Gjykata e Krimeve të Rënda ka dënuar ditën e djeshme me 55 vjet burg pesë anëtarët e grupit të Emiljano Shullazit. Vendimi jepet pas plot 50 seancash gjyqësore ndaj këtij grupi dhe pas mbarimit të konkluzioneve të mbrojtjes, që u zvarrit që nga muajt e verës.
Trupa gjykuese e kryesuar nga gjyqtari Fran Preni është tërhequr për të dhënë vendimin rreth orës 17:00 ditën e djeshme për të shpallur më pas dënimin me 14 vjet burg për Emiljano Shullazin, i konsideruar si kreu i këtij grupi kriminal. Shullazi u dënua për akuzën e gjobëvënies dhe atë të krijimit të grupit të strukturuar kriminal.
Ndërsa u shpall i pafajshëm për akuzat e kanosjes ndaj dy profesorëve Dhori Kule dhe Mënyr Koni, si dhe për shkatërrimin e pronës në rastet e vënies së tritolit në garazhin e Jani Zekës dhe biznesit së Adriatik Kërccyku.
Ndërkohë, mbështetësi kryesor i Shullazit, Gilmando Dani, u dënua nga Gjykata e Krimeve të Rënda me 12 vite burg. Gjykata dënoi me nga 10 vite burg dy anëtarët e tjerë të bandës, Endri Qyqja dhe Endrit Zela, ndërsa Blerim Shullazi u dënua me 10 vite burg.
Në përfundim, Gjykata vendosi që 5 të pandehurit të mos përfitojnë nga e drejta e lirimit me kusht dhe dënimin ta kryejnë në një burg jo të sigurisë së lartë. Kujtojmë që në 2 tetor, Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi dënimin me 64 vite burg për Emiljano Shullazin dhe bandën e tij.
Më konkretisht, gjatë leximit të pretencës rreth një muaj e gjysmë më parë, Prokuroria kërkoi dënimin me 17 vite burg për Emiljano Shullazin, i cili, sipas saj, është dhe drejtues i këtij grupi. 15 vite kërkoi për Gilmando Danin, 11 vite burg për Endrit Qyqjen dhe Endri Zelën si dhe 10 vite për Blerim Shullazin.
Prokurori Gentian Osmani, gjatë leximit të pretencës, i kërkoi Gjykatës që të marrë parasysh dhe presionit që mund të kenë marrë dëshmitarët në këtë proces. Ndërkohë, ashtu si dhe në të paktën 5 seancat e fundit gjyqësore ndaj Emiljano Shullazit dhe bandës së tij, edhe ditën e djeshme Gjykata e Krimeve të Rënda ishte e rrethuar nën masa të rrepta sigurie. Forcat policore rrethuan Gjykatën një orë para fillimit të procesit, pra, rreth orës 08:00 të mëngjesit dhe u larguan nga aty rreth 1 orë pas shpalljes së vendimit, rreth orës 18:00 të mbrëmjes.
AKUZAT
Shullazi dhe grupi i tij u shpallën fajtorë nga Gjykata për veprën penale “shtrëngim me anë të kanosjes për dhënin e pasurisë”, në dëm të Ylvi Beqajt. Kjo vepër penale, sipas Gjykatës, është kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal. Nga hetimi i Prokurorisë, ka rezultuar se ka qenë fillimisht biznesmeni që ka kontaktuar me Emiljano Shullazin dhe pas këtij takimi janë bërë edhe 4 takime të tjera.
Beqja ka kontaktuar me Shullazin, me qëllimin që ta ndihmojë në lidhje me procedurat mbi pronësinë e hotel “Vollgës”. Prokuroria i akuzon të pandehurit se duke vepruar si grup i strukturuar kriminal, kanë shtrënguar me anën e kanosjes shtetasin Ylvi Beqja dhe ky i fundit i kaloi në pronësi Emiljano Shullazit një pjesë të ishhotel “Vollga” në Durrës, si edhe shuma të konsiderueshme monetare.
Ndërkohë, Emiljano Shullazi është shpallur i pafajshëm nga Gjykata për kërcënimin e bërë ndaj rektorit Mynyr Koni dhe dekanit të Ekonomikut, Dhori Kule. Referuar pretencës së Prokurorisë, Konit i është afruar një makinë e zezë, ata kanë hapur xhamin dhe e kanë ftuar që të futej në makinë. Pasi është futur në makinë, i kanë thënë se duhet të jepte dorëheqjen nga pozicioni dhe gara.
Ky deklarim i dekanit mbështetet nga veprimi i tij për të dhënë dorëheqjen, kohën dhe momentin që e ka bërë. Por kërcënimit për shkak të detyrës, nuk i ka shpëtuar as ish-rektori Dhori Kule. Sipas Prokurorisë, këtij të fundit i kanë dalë para 3 makina me xhama të zinj, ku dikush i kishte thënë se nuk duhet të ndalonte Konin të jepte dorëheqjen.
TË DËNUARIT:
Emiljano Shullazi 14 vjet
Gilmando Dani 12 vjet burg
Endri Qyqa 10 vjet burg
Endri Zela 10 vjet burg për
Blerim Shullazi 9 vjet burg
Avokati i Shullazit kundër Gjykatës: Akuzat, të stisura
Pas vendimit që dha ditën e djeshme Gjykata e Krimeve të Rënda për dënimin me 55 vjet burgim në total të pesë anëtarëve të grupit “Shullazi”, avokati i kreut të këtij grupi, Vladimir Meçe, i cilësoi si të stisura dhe akuzat dhe nuk u shpreh dakord me vendimin e Gjykatës. Po ashtu, ai nuk kurseu as kritikat për gjykatësit e kësaj çështjeje, ndërsa tha se ata nuk bëjnë dot dallimin mes së drejtës civile e penale.
“Ky vendim është fatkeqësi. Pati edhe akuza që ranë poshtë nga Gjykata. Duhet të binin edhe këto akuza. Vendimi s’u dha i arsyetuar. Fatkeqësi është se kjo Gjykatë nuk i shpëton dot presionit. Në fushën që operojnë këta gjyqtarë, nuk janë në gjendje të bëjnë dallimin mes të drejtës civile, penale dhe administrative. E konsiderojnë një konflikt të pastër civil, si një vepër penale. Akuzat janë të stisura”, tha Meçe.
Ai gjithashtu la të kuptohet se vendimet do të ankimohen në Gjykatën e Apelit për Krimet e Rënda. Edhe më herët, mbrojtja ka akuzuar Gjykatën se është vënë nën presion për të dënuar anëtarët e grupit “Shullazi”. Ata gjithmonë kanë kundërshtuar grupin e strukturuar kriminal si akuzë, e cila shton 5 vjet burgim automatikisht te secili prej të dënuarit. Madje, në seancat e fundit, ka pasur mjaft debate mes mbrojtjes dhe Prokurorisë, sidomos pas zëvendësimit të prokurorëve të çështjes.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al