Shuhet në moshën 92-vjeçare regjisori dhe shkrimtari i njohur durrsak

Oct 4, 2020 | 15:55
SHPËRNDAJE

Gjergj Vlashi, regjisori dhe shkrimtari i njohur durrsak është ndarë nga jeta në moshën 92-vjeçare.

gjergj vlashiLajmin e bën të ditur Teatri ‘’Aleksandër Moisiu’’ nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, ku shkruan se kjo është një humbje e madhe për komunitetin artistik duke e konsideruar regjisorin si ‘’Gjergjin e madh të Durrësit”.

“Një humbje e madhe për të gjithë komunitetin artistik, Njeriu që me punën e palodhur ka bërë aq shumë për Teatrin, Estradën, Përkthimin, Letërsinë, na lë sot me një dhimbje të thellë. Për Gjergjin e madh të Durrësit, i paharrueshëm kujtimi i tij”.

Jeta dhe veprimtaria

Vlashi u lind në Durrës më 13 korrik 1928. Shkollën fillore dhe të mesme e kreu në qytetin e lindjes. Që në vitet e para të pas luftës u mor me teatrin amator dhe debutoi në disa shfaqje si “Nën gështenjat e Pragës’, “Prefekti”, “Çani hoxhë”, etj. Pas shërbimit ushtarak punoi si regjisor ne klubin e portit detar dhe në vitin 1957 u emërua regjisor në shtëpinë e kulturës.

Më 5 maj të vitit 1960 u krijua trupa e estradës profesioniste dhe u caktua regjisor, detyrë që e mbajti deri në vitin 1990, kur doli në pension. Ndërkohë ka punuar me shumë trupa të tjera, duke vënë shfaqje në Tiranë, Shkodër, Korçë, Lushnje, Pogradec, me Estradën e Ushtarit, etj. Ka punuar për disa vite si pedagog i jashtëm në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë. Ka marrë pjesë me trupën e Durrësit në shumë festivale, duke fituar disa çmime të para.

Gjithashtu ai është autor i librit “Si vihet në skenë një shfaqje estradë” dhe i shumë artikujve e studimeve për estradën dhe teatrin. Krahas punës si regjisor ka zhvilluar një veprimtari të dendur letrare, si shkrimtar dhe përkthyes. Regjisori dhe shkrimtari Gjergj Vlashi është nderuar nga presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani me Urdhërin “Nderi i Kombit”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura