“Si e ruajtëm për 27 muaj Teatrin, terrori i Policisë natën e fundit”, Robert Budina: Shembja nisi me ne brenda, më drejtuan automatikun

May 19, 2020 | 17:40
SHPËRNDAJE

ANILA DEDAJ / “Kasolle”, “Dopolavoro”, “Ngrehinë populiti”… sa më shumë gurë fjalësh lëshoheshin nga qeveritarët mbi Teatrin Kombëtar, aq më tepër Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit shpalosi shkëlqimin e saj.robert budina

Robert Budina me të tjerë artistë, aktivistë e qytetarë të thjeshtë, që ditën e parë të protestës, (12 shkurt të 2018-ës), kur Mirela Kumbaro fshihte nën mëngë planet për Teatër me PPP gjatë debatit për “Ligjin për artin dhe kulturën” (projektligj), treguan se me vlerat kombëtare nuk bëhen pazare të pista.

Ditën e parë të protestës qenë të shumtë në numër e të vendosur. Në mënyrë simbolike u ulën pranë fotografisë së zmadhuar të kolosëve të teatrit, si për t’u premtuar: Ne do ta mbrojmë memorien e kësaj godine. Disa nuk e përballuan dot presionin, të tjerë e panë më të shenjtë interesin personal, megjithatë Teatri nuk mbeti kurrë vetëm. Ndër qëndresëtarët që s’u tutën qe edhe Robert Budina. Ndonëse tanimë godinën e Teatrit e rrëzuan, siç tregon, “simbolika e Teatrit është më e madhe se kurrë”. Net pa gjumë në Teatër, në vapë e të ftohtë, momente paniku e përplasje, megjithatë regjisori shprehet se qëllimi fisnik i tejkalon të gjitha.

teatri

Për “Panoramën” rrëfen ditët në mbrojtje të Teatrit, deri në aktin final. Momentet e terrorit në Teatër pas mësymjes së Policisë, çka ndodhi me rekuizitën dhe objektet me vlerë, si dhe orët në komisariat. E ndonëse thotë se rezistenca për Teatrin i rrëzoi maskën këtij “pushteti mafioz”, kur e pyesim për rolin e drejtësisë së reformuar në gjithë ngjarjen që ndodhi, me keqardhje shprehet se “nuk ekziston”…

Zoti Budina, jeni në krye të protestave prej shkurtit të 2018-ës. Rezistencë e përnatshme, orë pa gjumë, në vapë e të ftohtë. Ka qenë e vështirë të rezistonit në këto rrethana të jashtëzakonshme, në emër të një kauze të drejtë?teatri Kombetar ore pas ore reportazhi

Një njeri mund të rrijë në të ngrohtë, në kushte komode dhe të jetë i parealizuar. Nga ana tjetër, mund të ishte në kushte jo të mira, që kërkojnë sforco fizike, por të jetë i motivuar mendërisht. Kjo ndodhi me ne në Teatër. Fizikisht kemi pasur vështirësi, por energji pozitive që kemi shkëmbyer ka qenë e duhura, kështu që kemi qenë të inkurajuar dhe nuk e kemi parë aspak si sakrificë.

Në 30 vite demokraci, treguat se shqiptarët, kur u cenohen të drejtat, dinë të rebelohen me qytetari, t’i përgjigjen edhe arrogancës me art. Afro 80 shfaqje, diskutime, mbrëmje poetike, ekspozita, në të cilat ju keni qenë një nga organizatorët kryesorë…

Nuk më është dashur të bëj organizatorin, pasi njerëzit, artistët me iniciativën e tyre të lirë u qasën vetë te Teatri dhe arritën të krijonin një magji, që i kaloi pritshmëritë e mia. Unë thjesht ndihmova që të gjithë ata që u ofruan për të folur, performuar apo thjesht të ishin aty, të bashkoheshin. Qytetarët, kolegët tanë, intelektualët erdhën sepse besuan realisht te kauza jonë dhe te fakti se beteja që po bënim ishte e pastër.

Momentet kritike nuk kanë munguar. Tej ngjarjes të së dielës, përmend 24 korrikun e 2019-ës, të tjera provokime si ajo e javës që lamë pas. Nga ana tjetër, ju jeni artist, por edhe familjar, te të cilët këto situata ngjallin shqetësime…

Sigurisht që ata janë tronditur, kjo edhe nga lajmet e rreme që ndonjëherë qarkullojnë. Në këtë këndvështrim, qëllimi për të mbrojtur një të drejtë kërkon një lloj sakrifice. Por këtu nuk po flitet për qëllime të dobëta apo për përfitime personale.. ajo që edhe njerëzit po kuptojnë është se beteja jonë bëhet për një interes të përbashkët. Dhe në këtë rast, fitorja është te qëllimet tona fisnike.

Java që kaloi ka qenë e tensionuar, e premtja ndezi edhe më shumë debatin me kolegët tuaj, prej peticionit të atyre artistëve dhe punonjësve të administratës shtetërore që kërkonin shembjen e Teatrit, për të ndërtuar një të ri. Si e pritët?aktivistet-teatri-bulevard (9)

Ajo ishte një lojë politike shumë e dobët e kryetarit të bashkisë. E respektoj dëshirën e atyre që firmosën për një teatër të ri, ndonëse për këtë kërkonin të shembej Teatri Kombëtar. Por unë shtrova një pyetje: Përse duhet ta shembin me ligje antikushtetuese dhe duke bërë lojën mafioze që u bë? Sepse ajo ishte një lojë e pistë politike.

Të dielën kaluat orë të vështira… Fillimisht paniku për një sulm të mundshëm e mandej mësymja e befasishme. Çfarë ndodhi konkretisht në Teatrin Kombëtar, mëngjesin e 17 majit?

Ishim lajmëruar se mund të vinin në orën 11. Pastaj, sipas sinjalizimeve, mësuam se u shty për në orën dy, çka më vonë u mohua. Thanë që nuk vijnë sot. Nisur nga kjo, një pjesë u larguan e pjesa tjetër ngeli aty. Ata zbarkuan në orën 4 e 15. Erdhën me ulërima. “Zhdukuni, qërohuni, jashtë, jashtë!”, thërrisnin nga të katërta anët. U krijua terror. Shumë prej nesh u futën me shpejtësi në Teatër. Gjatë kësaj, një grua u rrëzua dhe ata e shkelën me këmbë. Ndërkohë, unë dhe 7 aktivistë të tjerë u fshehëm në një dhomë të katit të tretë të Teatrit. Ndërsa rrinim aty, përpiqeshim që të lajmëronim njerëzit me mesazhe që të vinin. Mirëpo, ndërkohë të gjitha daljet u bllokuan. Prej aty ku ishim, nisëm të dëgjonim disa goditje të forta. Menduam se ishin fadromat dhe deri më tani nuk ka një alibi që nuk ishin ato. Pra, filloi shembja e Teatrit ndërkohë që ne ishim aty, madje edhe vetë policët ishin brenda. Na zbritën me dhunë poshtë dhe te dera kryesore, forcat “Shqiponja” na shtynë. Ishte e vështirë të dilje në këto kushte… Po ushtronin terror. Mua nuk më prekën, por rreth 5 veta m’u drejtuan personalisht që të më terrorizonin. Unë dola nga dera anësore e Teatrit, aty më kapën dy të forcave “Shqiponja” për të më shoqëruar. Ishte edhe Forca e Ndërhyrjes së Shpejtë, madje me aq sa ne kemi informacion, forca speciale pjesë të ushtrisë, të stërvitura me maskë, që ishin marrë për të forcuar Policinë. Ata ishin pa numra identifikimi. Njëri prej tyre më drejtoi automatikun, thjesht dhe pastër për të krijuar presion psikologjik. Mandej, më shoqëruan në furgon. Por ndërkohë, Neritan Liçaj dhe Juli Emiri ishin ende në tarracë dhe e dinë më mirë nga të gjithë si dëshmitarë, se Teatri nisi të shembej me ta brenda. Madje, mund të them se ende nuk jemi të sigurt nëse dikush ka ngelur nën rrënoja, pasi ishte e pamundur të kontrolloje në errësirë nëse kishte apo jo njerëz në ambientet e Teatrit.

Ju thatë se shembja nisi me artistët brenda, po me rekuizitën ndërkohë, bobinat e të tjera objekte me vlerë, për të cilat patën ngritur shqetësimin edhe Veliaj e Çuli pak ditë më parë, çfarë ndodhi?

Ata e shembën Teatrin me gjithë rekuizitën, kostumet, prozhektorët e gjithçka kishte brenda. Madje, aty kishim dhe pajisjet tona të zërit, sendet personale, dokumentet etj. Diçka absurde, në një kohë që alibia e tyre ishte se duhet të zbraznin Teatrin e të merrnin rekuizitën, çka nuk e bënë. E shembën në formën që të gjithë e panë.

Çfarë ndodhi pasi u shoqëruat në komisariat?

Mua më shoqëruan personalisht për në Drejtorinë e Policisë. Aty unë fola me familjen, por ma morën telefonin me dhunë. Më thoshin: Pse po xhiron e të tilla justifikime. Përsëri në Komisariatin Nr.2 kërkova të flisja me familjen, por nuk më lejonin. Madje më pengonin, kësaj here jo me dhunë, por duke nxjerrë justifikime. Mbasi u kërcënova, u thashë se do filloj të bërtas, ta shqyej derën. Më tej, erdhi avokati i popullit, i cili mori një deklaratë, ku tregova këto që po ndaj me ju. Kur më liruan, po tregoheshin të sjellshëm, duke më pyetur në fund nëse kisha ndonjë gjë kundër Policisë atje në komisariat. U thashë se jo, por ndërkohë ata kishin sabotuar daljen time të shpejtë, e cila do të mund të zbardhte edhe të tjera fakte, që do sillnin zhvillime të tjera.

Ndërkohë, ju u kthyet përsëri në protestën e krijuar në hyrje të pedonales. Godinën e Teatrit nuk e gjetët aty. Pas 27 muajsh rezistencë, si u ndjetë prej këtij fakti?

Dua të theksoj se rënia e godinës së Teatrit Kombëtar nuk ka lidhje me rënien e simbolit të Teatrit. Teatri Kombëtar do të rikthehet në gjendjen e tij, por e gjitha kjo që ndodhi, nxori në pah se me çfarë pushteti kemi të bëjmë. Tani edhe ndërkombëtarët janë zgjuar përfundimisht. Ju do të shikoni reagimet që do të ketë nga shumë palë. Çështja e Teatrit bëri të plasë qelbi i të gjithë korrupsionit që ka mbërthyer Shqipërinë, duke nisur nga mungesa e drejtësisë e të tjera hallka. Kjo, pavarësisht rrëzimit të godinës, është një fitore, e cila duhet të mbahet me pastërti, që të ruajë gjithë madhështinë e saj. Do të duhet një proces i gjatë, por që mund të ketë ndikimin e saj edhe në procesin zgjedhor. Media të huaja kanë treguar interes të shkruajnë, gazetarë që më parë kanë përkrahur Ramën dhe që tani, kur çdo gjë u bë e qartë, do t’i kundërvihen. Një prej tyre, që së shpejti do të shkruajë një artikull në mediat italiane, më tha: “Robert, jemi me ju, protesta juaj i detyroi ata që të rrëzonin muret me idenë se do të rrëzojnë simbolikën. Por kreu totalisht efektin e kundërt, simbolika u zmadhua…”

Dy padi të Presidentit në Gjykatën Kushtetuese, kallëzimi juaj në SPAK për tre inxhinierët që firmosën relacionin mbi të cilën këshilltarët bashkiakë firmosën shembjen, për të mos folur për mënyrën që policët zbarkuan, orën, terrorin… Si ju duk roli i sistemit të drejtësisë në gjithë këtë?

Më vjen keq ta them, por drejtësia nuk ekziston…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura