“SPAK, kamxhiku i Ramës?”- David Wisner: Nuk i përgjigjemi të sanksionuarit! Ja si i komenton deklaratat e kryeministrit se “Drejtësia e re” është produkt i PS

Dec 11, 2023 | 11:41
SHPËRNDAJE

I ngarkuari me punë i Ambasadës së SHBA-ve në Tiranë, David Wisner në një intervistë ekskluzive për Gazetën Panorama ka refuzuar t’i përgjigjet Sali Berishës, i cili thotë se SPAK është një “kamxhik i Ramës”. Wisner  tha se “Nuk do t’i përgjigjem dikujt që është sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara për korrupsion madhor”.

berisha rama wistner

Ndërsa si përgjigje për Ramën, i cili thotë se reforma në drejtësi është falë PS, diplomati i SHBA thotë se janë 40 ekspertë amerikanë që financohen nga SHBA-të në mbështetje të drejtësisë, përfshirë edhe mbështetjen e Departamentit të Drejtësisë, Departamentit të Shtetit, FBI, DEA etj..

“Kemi një personel me mbi 40 veta të financuar nga SHBA në Shqipëri për të mbështetur dhe këshilluar institucionet e ligjzbatimit dhe drejtësisë. Për ju edhe për ne është një çështje e sigurisë kombëtare. Korrupsioni dhe krimi i organizuar pengojnë zhvillimin ekonomik, zmbrapsin investimin e huaj, minojnë demokracinë dhe shtyn ata që janë të rinj e ambiciozë që të kërkojnë mundësi në vende të tjera”, tha Wisner.

Wisner thekson se marrëdhëniet mes SHBA-ve e Shqipërisë janë më të forta se kurrë ndonjëherë si dhe përgjigjet për ngërçin në Parlament dhe zërave se ndërkombëtarët mbështesin stabilokracinë në kurriz të standardeve demokratike në Shqipëri.

LEXO INTERVISTEN E PLOTE:  Ekskluzive/ “Krenarë që mbështesim SPAK, po i vjen fundi pandëshkueshmërisë”- David Wisner: Sanksionet ‘non grata’ për të korruptuarit do të vazhdojnë

 

“Panorama”: U referohem deklaratave politike të z. Berisha, i cili e konsideron SPAK si “kamxhikun e Ramës”, ndërsa Kryeministri Rama nga ana e tij e konsideron reformën në drejtësi dhe SPAK-un produkt të partisë së tij për shtetbërje. Cila është përgjigja juaj për këto pikëpamje të palëve politike në Shqipëri?

I ngarkuari me punë Wisner: Nuk do t’i përgjigjem dikujt që është sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara për korrupsion madhor. Shtetet e Bashkuara janë krenare të mbështesin punën e SPAK-ut dhe institucioneve të tjera të drejtësisë dhe do të vazhdojmë të mbështesim kërkesat e popullit shqiptar për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë. Siç e vërejta, kemi investuar fort në suksesin e reformave në drejtësi të Shqipërisë, përfshi SPAK, përmes ekspertizës, financimit dhe mbështetjes sonë politike. Jemi krenarë të jemi partnerë me Shqipërinë. Çdo shqiptar meriton të jetojë në një vend ku secili është i barabartë përpara ligjit, ku shteti ligjor funksionon dhe ku secili ka një mundësi të barabartë për begati. Jo vetëm sepse e kërkon e ardhmja euro-atlantike e Shqipërisë, por sepse është gjëja e duhur.

“Panorama”: Para pak javësh, një grup prokurorësh të SPAK ishin në Departamentin e Shtetit, FBI, etj.. Çfarë prisni më tepër dhe për çfarë i inkurajoni ju prokurorët e SPAK në këtë fazë?

I ngarkuari me punë Wisner: Shqipëria është një aleate në NATO, një mike dhe partnere e Shteteve të Bashkuara. Duam të mbështesim çdo përpjekje për të çuar përpara integrimin në BE të Shqipërisë dhe trajektoren e saj trans-atlantike. Kjo përfshin mbështetjen tonë për reformën në drejtësi. Kemi një personel me mbi 40 veta të financuar nga SHBA në Shqipëri për të mbështetur dhe këshilluar institucionet e ligjzbatimit dhe drejtësisë. Për ju edhe për ne është një çështje e sigurisë kombëtare. Korrupsioni dhe krimi i organizuar pengojnë zhvillimin ekonomik, zmbrapsin investimin e huaj, minojnë demokracinë dhe shtyn ata që janë të rinj e ambiciozë që të kërkojnë mundësi në vende të tjera. Vizita e SPAK në Uashington, DC, muajin e kaluar demonstroi se sa të rëndësishme janë përpjekjet antikorrupsion të Shqipërisë për Shtetet e Bashkuara. Në takimet e nivelit të lartë me Departamentin e Drejtësisë, Departamentin e Shtetit, FBI dhe DEA, vizita i dha mundësi zyrtarëve të lartë të SPAK që të vendosnin dhe forconin partneritete me vlerë në institucionet e drejtësisë dhe zbatimit të ligjit të SHBA. Ndonëse SPAK është ende i ri si institucion, ne duam që të vazhdojë trajektoren për lart dhe presim që anëtarët e tij të ruajnë nivelin e integritetit që të gjithë shqiptarët duan të shohin tek ata.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura