“Sistem me 4 zona elektorale në Shqipëri e lista të hapura”- Partitë e vogla kërkojnë ndryshim të sistemit zgjedhor

Jun 30, 2023 | 7:27
SHPËRNDAJE

VALENTINA MADANI/ Nisma “Thurje” e mbështetur nga disa parti të tjera opozitare në vend nisi dje një fushatë për të ndryshuar sistemin zgjedhor në Shqipëri. Në një deklaratë në tryezën e thirrur dje ku ishin të pranishëm edhe përfaqësues të shoqërisë civile, Pano Soko deklaroi se përmes rajonalizimit partia në pushtet ka mundësi më të mirë për të kontrolluar votën.

1688034279_dashamirshehi

“Atë që është e vogël nuk ka sens ta copëtosh në copa edhe më të vogla. Nëpërmjet rajonalizimit partia në pushtet ka një mundësi kontrolli më të mirë të votës. Baronët lokal janë padronët e rajoneve, që marrin përsipër vota për të ndihmuar partitë në pushtet”, tha Soko. Katër parti të vogla të opozitës u bën bashkë për nisjen e fushatës ku kërkohet një sistem i ri zgjedhor. Kreu i partisë republikane, Fatmir Mediu tha se sistemi zgjedhor duhet ndryshuar sepse ende nuk ka zgjedhje të lira dhe të ndershme.

“Pas 33 vitesh demokraci ne akoma nuk kem zgjedhje të lira dhe të ndershme. Thelbi ishte një sistem zgjedhor me lista të hapura,. Sistem proporcional kombëtar. Propozova një listë kombëtare që vota e një partie mos t’i shkojë një partie tjetër. Pjesëmarrja e Diasporës në votime. Ka dy rrugë, një është rruga parlamentaret me 1/5 të deputetëve dhe një tjetër edhe me 50 mijë firma nga qytetarët. Mendimet kundra s’kanë qenë racionale për mendimin tim. Nuk mendoj se PD nuk e do sidomos ata që vijnë nga qarqet”, deklaroi Mediu.

Ai theksoi se një pikë e rëndësishme e kësaj nisme është edhe vota e diasporës. Sipas tij ky diskutim duhet të shoqërohet me debat në Kuvend nga të gjithë deputetët. “Besoj që në të gjithë këtë proces që po diskutojmë sot e rëndësishme është konkretizimi. Kemi pasur edhe parti të tjera që janë bashkuar por më pas e kanë bojkotuar. Nisma referendare është e domosdoshme. Një pikë e rëndësishme është votimi i diasporës. Duhet ta garantojmë patjetër. Nuk ka sens më që diaspora shqiptare të mos votojë. Unë mendoj që ne duhet të bëjmë një hap tjetër. Nuk besoj se sistemi i kuotave është ai që duhet. Unë mendoj që kjo nismë duhet të shoqërohet me një diskutim me të gjithë kolegët e Kuvendit të Shqipërisë. Kushdo të bëhet pjesë e kësaj lëvizje do të japë kontribut të mirë për të realizuar në Shqipëri zgjedhje të lira dhe të ndershme”, deklaroi Mediu.

Në një konferencë për shtyp së bashku me “Nismën Thurje”, Partinë Republikane dhe Partinë Agrare Ambientaliste, kreu i LZHK, Dashamir Shehi tha se e vetmja mundësi që ka mbetur për të rrëzuar dominancën PS-PD në zgjedhje. Kërkohet mbajtja e një referendumi ku qytetarët të pyeten mbi ndryshimin e sistemit zgjedhor me propozimet e bëra nga Nisma Thurje dhe partitë e tjera opozitare. Shehi tha se kjo nismë do të jetë në qendër të aksioneve politike deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Dashamir Shehi nënvizoi nevojën për thyerjen e monopolit nga dy partitë e mëdha në vend të cilat nuk lënë asnjë forcë të re politike që të futet në këtë fushë.

“E kemi marrë këtë iniciativë që të ndryshojmë diçka që realisht ka rëndësi për Shqipërinë. Zgjedhjet e tjera janë pas 1 viti e gjysmë. Opozitën shqiptare nuk e shpëton vetëm një ligj. Nëse nuk ka ndryshim me këtë ligj që propozojmë sot është bërë malore rruga. Është e vërtetë që grupi i PD zyrtar i përfituan dhe ata nja tre deputetë. Këto nuk lënë më vend që të ulet në tavolinë njeri tjetër. Ne sot i kemi ftuar të gjithë. Nuk kanë ardhur. Kanë ardhur ata që janë të interesuar për të thyer këtë monopol që kanë këta dy dhe nuk lënë njeri tjetër të hyjë në këtë fushë dhe të merret me politikë. Nëse do gjejmë flamur të vegjël që ky është i korruptuar. Opozita duhet të dalë jashtë këtyre muhabeteve dhe të merret me politikë reale. Ne i ftojmë të gjithë palët të vijnë që kanë dëshirë për ta ndryshuar këtë punë”, u shpreh Shehi. Nga ana tjetër, kreu i PAA, Agron Duka u shpreh se me këtë sistem zgjedhor vota e qytetarëve nuk shkon aty ku orientohet.

“Unë gjykoj që është e domosdoshme që ky sistem zgjedhor të ndryshojë sepse nuk ka dakordësinë e forcave politike. Maxhoranca i bëri ndryshimet vetëm me leverdinë e saj. Nuk ka dakordësinë e popullit shqiptar. Ky takim do të vazhdojë në të gjithë Shqipërinë. Të gjithë shprehen të pakënaqur me mënyrën e votimit. Gjithmonë kryetarët e partive në mazhorancë kanë nevojë për mekanizma të tillë për të mbajtur pushtetin. Vota e popullit nuk shkon aty ku orientohet. Nëse PAA merr 8 mijë vota, dhe nuk merr 10 mijë ato 8 mijë hidhi në kosh. Qëllimi që jemi mbledh është vetëm pozitiv. Nuk ka asnjë skemë negative. Kjo i bën nder opozitës. Ne bëjmë ftesë që të bashkohemi rreth ideve. Të gjithë kanë një interes”, deklaroi Duka.

12 PROPOZIMET E 4 PARTIVE OPOZITARE PËR NDRYSHIMIN E SISTEMIT ZGJEDHOR

1. Aplikimi i një Sistemi Zgjedhor Proporcional me katër ose më pak zona zgjedhore, duke respektuar ndarjen politike dhe ekonomike të rajoneve në Shqipëri.

2. Formula e shpërndarjes së mandateve të ndryshojë nga D’Hondt, ku pjesëtimi shkon në favor të partive të mëdha, në Saint Lague ku pjesëtimi me numra tek garanton një përfaqësim më të drejtë duke minimizuar deformimin e vullnetit të zgjedhësve.

3. Subjektet zgjedhore të garojnë me lista plotësisht të hapura, pa kufizuar preferencat e votuesit (i.e. shfuqizimi i herësit në shpërndarjen e mandateve).

4. Zgjedhësi të ketë mundësi të zgjedhë brenda të njëjtës listë deri në 5 kandidatë preferencial (sipas modelit të vendeve të tjera p.sh. Kosovës).

5. Fleta e votimit të përmbajë detyrimisht emrat e kandidatëve garues në listat garuese të subjekteve zgjedhore.

6. Zëvendësimi i pragut kombëtar me pragun ligjor rajonal, i cili nuk mund të jetë më shumë se 1% e votave të marrë në rang rajoni.

7. Aplikimi i sistemit proporcional preferencial, me dy preferenca, për zgjedhjet për kryetarin e bashkisë.

8. Aplikimi i sistemit zgjedhor proporcional me lista të hapura për këshillat bashkiak (njësoj si për zgjedhjet e përgjithshme).

9. Votimi i shqiptarëve të diasporës përmes postës, sipas modelit të aplikuar në vendet e zhvilluara.

10. Votimi elektronik pranë vendbanimit të përkohshëm, ose me postë, për shtetasit shqiptarë që jetojnë përkohësisht brenda Shqipërisë por larg rezidencës së tyre të përhershme.

11. Ulja e moshës minimale për të ushtruar të drejtën e votës që në moshën 16 vjeçare, e cila është mosha e përgjegjësisë ligjore.

12. Aplikimi i kufizimeve proporcionale në organizmin e fushatës zgjedhore edhe në sektorin privat, përveç kufizimeve që aktualisht aplikohen në sektorin publik (si p.sh. hapësira mediatike, reklamat dhe billboardet).

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura