“Sot nuk kishim fushë, dje nuk kishim drita”, Longo shpërthen në kritika: Askush nga Kukësi nuk po ndihmon skuadrën. Kur të kemi të dy Ferrari…

May 2, 2022 | 23:27
SHPËRNDAJE

Trajneri i Kukësit, Diego Longo, ka shpërthyer sot në kritika dhe akuza ndaj të gjithëve. Në konferencën e sotme për shtyp ai ka reaguar ndaj atyre që bëjnë presion ndaj skuadrës së tij, pritshmërisë të lartë që ka për të apo edhe klubit që nuk ka krijuar kushte për stërvitje.

longo

“Kemi premtuar që do të japim 100% por jo një fitore, kush premton fitoren para një sezoni apo një sfide po gënjen. Nuk mund të tallësh me mbështetësit. Sidomos kur e nis me një skuadër që nuk është mes 5 të parave, e nisëm sezonin të 6-ët me 21 pikë larg Partizanit e Vllaznisë. Nuk mund ta premtonim diçka të tillë sepse ose je i çmendur, ose nuk je serioz. Premtova që në ditën e parë që po bëjmë dhe do të bëjmë më të mirën deri në pikën e fundit të energjisë për fanellën dhe Kukësin. Kjo është 100%, për mua dhe lojtarët e mi. 

Kur luan kundër Partizanit luan kundër 31 titujsh dhe kjo peshon, është e rëndë në futboll. Reali kundër Vajekanos është ndryshe, kanë traditë dhe histori dhe kjo ka rëndësi në fushën e lojës. Kur ke një buxhet të madh në fillim sezoni dhe kur ke më pak është ndryshe. Kjo ndikon shumë në sezon. Kur ke eksperiencën e një viti më parë, është ndryshe se lojtarët kanë besim te vetja, kanë eksperiencë, kanë besim se mbërritën në të njëjtin nivel me fituesit. Kurse kur je në vendin e 6, kanë ndryshuar shumë lojtarë, gjërat peshojnë. Këto janë gjëra reale, siç janë, nuk mund të ndryshohen, nuk mund të gënjehet.

Ne po përgatitim prej dy ditësh ndeshjen me Partizanin por ju nuk e dini që sot nuk kishim fushë ku të stërviteshim. Mua mu desh të luftoja që të kisha një fushë për 45 minuta pasi në fushën ku stërviteshim, federata apo pronari, po organizonin një ndeshje U17 mes Partizanit dhe Dinamos. Nuk kishim fushë ku të stërviteshim dhe nuk kishim drita për t’u treguar lojtarëve se si luan Partizani. Këto janë gjërat. Ata përgatitin ndeshjen në kompleksin e tyre. Kanë video, askush nuk regjistron anën taktike të stërvitjeve, ky është realiteti.

Mund të marr përgjegjësi dhe jam i lumtur, jemi një skuadër e cila është në vendin e 3, kemi 50% shanse të fitojmë. Kjo është një gjë pozitive, shihni gjëra negative ku nuk ka. Jemi të tretët me Partizanin dhe luajmë ndaj tyre, luajmë kundër Dinamos, Skënderbeun e Tiranën në ndeshjet e fundit. Ne jemi të tretët pas 9 muajsh, pasi nisëm sezonin dhe njerëzit qeshnin me ne pas dy muajve të parë, tani e kemi harruar që njerëzit talleshin me Kukësin, diskutohej mbijetesa. Këta njerëz janë ato që thonë tani si është e mundur që të jeni të tretët. 90% e djemve këtu po bëjnë sezonin më të mirë të karrierës. Nuk e kuptoj si është e mundur që kjo lloj trysnie vjen nga ne, nga Kukësi, është e pabesueshme. Askush nga Kukësi nuk po ndihmon skuadrën në 100 metrat e fundit që të arrijnë një objektiv historik, në vend që të jenë me ta. Ndihmojeni, po bëjnë më të mirën. Mundet të jemi tifozë, por duhet të jemi edhe objektivë. Nuk mund të shkatërrojmë gjithçka.

A doni të flitni për ndeshjen e fundit ndaj Partizanit? 35 minuta totalisht në kontrollin tonë, penalltia e Skukës që është medalje e artë në Lojërat Olimpike për zhytje, jashtë zonës. Simulim jashtë zonës dhe ishte 1-0 kur po kontrollonim absolutisht ndeshjen. Apo 2-0 me Ndrecën në tokë, që ato nuk ndaluan lojën dhe shënuan me Ndrecën e dëmtuar.

Peposhi dhe Daci? Ata janë djemtë tanë dhe i respektoj, por dua të kujtoj se në dhjetor isha unë i vetmi që mbrojta publikisht Peposhin dhe të gjithë ishin kundër meje se unë e aktivizova në fushë. Ndaj nuk mund të harroj se sa shumë njerëz ishin kundër meje. Ata po bëjnë një eksperiencë të mirë atje, nuk po luajnë shumë, vetëm së fundmi. Shpresoj që kur të kthehen në verë të jenë në gjendje që të rrinë te Kukësi dhe të japin 100%. Por jam i sigurt sepse janë djem shumë të mirë. Kur kam folur me ta dhe ata që kanë luajtur më parë këtu, dhe duke i folur individualisht, gjëja e parë që të thonë të gjithë është ‘Trajner, OK nuk është si Kukësi, por nuk kemi asnjë presion. Shkojmë, luajmë pa asnjë presion. Ndjehemi më mirë’. Kjo është ajo që thonë lojtarët kur largohen nga këtu, kjo duhet të bëjë të kuptohet se çfarë ndodh këtu.

Ju lutem, vendosni trysninë mbi mua, edhe nesër, jam këtu për këtë punë, por jo mbi lojtarët,. Lojtarët janë përgjegjësia ime, të gjitha rezultatet janë përgjegjësia ime, ata po bëjnë më të mirën. Edhe gjatë javës mos thoni duhet të fitojë, se nuk i ndihmoni ata. Mos thoni që duhet të fitojnë, por duan të fitojnë, kërkohet të fitojnë. Partizani duhet të fitojë, Tirana duhet të fitojë, lojtarët e mi nuk duhet të fitojnë këtë vit. Kur të jenë në të njëjtat kushte si skuadrat e tjera, atëherë duhet të fitojnë. Kur të dy të drejtomë Ferrari, atëherë duhet të fitojmë. Shijoni atë që po bëjnë.

Ata janë të gatshëm të luajnë, duan të luajnë. Duhet vetëm të lagim fushën dhe të luftojnë 11 kundër 11 me Partizanin. Kjo është gjëja më e rëndësishme, edhe për ata. Ata po mësojnë çdo ditë dhe nuk u intereson për mbështetësit fals apo për kritikat budallaqe. Ata po mësojnë dhe gjithçka është në rregull, duan thjesht që të fillojë ndeshja.

Kritikat i bëjnë mirë ekipit? Jo, varet cilat kritika, nga kush dhe pse. Nëse janë kritika që duan të shkatërrojnë atë që po ndërtojmë, jo. Unë jam person pozitiv, por nuk ka rëndësi nëse jam pozitiv apo negativ, unë do të luftoj, do të luftoj deri në fund. E rëndësishme është që të krijohet një atmosferë pozitive rreth ekipit dhe më në fund, e shoh që disa do të jenë të lumtur, unë do të largohem,. Do të largohem, nuk është problem. Problemi është çfarë po ndërtoni për të ardhmen. Problemi është çfarë po bëni këtu për të rinjtë”, tha ndër të tjera Longo.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura