“Si donin t’ia fshihnin…”- Nexhimje Hoxha publikon mesazhet e Ramiz Alisë për vdekjen e Hysniut: Si e përjetoi Enveri. Pse Vito Kapo e akuzoi padrejtësisht…

Feb 10, 2020 | 14:50
SHPËRNDAJE

Hysni Kapo vdiq në 23 shtator 1979, në Paris. As doktorët francezë nuk arritën t’ia zgjasnin jetën udhëheqësit komunist.

NEXHMIJE DHE ENVER HOXHA (MAJTAS) HYSNI KAPO E VITO KAPO
NEXHMIJE DHE ENVER HOXHA (MAJTAS) HYSNI KAPO E VITO KAPO

Ishte Ramiz Alia ai që i dha lajmin e kobshëm Enver Hoxhës, përmes një radiogrami. Ky i fundit e kishte nisur vetë Ramiz Alinë në Paris, që të mund të ndiqte nga afër gjithë ecurinë e operacionit dhe kurimit të Hysni Kapos, ta mbante atë të informuar dhe t’i qëndronte pranë bashkëshortes së tij, Vitos. Këto tregon Nexhmije Hoxha në librin e saj “Përjetime dhe meditime në jetën time politike”, ku një kapitull më vete ia kushton raportit të të shoqit me Hysni Kapon.

Në numrin e fundit treguam se si e përjetoi Enver Hoxha lajmin e sëmundjes se Hysniut, dërgimin e tij urgjent në Paris dhe operacionin e gjatë atje. Çfarë përmbante letra sekrete e ministrit të Shëndetësisë, Llambi Ziçishti, për Mehmet Shehun?!

enveri-dhe-hysni

Më tej, Nexhmije Hoxha tregon për vdekjen e Hysni Kapos, lajm të cilin e dërgoi Ramiz Alia, sesi e priti Enver Hoxha dhe si e përjetoi Vitoja dhe bisedat që bënin së bashku. E veja e diktatorit tregon edhe për dyshimet e Vito Kapos për helmimin e ngadaltë të Hysniut, variant për të cilin ajo nuk bie dakord as sot.

Letra e datës 8.8.1979, e dorëzuar dorazi në Tiranë, si tepër sekrete, mban bashkëngjitur edhe një shënim të Kadri Hazbiut, i cili shkruan me shkrim dore:

“Përveç meje dhe daktilografistit, me këtë letër u njoh dhe shoku Nesti Nase. Është fare e qartë se nuk do të bisedohet me asnjeri”.

Origjinalet e këtyre dy letrave që Llambi Ziçishti ia kishte dërguar Mehmet Shehut, ky ia përcolli Enverit. Unë i gjeta në kasafortën që ai kishte në shtëpi, i kam ruajtur dhe i posedoj edhe sot në dosjen e krijuar me ditarët dhe letërkëmbimin mes nesh gjatë periudhës së sëmundjes së Hysni Kapos në Paris, deri më 23 shtator 1979.

hysni kapo+ enveri

Mbas përcaktimit të diagnozës së rëndë, Enveri ishte i preokupuar se si do ta priste Vitoja atë lajm të kobshëm. Duke njohur dhe temperamentin alarmant të Vitos, ai ishte i mendimit që ajo nuk duhej të vihej menjëherë në dijeni, pasi gjendja e saj emocionale mund të krijonte dyshime te Hysniu, i cili duhej të mbahej në gjendje sa më të qetë për ta përballuar situatën e rëndë. Me këtë mendim të Enverit ishin edhe mjekët tanë, të cilët i jepnin një rëndësi të madhe qetësisë shpirtërore të pacientit.

Në letrën që i dërgon M. Shehut, Ll. Ziçishti shkruan:

“Bëmë çmos për të bindur profesor Aleksandrin që të mos i tregojë shoqes Vito diagnozën e vërtetë, siç, veprohet në këto raste në Francë. Shoqes Vito iu shpjegua se u hoq fshikëza e tëmthit dhe u ndërhy në pankreas për heqjen e kistit, biopsia e të cilit paraprakisht tregoi për një proces me natyrë beninje. Për patologjinë e vërtetë janë në dijeni vetëm profesor Hoxha, doktor Gaçe, doktor Dinia dhe unë, kurse në Tiranë e di vetëm shoku Kadri, me të cilin jemi marrë vesh me anën e fjalëve konvencionale, që kishin përcaktuar më parë… Sot, gjendja e pacientit është e kënaqshme, ajo është më e qartë…por do të vazhdojë akoma të mbahet në repartin e reanimacionit… Kemi përshtypjen se pacienti nuk dyshon në gjë të keqe”.enveri-ramizi-nexhmija

Në fakt, pas kësaj letre, gjendja e Hysniut u komplikua dhe radiogramet që vinin për të ishin të shumta, derisa mbërriti radiogrami i fundit, më darë 23 shtator, nga Ramiz Alia, ku thuhej:

“Me pikëllim ju njoftoj se sonte, në orën 21:30, vdiq shoku ynë i dashur, Hysni Kapo”. Enveri e përjetoi me dhimbje të thellë vdekjen e Hysniut. “Nuk e shpëtuam dot, nuk ia zgjatëm dot jetën”, thoshte ai me hidhërim. Për të gjithë ne, që e kishim njohur nga afër Hysni Kapon, kjo humbje ishte shumë e rëndë.

Mbërritjen e trupit të Hysniut në Tiranë, Enveri e priti me një dhimbje të jashtëzakonshme, i mbushur me dëshpërim dhe plot emocione. Ai e pati shumë të vështirë t’i përmbante emocionet e thella para arkivolit me trupin e shokut të ngushtë, të njeriut me të cilin kishte luftuar dhe punuar një jetë të tërë së bashku krah për krah njëri-tjetrit, të frymëzuar nga të njëjtat ideale, të kalitur me zjarrin e luftës dhe në vështirësitë e ndërtimit të një shoqërie dhe shteti të ri.

Hysni Kapoja as edhe një herë nuk i krijoi ndonjë problem Partisë dhe Enverit. Para publikut, Enveri i mbajti emocionet brenda vetes, nuk derdhi lot, por, pas varrimit, në mbrëmje qau me ngashërim nën jorgan. Unë nuk i fola fare, nuk i rashë në sy. Vdekjen e Hysniut e përjetoi me dhimbje i gjithë populli ynë.

Ardhja në ditët e homazheve e njerëzve të shumtë, nga të gjitha rrethet e Shqipërisë, tregonte atë respekt dhe dashuri që kishin njerëzit për Hysni Kapon, udhëheqësin popullor, që ua kushtoi gjithë jetën e tij popullit dhe atdheut. Hidhërim të thellë ndjeva edhe unë. Të dy me Enverin, ato ditë të zisë, shkonim shpesh te Vitoja, që t’i ndodheshim pranë. Në bisedat që bënte Enveri, donte ta kujtonte Hysniun vetëm të gjallë e buzagaz, të urtë e të matur, trim e të paepur.

ramizi-enveri-720x461

Ai kërkonte t’i sillnin nipërit e vegjël të Hysniut, i ulte në gjunjët e tij dhe ata i hidhnin duart në qafë. Enveri i përkëdhelte, i puthte, i bënte të qeshnin dhe ata kënaqeshin me xhaxhi Enverin, siç e thërrisnin. Edhe më pas, Enveri tregoi kujdes t’u qëndronte afër Vitos dhe fëmijëve të saj dhe të Hysniut.

Më 9 nëntor 1979, Vitoja kishte përvjetorin e parë të ditëlindjes së saj, pa Hysniun. Mendova të shkoj e paftuar, të ha drekë me Viton dhe fëmijët e saj. Ajo u ndie mirë që i vajta dhe kur mbetëm vetëm ne të dyja, nuk më la të ikja. Unë ndenja dhe për tri orë bashkë dhe ajo zbrazi me mua, shoqen e saj, gjithë dhimbjen e saj, duke më treguar edhe se ç’kishte hequr ato ditë në Paris.

Po ashtu, më shprehu pakënaqësinë e saj që, siç tha ajo, shoku Ramiz nuk kishte treguar asnjë kujdes për Viton, nuk i kishte qëndruar asaj pranë, duke e lënë shpesh vetëm dhe të painformuar se ç’po ndodhte gjatë orëve të gjata të operacioneve. Gjithashtu, më tha se Ramizi e kishte lënë vetëm tek qëndronte pranë arkivolit, në fund të avionit, gjatë rrugës së kthimit për në atdhe.vito-kapo

E dëgjova Viton, me dhimbje në zemër, për vuajtjet e ankesat e saj, pothuaj pa e ndërprerë, veç duke i thënë herë-herë ndonjë fjalë qetësuese e ngushëlluese. Edhe më pas, vazhdova t’i shkoja pasdrekeve në shtëpi për shoqëri, por vura re që ajo po më qëndronte ftohtë. Si duket kishte menduar se të gjitha ato që me tha atë ditë, unë do t’ia transmetojë Enverit.

Por unë nuk i thashë Enverit asgjë nga përmbajtja e bisedës së Vitos, sepse nuk doja të shtoja edhe më dhimbjen e tij, me përshkrimet e hollësishme, me dyshimet e Vitos dhe me akuzën e padrejtë që ajo bëri për Ramizin.

Në fakt, Ramizi kishte qëndruar më shumë në ambasadën tonë, që të komunikonte shpesh dhe drejtpërdrejt me Enverin, duke i dërguar radiograme njëri pas tjetrin, por edhe që të mos i binte në sy për keq Hysniut.

( Përgatiti Panorama)

VIJON…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura