Sinqeriteti i Edi Ramës dhe “vetmia” e Gjergj Fishtës

Oct 26, 2021 | 12:30
SHPËRNDAJE

NGA AGRON GJEKMARKAJgjekmarkaj-770x433

Më 23 tetor, kolosi i letrave shqipe, Gjergj Fishta, mbushi 150 vjeç, kësisoj preku tre shekuj, duke u përmbushur tanimë edhe në kohë përcaktim –KLASIK. Bashkia e Lezhës u mundua ta përkujtojë sa mundi e sa diti gjatë së shtunës. Por Atë Gjergj Fishta nuk është një autoritet lokal, siç e trajtoi qeveria shqiptare, me harresë, padije e ligësi. Ne e kemi parë Edi Ramën në këto vite të shndërrohet në kameleon, që nuk lë figurë të socrealizimit pa begenisur, të lëpijë çdo pështymë që ka hedhur mbi ta me gojëligësi, me telegrame, dedikime për konsum publik.

Fjalët e cekëta të Edi Ramës nuk kanë ndonjë rëndësi në vetvete, ashtu të bjerrura në vërtetësi, të zvjerdhura në përsëritje, bajate në kumt, meritojnë të bëhen shuk e të hidhen në kosh si çdo demagogji e artikuluar si përtypje çamçakëzi, por meqenëse ende është Kryeministër i këtij vendi, në disa raste pritet të sillet si i tillë. Pritet të mos jetë gegofob, krahinorist, i pamoral në shije për të kënaqur të gjithë detraktorët e Poetit Kombëtar.

Kjo është qeveria që ushqehet te Nusreti me “tarator”, “pilaf me kos”, “mish me qepë” e “majdanoz” “shishqebap’, “brizholla viçi”, “kunguj të mbushun”, “kuzuici”, “kabuni” e “muhalebi” “me barkun kodër të kargatisun e të bamun lodër”. Një qeveri që nuk e njeh për asgjë historinë kulturore e as atë politike të këtij vendi. Rreth Edi Ramës të pajisun me dije të cekëta, nëpër gazeta metrosh, leskra kulture vjedhur nga thashetheme tavolinash, por me ambicie sundimi, të cilat kënaqin çdo gjë shtazore dhe asgjë lëndore te njeriu, janë mbledhur një tufë armiqsh të librit, të kulturës, të trashëgimisë të këtij vendi.

Si uri injoranca i murrëten. Sigurisht, secili prej tyre di çmimin e gjithçkaje e vlerën e asgjëje. Nuk është çudi që disa sish ta dinë Fishtën për markë profumi apo këpucësh e madje nga zelli për t’u dukur të thonë “a në Milano i bleva një palë me atë emër apo një pardesy në Paris”. Po Fishta u bë 150 vjeç dhe veset e racës janë po ato, të politikanëve mos më shumë, që ai i ka trajtuar në pamfletet e veta. Qeveria e zhurmave, fasadave, borive, e tatatave e tytytyve e la në vetminë e vet madhështore. Por edhe Edi Rama, i cili me gjasë pak ose aspak e ka lexuar Fishtën mbeti aty ku ishte, në shijet e veta, aty ku origjina e tërheq si magnet. Sado që ka bërë përpjekje hipokrite, nuk ia ka dalë as politikisht, ndërsa kulturalisht jo e jo të shkëputet prej saj. Nuk u ngjit kurrë deri te Fishta, mbeti te “partizani Meke”, “te traktoristi Ibrahim që zgjohet herët në agim”, “te festë të madhe ka sot fshati se arrestohet Reshati” apo te Kethe Spiri.

Ed Rama që kujtohet për akademikët e Enverit t’i sajdisë për ditëlindje, për ndonjë bejtexhi mediokër përroskave, nuk gjen kohë as ta kujtojë e jo më të urdhërojë lepet peqet e tij në punë, dije e kulturë ta shpallin si vit të Fishtës, t’i ribotojnë veprën, të bëjnë atë që çdo shtet e shoqëri serioze bëjnë me themeluesit e vet, një themelues identiteti, gjuhe, kulture e shteti në këtë rast…

Ndoshta, Edi Rama e di që të nderosh Fishtën nuk duhet të jesh demagog, gënjeshtar, rrethuar me dyrdylë, kopukë, kodosher e surratqerepe me barkun prej llastiku, hajdutë gjithëçfarë ngjyrash. I sinqertë u tregua që s’e ngacmoi së vdekuri me llafet e veta plot djersë e yndyrë si gromësima mejhanesh në këtë përvjetor të shenjtë të madhin e Kombit. Po kaq të ndershëm u treguan reoskopët e qeverisë së tij, të cilët i ngjatjetojmë me vargjet e Fishtës “se un tash jam reggjë me jue/e jua njof shpirtin deri në palc/pleh i ndytë më u bartun n’shalc/e me u qitë jashta Shqipnie”.

*Ky artikull është ekskluzivisht për “Panorama.al’. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë dhe pavendosur hiperlinkun e artikullit origjinal do të ndiqet në rrugë ligjore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura