“Shuplaka” për Skënderbeun! Takaj kërcënon me masa, Daja “shkund” titullarët (E PLOTË)

Dec 20, 2019 | 23:21
SHPËRNDAJE

Skënderbeu nuk e ka kapërdirë humbjen e tretë radhazi në kampionat. Korçarët po zhyten gjithnjë e më shumë në renditje dhe me pikët e lëna në stadiumin “Gjirokastra”, situata është bërë e papërballueshme. Presidentit dhe trajnerit i është sosur durimi, aq sa në të njëjtën ditë janë detyruar që të zhvillojnë mbledhje dhe analiza për të “shkundur” ekipin. 

luftetari -skenderbeu1 logo

Java e fundit e 2019-ës rezervon një ndeshje shumë herë më të vështirë, ndaj edhe në klub duan që skuadra të reagojë para Kukësit. Një ndeshje që duhet fituar, pasi vetëm kështu mund të përmirësohen pozitat në tabelë dhe gjendjet e moralit.

MBLEDHJA – Mungesat bëjnë të vetën, e megjithatë fakti që humbjet po pasojnë njëra-tjetrën, kanë filluar t’i trembin drejtuesit më të lartë të klubit. Diçka nuk po funksionon në Korçë, ndaj edhe Ardjan Takaj ka dashur që të marrë situatën nën kontroll. Ai ka mbledhur ekipin në ambientet e kompleksit “Tropical” (atje ku në fakt do të qëndrojnë deri të dielën, kur luhet ndeshja kundër verilindorëve). Fillimisht është munduar të kuptojë se çfarë po ndodh me lojtarët.

takaj skenderbeu

Ndonëse ka qenë e vështirë që të mësojë diçka më tepër rreth asaj që ngjau në këtë “samit” mes Takajt dhe lojtarëve, gazeta “Panorama Sport” mundi të zbulojë se presidenti ka kërkuar kthesën e menjëhershme dhe jo vetëm në rezultate, por edhe në lojë. Edhe pse pas bojkotit e tha qartazi se nuk po mendon të marrë masa ndaj lojtarëve, një tjetër rezultat zhgënjyes do ta detyrojë Takajn që shkoj drejt penaliteteve.

Ilir Daja

ANALIZA – Para se të niste seanca e orës 13:00, ekipi ka zhvilluar edhe një analizë të detajuar për humbjen. Mosimpenjimi i disa prej titullarëve shqetëson. Në klub prisnin të ishin pikërisht lojtarët që kanë më shumë përvojë që ta merrnin skuadrën për dore. Por e kundërta ka ndodhur, ndaj trajneri është detyruar që t’i “shkundë”.

Skënderbeu në javët e fundit shumë herë është lënë në baltë nga “senatorët”. Madje ndaj Luftëtarit kanë treguar shenja nervozizmi dhe mungesë qetësie. Për këtë arsye numri një i pankinës kërkon impenjim maksimal qoftë në seancat stërvitore, ashtu edhe në ndeshje.

TIFOZËT – Sikur të mos mjaftonin drejtuesit, ekipi është kryqëzuar edhe nga tifozët. Në rrjetet sociale kryesisht në faqen zyrtare të klubit, ata nuk janë kursyer ndaj lojtarëve. Të tilla paraqitje nuk ishin parë prej një dekade në Korçë, ndaj edhe irritimi i sportdashësve është rritur ndjeshëm. Nëse bardhekuqtë nuk reagojnë, rikthimi i të 2009-ës do të jetë gjithnjë e më pranë.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura