Sot përkujtohet 78-vjetori i lindjes së Ibrahim Rugovës, cili ishte rrugëtimi i Presidentit të parë të Kosovës

Dec 2, 2022 | 10:23
SHPËRNDAJE

Ditën e sotme përkujtohet 78-vjtori i lindjes së presidentit të parë të Kosovës, Ibrahim Rugova.

ibrahim rugova

Rugova ka lindur më 2 dhjetor të vitit 1944 dhe ndërroi jetë në vitin 2006. Gjatë kësaj kohe ai arriti të bëhej një ndër emrat më të mëdhenj në historinë e vonë të Kosovës.

Dy ndër pozitat më të rëndësishme që Rugova ka pasur, ka qenë ajo e kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe e Presidentit të Kosovës.

Ai lindi në 2 dhjetor 1944 në Cerrë të Istogut. Shkollën e mesme e kreu në Pejë (1967) dhe studimet e larta i kreu për gjuhë dhe letërsi shqipe në Universitetin e Prishtinës.

Në vitet 1976-1977 studioi në Ecole Pratique des Hautes Etudes (Shkolla praktike e studimeve të larta), në Paris.

Më 1984 mbrojti doktoraturën për letërsi në Universitetin e Prishtinës.

Gjatë viteve 1988-1990 shërbeu si sekretar shkencor, në Institucionin Albanalogjik të Prishtinës.

Ai ka botuar disa libra, ku më kryesorët janë: “Vepra e Bogdanit 1675-1685” (Prishtinë 1982), “Kahe dhe premisa të kritikës letrare shqiptare 1504-1983” (Prishtinë 1986), “Refuzim estetik” (Prishtinë 1987) dhe një varg studimesh në fushën e teorisë së letërsisë, të kritikës dhe kulturës shqiptare.

Në vitin 1988 u zgjodh kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës.

Me formimin e Lidhjes Demikratike të Kosovës u zgjodh kryetar i saj (23.12.1989) dhe qëndroi në këtë detyrë deri në vitin 2005.

Me formimin e partive të tjera politike shqiptare ai u zgjodh kryetar i Këshillit Koordinues të Partive Politike të Shqiptarëve të Kosovës (22.07.1991).

Gjatë zgjedhjeve të drejtpërdrejta parlamentare dhe presidenciale të majit 1992 dhe qershorit 1998, të organizuara nga partitë politike dhe institucionet shqiptare të Kosovës, Ibrahim Rugova u zgjodh kryetar i Republikës së Kosovës.

Ai u rizgjodh president i Republikës së Kosovës, në mars 2002 dhe në dhjetor të vitit 2004.

Ibrahim Rugova është laureat i shumë çmimeve dhe dekoratave ndërkombëtare, ndërmjet të cilave: çmimi për Paqen i Fondacionit Paul Litzer, në Danimarkë (1995); çmimi për paqen i Unionit Demokratik të Katalonisë “Manuel Carrosco i Farmiguera”.

Pas vdekjes ai u dekorua me “Urdhrin e Famurit Kombëtar”, nga presidenti i Republikës së Shqipërisë Alfred Moisiu. Ibrahim Rugova vdiq në Prishtinë më 21 janar 2006.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura