nuk u krijon mundësi qytetarëve të vet të janë aksionarë të kësaj pasurie. Fatkeqësisht, kjo filozofi po vazhdon me përmasa edhe më të mëdha, këtë herë e maskuar me emrin “seksi”, Partneritet Publik Privat. Po kalojnë për aprovim në mënyrë okulte projekte rrugësh, shkollash, vijon nga faqja 1 aeroportesh e portesh, inceneratorësh e gjithfarësoj punësh publike, të cilët jo vetëm që nuk na japin një pamje të qartë se çfarë do të prodhojnë, por po akumulojnë detyrime buxhetore që mund të jenë vrastare për financat publike.
Logjika që po theksojnë shtetarët se me këtë formë partneriteti “do të realizojmë projekte që nuk kemi mundësi buxhetore t’i realizojmë tani”, është shumë dritëshkurtër, pasi ligjet e logjikës ekonomike dhe disiplinës financiare shkelen në një mënyrë shumë të papërgjegjshme. Me këtë logjikë, mund të realizojmë çdo projekt që mund të gjykojmë se na duhet (kryesisht për të blerë vota), duke i thënë çdo individi (që pa problem bëhet investitor) që me paratë e bankave tregtare dhe me garanci të plotë nga buxheti për shlyerjen e kredisë dhe të fitimit të investitorit – cila bankë nuk do jepte para në këto kushte dhe kush nuk do të bëhej investitor në këtë rast!
Një formulë e tillë financiare ia kalon dhe prekjes së Midas, perëndisë që gjithçka që prekte shndërrohej në ar! Togfjalëshi “Partneritet Publik-Privat” duhet zëvendësuar me togfjalëshin “Pazar Qeveri-Klient”. Ofrimi i shërbimeve publike nga sektori privat është një çështje e kapërcyer në gjithë eksperiencën botërore. Nuk ka barriera ideologjike dhe kufij ndarës se “këto punë i bën shteti dhe këto të tjerat i bën privati”. Të dy sektorët konkurrojnë edhe si operatorë ekonomik në prodhim mallrash apo shërbimesh. Disa kompani publike globale (Kinë, Indi, Brazil, etj.) sot kanë provuar se janë shumë më efecientë se kompanitë private.
Por, kompanitë funksionojnë në kushte të barabartë konkurrence, pasi vetëm kjo e përcakton suksesin apo dështimin e garës. Kompanitë publike nuk gëzojnë asnjë avantazh ndaj atyre private, thjesht për hir të pronësisë. Është tregu ai që i shpërblen përpjekjet e më të mirit, më efecientit dhe jo direktivat e qeverisë apo favoret që u bëhen kompanive publike, nëpërmjet politikave mbështetëse, gjoja në emër të interesit publik. Këto lloje politikash, që maskojnë korrupsionin qeveritar duke ia shitur atë qytetarëve si instrument të mbrojtjes së interesit publik, nuk bëjnë gjë tjetër veçse mbajnë peng modernizimin e ekonomisë dhe progresin e shoqërisë.
Shqiptarët po largohen masivisht gjatë viteve të fundit, këtë herë jo për shkaqe të rendit dhe sigurisë, porse cilësia e shërbimeve publike është katastrofë. Arsimi dhe shëndetësia janë në degradim dhe duhet të përbëjnë një prioritet të prioriteteve. Por në vend që të diskutojmë se si mund të arrijmë një arsim dhe shëndetësi cilësore dhe konkurruese të paktën me rajonin, jemi angazhuar në një luftë pa kuptim “private apo publike”. Do të ishte krenari kombëtare nëse do të kishim një universitet privat, që të ishte në listën e universiteteve prestigjioze, të paktën në listën e atyre të rajonit. Po aq krenarë do të ishim po qe se universiteti publik do të ishte prestigjioz në këtë konkurrencë. Ne nuk shqetësohemi që universitetet publike dhe shkollat publike që paguhen nga taksat tona nuk plotësojnë standardet edhe më formale të akreditimit dhe në vend që të revoltohemi, tjerrim teori konspirative se kjo është blerje e qeverisë nga privatët.
Dyert e universiteteve publike qëndrojnë përherë të mbyllura ndaj prurjeve elitare. Asnjë profesor nga universitetet perëndimore nuk është ftuar të punojë në sistemin tonë. Asnjë student i huaj nuk zgjedh të shkollohet në Shqipëri, siç ndjekin shqiptarët universitetet e huaja. Si rregullator, shteti duhet t’i trajtojë njësoj të gjithë ofruesit, sepse pavarësisht pronësisë, e mira publike është edukimi cilësor. Buxheti i arsimit nuk shpërndan rroga dhe të mira materiale për individët, që janë të punësuar në këtë sektor, por mundëson që nxënësit dhe studentët të marrin një arsimim dhe edukim të përshtatshëm për ekonominë e re të sotme dhe atë të panjohur të nesërme.
