Spanja i ka shifrat me vete, s’humbet me Gjermaninë nga viti 1988

Jul 3, 2024 | 18:17
SHPËRNDAJE

Spanja do të luajë në Shtutgart për herë të katërt në historinë e saj në tokën gjermane.

fgdh

Por do të jetë hera e parë në një ndeshje ku ose vijon rrugën, ose kthehesh në shtëpi. Sfida është e madhe, sepse rivali është i zoti i shtëpisë, Gjermania. Do të jetë hera e dytë që dy skuadrat me më shumë suksese në Kampionatet Europiane (3 secila), do të përballen me njëra-tjetrën në parajsën motorike gjermane. E para ishte një ndeshje në hiç. Më 3 shtator 2022, Spanja luajti ndeshjen e parë në historinë e saj me dyer të mbyllura. Ishin ditët e pandemisë, ato të mijëra vdekjeve në ditë në botë. Të premten, Shtutgarti pret ndeshjen e 30-të mes Spanjës dhe Gjermanisë, një rivalitet i lindur në vitin 1935. Bilanci i përgjithshëm është në favor të Gjermanisë, por gjermanët nuk fitojnë një ndeshje zyrtare kundër Spanjës që nga viti 1988.

PREMIERA – Duhet të kthehemi në kohë në vitin e largët 1935 në “Lindenthalstadion” në Këln, aty do të niste dhe rivaliteti mes Spanjës e Gjermanisë. Në atë takim të parë, Spanja u prit në Gjermani nga Bernard Rust, përgjegjës për sportin në qeverinë e Adolf Hitlerit. Në një ambient ultra-nacionalist dhe të nxirë nga svastikat, Spanja fitonte 1-2.

PËRGJIGJA – Përgjigja e Gjermanisë së Rajhut të Tretë nuk do të vononte. Dhe një vit më pas ajo do t’i kthente reston Spanjës në Barcelonë (1936), duke e mundur me të njëjtin rezultat 1-2.

MES LUFTËS – Takimi i tretë mes dy kombëtareve do të luhej në vitin 1942 në mes të Luftës së Dytë Botërore. Një takim i luajtur në Berlin që shërbeu dhe si homazh për “Divizionin e Kaltër”, vullnetarët spanjollë që luftonin në Frontin e Lindjes në krah të Vermahtit (Wehrmacht). Gjithçka u mbyll në barazim 1-1.

KUNDËR GJERMANISË SË NDARË – Fundi i Luftës së Dytë Botërore solli ndër të tjera ndarjen e Gjermanisë, në atë Federale në perëndim dhe Republikën Demokratike Gjermane në lindje. Në vitin 1952, Spanja do të luante për herë të parë kundër Gjermanisë Federale (RFGJ) në një barazim mbresëlënës në Madrid 2- 2. Një tjetër miqësore mes tyre do të luhej në vitin 1958 në Frankfurt e fituar nga gjermanët 2-0.

BOTËRORËT – Më pas do të vinin dhe ndeshjet zyrtare në Kampionatet Botërorë dhe Europianë. Ballafaqimi i parë në botërorë ishte në vitin 1966 (Angli). Kjo do të ishte dhe ndeshja e parë zyrtare mes dy kombëtareve. Më 20 korrik 1966, në Birmingam, RFGJ-ja fitonte 2-1, duke shkuar në çerekfinale. Gjermania do t’i shkaktonte një tjetër humbje fatale Spanjës në botërorin e shtëpisë, duke thyer iberikët në Madrid 1-2 dhe mbyllur një botëror të dështuar për “La Roja”-n. Përballja e tretë në botërorë do të vinte në SHBA në vitin 1994. Ishte përballja e parë mes Spanjës dhe Gjermanisë pas bashkimit të saj. Gjithçka u mbyll në barazim 1- 1. Hakmarrja e panjës ndaj Gjermanisë do të vinte në vitin 2010 në Botërorin e Afrikës së Jugut. Goli i Pujol i jepte fitoren 0-1 Spanjës që shkonte në finale për të fituar më pas kundër Holandës falë Iniestës. Ballafaqimi i fundit në botërorë ishte në vitin 2022 në Katar, në një barazim 1-1.

EUROPIANËT – Spanja dhe Gjermania numërojnë jo pak përballje edhe në Kampionatet Europianë, me dy fitore të Spanjës dhe një të Gjermanisë. Suksesi më i madh ishte ai në finalen e vitit 2008 në Vjenë, me suksesin 0-1 të Spanjës me golin e Fernando Torres që i dha titullin “La Roja”-s.

TURPËRIMI – Fitorja më e thellë e Gjermanisë kundër Spanjës është ajo në miqësoren e vitit 2000, 4-1 për “Die Manschaft”. Por të gjithë kujtojnë turpërimin që Spanja i bëri Gjermanisë në Sevilje në vitin 2020 në Ligën e Kombeve, duke e shkatërruar 6-0, me tripletën e Ferran Torres.

36 VITE – Kaq vite kanë kaluar që nga suksesi i fundit i Gjermanisë kundër Spanjës në një ndeshje zyrtare. Ndodhte në Europianin e vitit 1988. Asokohe ishte ende Gjermania Perëndimore (RFGJ). Suksesi 2-0 i RFGJ-së në Mynih i jepte fund Europianit të Spanjës dhe karrierës së Migel Munjozit në stolin e “La Roja”-s pas 6 vitesh në krye.

LEDJO SEFERKOLLI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura