Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në një lidhje me Skype për News 24 nga Kievi ku ndodhet për një vizitë zyrtare, ka komentuar zhvillimet e fundit politike.
I pyetur për deklaratat e bëra një ditë më parë nga Ilir Meta dhe Sali Berisha ku thanë se do të ketë një koalicion mes tyre, Veliaj tha se kjo nuk i tremb aspak pasi ata nuk kanë më se çfarë t’i japin Shqipërisë.
“Është diçka që shumëzohet me 0, çdo shumëzim me zero prodhon zero, nuk kanë më çfarë i japin Shqipërisë. Nuk di lider botërorë të takohen me Metën dhe Berishën, oferta e tyre për të kyçur Shqipërinë më duket absurde. Nuk kemi folur dot për shkolla në kohën e Kristalit dhe Vitrinat, Meta dhe Berisha e kishin bashkinë e Tiranës por nuk bënë asgjë.
Duhet që Meta të prodhojë foto nga Kabuli për të ilustruar temat e veta, ajri i pastër siç është te Gjiri i Lalzit është dhe në Tiranë. Nëse dikush në këtë proces (inceneratorët) të bëjë gabime, ta ndjekë prokuroria, Rama ka treguar që jo vetëm që nuk mbron, por nuk vret njeri…
Sa kohë që dhe në denoncime qasja e Ramës është ‘kush ka bërë faje të shkojë të japë llogari’, ama që të vrasim për protesta dhe pastaj të krenohemi, kjo nuk ndodh. Janë rrënoja morale që vijnë nëpër këmbë, na duhet një lider i fortë si Rama, ata shumëzohen me zero.
Bashkimi i tyre nuk na tremb, por e bën pak më të qartë situatën. Kur llumi mblidhet në një vend, nuk lë vend për mëdyshje, kontrasti është më i qartë… Vijnë në Tiranë si turistë politikë, pastaj kthehen prapë në pishinë dhe na tregojnë jetën nga deti”, tha Veliaj.
Veliaj nga Ukraina: Do ndihmojmë Kharkivin të ringrihet pas bombardimeve
Nga Kievi kryebashkiaku Erion Veliaj ka deklaruar se Bashkia e Tiranës do të ndihmojë Kharkivin e bombarduar nga Rusia të rimëkëmbet pas përfundimit të luftës.
Veliaj i cili në një lidhje live me “Skype” për News 24 rrëfeu mbi vizitën e tij në disa prej qyteteve më të goditura nga lufta, tha se vendi ynë përvec se me ndihmën konkrete në ringritjen e shkollave dhe infrastrukturës në Ukrainë do të kontribuojë dhe me ekspertizën e një vendi të sapo rindërtuar pas një tërmeti si i ai 26 Nëntorit 2019.
“Ndamë pak eksperiencën tonë me tërmetin, se si në vend që njerëzit të rrinë nëpër kontejnerë, nëpër çadra, apo në vende provizore, pagesa e qirasë doli që ishte edhe më efektive si kosto, sesa mbajtja e kampeve pafund. Dhe në disa qytete, sidomos në Irpin edhe në Bucha që vizituam dje, situata ishte vërtet dramatike, domethënë në periferi të Kievit. Për ne ishte tragjedi tërmeti, por natyrës nuk ke çfarë i bën, kurse këtë në fakt e bën dora e njeriut, vendime të politikës. Ndaj dhe besoj që në një botë dhe në një Europë sidomos që është shumë e trazuar, vendet kanë nevojë për stabilitet dhe kanë nevojë për lidership të fortë për të kaluar këtë situatë dhe sidomos situatën e dimrit që siç po parashikohet nga të gjithë do të jetë sfiduese për çështjet e energjisë edhe të karburantit,” u shpreh Veliaj.
Kreu i Bashkisë ka folur edhe në lidhje me marrëveshjen në kuadër të rrjetit Eurocities si dhe atë të binjakëzimit të Tiranës me Kharkivin i cili tha ai edhe sot po bombardohet nga forcat ruse.
“Rrjeti i Eurocities ka rreth 200 qytete, ne ishim vetëm përfaqësia, pra bordi i organizatës. Tirana është një qytet binjak me Kharkivin. Ajo është zona në fakt ku po bombardohet aktivisht. Ne ishim në Kiev, në kryeqytet, kështu që kryetari i Bashkisë së Kharkivit e kishte të pamundur të vinte duke qenë se edhe dje ka patur bombardime, humbën jetën 20 vetë në Kharkiv. Kharkivi fatkeqësisht është në një zonë kufitare me Rusinë, aty ku edhe bombardimet janë të përditshme. Pra në qoftë se në Kiev bie alarmi dhe në fakt janë zonat periferike ato që janë sulmuar më shumë, në Kharkiv nuk është çështje alarmi, bie realisht një shi me bomba. Kështu që ajo që ne kemi marrë përsipër si Këshill Bashkiak, tashmë kemi vendosur që ne do të rindërtojmë një shkollë. Është diçka që kthen një lloj mirënjohjeje. 5 mijë shqiptarë kanë jetuar në harmoni me atë komunitet dhe bëhet fjalë për familje të vjetra shqiptare që kanë ikur që nga koha e Skënderbeut,” u shpreh kreu i Bashkisë.
Ai deklaroi gjithashtu se në Tiranë do të mblidhet dhe një forum arkitektësh dhe donatorësh për ti ardhur në ndihmë Ukrainës gjatë procesit të rindërtimit.
“Besoj që shumë shpejt ne do të kemi, ashtu siç ka pasur një forum të donatorëve për Ukrainën, ajo që është ekspertiza jonë, të kemi ndoshta një forum të arkitektëve, duke qenë se Tirana ka qenë një vend eksperimentimi me shumë arkitektë të njohur, që i kanë dhënë vlerë ndërtimeve. Pra jo thjesht një bina pas shkatërrimit të tërmetit, por diçka që i sjell vlerë gjithë komunitetit, një shkollë me një dizajn të lartë. Fjala vjen “Sami Frashëri” nuk është sot shkolla jo vetëm më e bukur në Shqipëri, por i ka sjellë vlerë gjithë rrugës së Barrikadave. Pra mund ta kthesh një fatkeqësi në një mundësi dhe unë besoj që me atë modesten tonë, mund të luajmë një rol,” tha Veliaj.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al