Spitalet private janë një mundësi që pacientët të marrin një shërbim cilësor dhe për këtë të gjithë jemi të kënaqur. Por, arsimi dhe shëndetësia, nuk mund të funksionojnë si dy industri të ndryshme në varë- si të faktit nëse janë në duar të shtetit apo të privatit. Protokollet e standardeve të cilësisë dhe mbrojtjes së interesave të individit duhet të jenë njësoj. Vetëm konkurrenca, mbi të njëjtat standarde dhe parime, sjell përmirësim dhe modernizim të shërbimeve. Çdo trajtim preferencial sjell vetëm një lëngatë të gjatë të shërbimeve, siç është provuar nga historia.
Nëse do të vazhdojmë të bëjmë debate shterpë të këtij lloji dhe të fokusohemi tek agjenda e vërtetë transformuese dhe ndryshimet rrënjësore të shërbimeve publike, shqiptarët do të vazhdojnë të largohen nga vendi në kërkim të një shteti më të mirë. Shqiptarët nuk abandonojnë vendin; ata abandojnë shtetin e tyre, që nuk e gjetën dot kurrë. Drejtësia është shërbimi ekskluziv, që duhet të ofrojë shteti. Drejtësia nuk mund të vendoset në mënyrë private; kështu ka qenë që në kohët e lashta dhe ndër shoqëritë primitive. Fatkeqësisht, drejtësia sot është thjesht një mall – e blen ai që ka para dhe pushtet. Individët e thjeshtë, të pamundurit ekonomikisht, ata që në libra cilë- sohen si të lënët pas nga progresi, dhunohen pafundësisht dhe janë të braktisur. Partitë politike e shohin drejtësinë si një arenë beteje interesash klanore për të mbrojtur vetveten nga abuzimet e kryera.
Argumenti se po kapet politikisht drejtësia është një tautologji, sepse ajo gjithnjë funksionon si e tillë, “e kapur” politikisht. Gjithnjë ata që janë në krye të institucioneve kushtetuese janë emëruar dhe do të emërohen nga Parlamenti apo qeveritë që janë në qeverisjen e vendit. Edhe deri tani, gjyqtarë dhe prokurorë janë emëruar politikisht. E gjithë atmosfera e nderë politike, që vazhdon që kur është hapur debati për Reformën në Drejtësi, e demaskon fort politikën si të paprinciptë dhe klasën politike që kërkon të ndërtojë institucione në shërbim të vetvetes dhe jo në shërbim të qytetarëve. Prandaj dhe qytetarët do të vazhdojnë të largohen pa pushim. Drejtësia ku qytetari që nuk paguan energjinë elektrike burgoset, ndërsa miliarderët që shfrytëzojnë pasuritë tona kanë fatura miliona eurosh pa paguar, është drejtësia më e padrejtë që njeh historia.
Ruajtja e konkurrencës së ndershme në treg, duke ndëshkuar tregtarin e vogël të rrugës që nuk ka paguar taksën dhe ndërkohë që tolerohen milionat e taksave të papaguara të “peshqve të mëdhenj”, është forma më e dhunshme e tregut! Shqipëria ka një shkallë të deformimeve dhe abuzimeve të tregut në përmasa të papranueshme. Prandaj, dështimi për të krijuar treg, është forma më e dukshme e paaftë- sisë për të krijuar shtet. Duam të kemi një treg ku individët e lirë të kenë mundësi të jetojnë jetën e tyre të përditshme, të ndershme, pa u nëpërkëmbur nga interesa dhe grupe të fortësh, ku biznesi i thjeshtë i rrugës të mos ndjehet i kërcënuar nga biznesmenët që rrinë nëpër holle hotelesh dhe drekojnë me politikanë e shtetar për të vjelë ndonjë përfitim personal. Duam një shtet që pasuritë e publikut nuk i negocion nëpër zyra të errëta e bare luksoze për interesa grupesh e klanesh, qoftë vendase apo të huaja, por që i nxjerr në treg, hapur dhe në mënyrë transparente.
Duam një shtet ku zëri i gjithkujt të dëgjohet, jo me format masovike të qeverisjes me qytetarët, por sipas metodave që ofrojnë demokracitë e zhvilluara. Ky është shteti që i mungon shoqërisë sonë: një shtet që mbron dhe respekton individin, veçanërisht atë të dobëtin dhe që garanton tregun e lirë dhe konkurrues. Tregu është nga ana e vet disiplinuesi më i madh i shtetit. Nota që qeveritë marrin nga tregjet janë matësit e vërtetë të cilësisë së qeverisjeve që ofrojnë partitë politike. Një treg i mirërregulluar dhe funksional është pasqyrë e një shteti të mirë dhe efecient. Druaj, se ne nuk do t’i kemi asnjërën, edhe për një kohë të gjatë, përderisa dëshira për pushtet shfaqet dukshëm, thjesht si etje për të abuzuar, edhe më fort, me interesat dhe pasuritë publike.
*Instituti Europian Pashko
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al