Ende pa nisur mirë sezoni dhe Bajerni duhet të luftojë për një tjetër titull, atë të Superkupës së Gjermanisë. Kundërshtari edhe në këtë sezon do të jenë verdhezinjtë e Dortmundit, të cilët do të vijnë si fitues të Kupës së Gjermanisë në sezonin e kaluar.
Trajneri Julian Nagelsman tha në konferencën për shtyp se fitimi i trofeut do të bënte që të harroheshin rezultatet negative të skuadrës së tij nga momenti që ai ka ardhur në Mynih.
Si e përjetuat ndarjen nga jeta të Gerd Mylerit?
Ngushëllime familjes, e diela ishte një ditë e trishtë për të gjithë popullin gjerman, dhe jo vetëm. Ai është një pjesë e rëndësishme e historisë sonë në futboll, i uroj familjes të ketë forcë për të përballuar dhimbjen për largimin e tij.
Ndieni presion pas barazimit 1-1 në Gladbah?
Të fitosh ndeshjen e parë dhe njëkohësisht trofeun do të ishte diçka shumë e bukur. Është një ndeshje e vështirë ndaj një kundërshtari shumë të fortë. Do të bëjmë gjithçka për ta fituar, do të ishte mirë nëse nesër (sot) do të ishim ne fitimtarët.
Straniç bëri një ndeshje të mirë të premten, do të vazhdoni t’i jepni besim?
Ai ka bërë shumë mirë. Pati vetëm një humbje të topin, por në fund mund të them që jam i kënaqur. E kam thënë dhe më parë që të rinjtë do të kenë shansin dhe Stanisiç është njëri prej tyre.
Si mendoni ta përballoni sulmin e Dortmundit?
Dortmundi ka një skuadër të frikshëm në sulm. Haland është një nga sulmuesit më të mirë për momentin. Një përzierje e shumë faktorëve së bashku. Ne duhet të qëndrojmë zgjuar dhe të jemi gati për t’i bërë ballë. Në rastet kur humbasim topin, duhet të tregohemi shumë agresivë dhe të luftojmë menjëherë për ta rikuperuar atë. Do të ketë momente në lojë kur nuk do të kemi mundësi për ta markuar atë (Haland). Por, ndërkohë kemi portierin më të mirë në botë, por në futboll është skuadra ajo që ka rëndësi dhe jo individi.
Levandovski apo Halandi?
Leva ka treguar për shumë vite që është një sulmues i klasit të lartë. Erling është ende larg tij në Bundesligë, edhe pse statistikat janë premtuese. Ka shumë rëndësi skuadra për të cilën luan. Leva vazhdon të jetë nga më të mirët, edhe pse në moshë të madhe. Eksperienca e tij është për t’u admiruar. Janë shumë të ndryshëm në stilin e lojës, edhe pse shumë të rrezikshëm në portën e kundërshtarit. Më vjen mirë që tifozët do të kenë një spektakël të garantuar.
Është kjo ndeshja matëse për titullin?
Ndeshja ka një kuptim të veçantë, pasi luhet për një trofe. Por, nuk mendoj që do të ndikojë në vazhdimësinë e kampionatit. Do të jetë interesante të shohësh se sa larg kemi shkuar me përgatitjet. Do të luajmë për fitore dhe fakti që Dortmundi bëri një start të mirë nuk na tremb aspak.
Çfarë mësuat nga ndeshja e Gladbahut?
Që kemi ende shumë punë për të bërë. Humbëm shumë topa në atë ndeshje, çka nuk duhet të ndodhë më. Koha që kemi pasur në dispozicion ka qenë shumë e pakët për të gjetur rimtin. Është normale që na duhet ende kohë për të bërë gjërat që dimë. Ndeshja ishte shumë e shpejtë dhe për ne ishte e papërballueshme për 90 minuta.
Frikë vetëm nga Halandi?
Jo, Borusia ka një skuadër të fortë dhe një trajner i cili ka bërë shumë mirë në Gladbah. Lojtarët janë cilësorë dhe me eksperiencë. Kundërsulmet e tyre janë të frikshme.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al