Ashtu si drejtuesja e Komitetit të Ekspertëve, zv.ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli, duket se edhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ardi Veliu, ka vendosur t’u kujtojë qytetarëve një mbyllje të mundshme dhe në këtë formë ka arritur të shuajë protestën në ditën e gjashtë.
Policia e Shtetit, përmes një njoftimi të nisur paraditen e djeshme, përmendi respektimin e masave kundër Covid-19, duke u kujtuar protestuesve se nuk lejohet grumbullimi i më shumë se 10 personave. “Në mënyrë që të mos kalojmë në një etapë tjetër të një mbylljeje përtej kufijve të deritanishëm, nga të gjitha institucionet që kanë detyrime, të vazhdohet me seriozitet maksimal zbatimi i Aktit Normativ për zbutjen e efekteve të pandemisë”, thuhet në fund të njoftimit të Policisë.
PROTESTA DJE
Në orën 18:40 nisi edhe dje grumbullimi i të rinjve në Sheshin “Skënderbej”, të cilët në disa prononcime për mediat kanë kërkuar largimin e menjëhershëm të drejtorit të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu. Disa prej tyre mbanin pankarta në duar dhe vazhdojnë të kërkojnë “drejtësi për Klodianin”, ashtu si në 5 protestat e mëparshme. Megjithatë, ndryshe nga ato, dje tubimi ishte paqësor. Qytetarët, të cilët ishin në një numër më të reduktuar se dita e diel, rreth orës 19:10 u nisën nga Sheshi “Skënderbej” drejt Kryeministrisë. Por në ndryshim nga ditët e mëparshme dhe në protestë kishte qytetarë të të gjitha moshave dhe jo vetëm të rinj. Teksa u rreshtuan para kordonit të Policisë para institucionit të Kryeministrisë, ata thërrasin “Unë jam Klodiani”, “Drejtësi për Klodianin”. Po ashtu, edhe qarkullimi i makinave nuk ishte bllokuar totalisht, pasi protestuesit kanë ecur vetëm në një karexhatë. Rreth 30 minuta më vonë protestuesit kanë nisur të largohen nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, ku ishin vendosur para Kryeministrisë. Me thirrjet “lironi vëllezërit tanë”, ata nuk kanë shkuar si çdo natë pranë Drejtorisë së Policisë, por janë grupuar para Ministrisë së Brendshme. Pas dorëheqjes së Sandër Lleshajt, nga posti i ministrit të Brendshëm, tashmë ata kërkojnë edhe largimin e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu.
POLICIA
Policia e Shtetit njoftoi dje se në zbatim të Aktit Normativ, me qëllim respektimin e masave kundër COVID-it për shkak të gjendjes shqetësuese të shkaktuar nga pandemia, nga të gjithë shtetasit në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, për rritjen e sigurisë publike në tërësi nisur edhe nga protestat e fundit, kërkohet zbatimi i masave dhe i protokolleve të miratuara nga Komiteti i Ekspertëve dhe urdhrat e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. “Policia e Shtetit është shumë e vetëdijshme për të drejtën e protestës dhe lirinë e pacenueshme të tubimit. Në kushtet e sensibilizimit të madh të shoqërisë pas tragjedisë së djalit njëzetepesëvjeçar që humbi fatalisht jetën nga dora e një efektivi policie, Policia e Shtetit e ka pasur të pamundur ta anashkalojë ndjeshmërinë popullore për të mos lejuar asnjë tubim. Por tanimë kur drejtësia po kryen detyrën e saj ndaj autorit të vrasjes dhe kur protestat kanë degraduar në organizime që kanë për qëllim cenimin e rendit publik dhe pronës publike, Policia e Shtetit nuk do të tolerojë asnjë grumbullim që bie ndesh me kornizën aktuale të masave shtrënguese”, u shpreh dje Policia e Shtetit, duke renditur edhe kërkesat e akteve që përcaktojnë masat shtrënguese, për të cilat u kërkon qytetarëve që t’i mbajnë parasysh. Sipas Policisë, në mënyrë që të mos kalojmë në një etapë tjetër të një mbylljeje përtej kufijve të deritanishëm, nga të gjitha institucionet që kanë detyrime, duhet të vazhdohet me seriozitet maksimal zbatimi i Aktit Normativ për zbutjen e efekteve të pandemisë.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al