Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe ka sulmuar ashpër administratën tatimore, pas kërkesës së tij për inspektim në treg.
Përmes një video ai kritikon ashpër agjencitë ligjzbatuese në vend për mënyrën se si ushtrojnë kontrollin e tyre tek tregtarët.
Më herët ai denoncoi përmes një video se si tregtarët në kryeqytet abuzojnë me çmimet e produkteve dhe nuk lëshojnë asnjë faturë. Ky konstatim, deklaron ai erdhi pas një inspektimi në terren nga ana e tij, pas mesazheve denoncuese në adresë të tij.
Braçe kërkoi nga administrata tatimore që të dalë në terren dhe të sigurohet që faturat lëshohen me qëllim ndaljen e “grabitjes së qytetarëve dhe bujqve”.
Por, ai shprehet i indinjuar se në fakt përfaqësuesit e agjencisë në fjalë që dolën në terren, janë shprehur tek tregtarët se ishin të detyruar të dilnin pas një urdhri nga deputeti Braçe.
Postimi i plotë:
Nuk qenka e thënë! Pas klithmës së mëngjesit lidhur me mënyrën e funksionimit të tregjeve të frutave dhe perimeve në gjithë territorin e vendit, në kundërshtim me ligjin në mënyrë abuzive por dhe në kufijtë e grabitjes, ka reaguar njëra nga agjencitë ligjzbatuese në këtë vend, e lidhur me fiskun.
Kanë shkuar përfaqësues të saj në tregun e madh te Tiranës, një pjesë janë njoftuar më parë, një pjesë kanë mbyllur qepenat, një pjesë janë kapur.
Çfarë ju është thënë?
-“S’kemi çfarë bëjmë.. Ka dhënë urdhër Erion Braçe.”
Për tu sqaruar deri në fund, me ju dhe idiotët e padobishëm të shtetit, unë nuk ka tagër të urdhëroj kërrkënd, jam thjeshtë deputet.
Nuk është qëllimi gjoba, qëllimi është fatura. Nëse shkoni në ato tregje bëni gjënë që është më e thjeshta dhe e dobishmja, të detyroni faturën për çdo transaksion në blerje nga bujku dhe në shitje tek konsumatori.
Detyroni faturën deri në 31 dhjetor dhe në viji9m. Por deri në 31 dhjetor është urgjente, nëse doni të vendosni rregull në treg. Kaq bëni!
Denoncimi i një dite më parë:
Bëra një xhiro të shkurtër në tre pikat kyçe të tregjeve më të mëdha të produkteve bujqësore rreth e qark qendrës së Tiranës. Ky nuk është inflacion, por abuzim i pastër në treg,
Dola sot për të parë se çfarë ndodh aty, i nxitur nga një grup që më shkruanin.
Nuk gjeta faturë kërrkund, dhe kur nuk ka faturë nuk dokumentohet asgjë, as grabitja e bujqve atje, as grabitja e konsumatorëve këtu, as grabitja e shtetit që duhet të marrë tatime dhe taksa nga këto fitime marramendëse.
Unë mendoj se gjithë agjencitë ligjzbatuese të shtetit duhet të dalin atje për të parë se si shkelet ligji me të dyja këmba, se si fatura nuk ekziston.
Duhet të nisë nga ajo që është para Drejtoria e tatimeve, pse jo edhe ministrat, tek ato tregjet të shikojnë se si gjithë ajo çka ne po u japim pensionistëve po jua marrin këta tregtarë, me çmimet grabitëse.
Ejj.. kudo në botë ka ulje çmimesh, këtu ka vetëm rritje çmimesh, duhet ndalur kjo, është e turpshme, e neveritshme
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al