“Spastrim social!”- Organizatat për të drejtat e njeriut kritikojnë përpjekjet për të zhvendosur emigrantët para Lojërave Olimipike të Parisit

Jul 25, 2024 | 19:50
SHPËRNDAJE

Organizatat për të drejtat e njeriut akuzojnë autoritetet franceze për “spastrim social” para Lojërave Olimpike për shkak të largimit nga rrugët e Parisit të emigrantëve, prostitutave dhe të tjerëve, duke minuar premtimet për t’i bërë këto Lojëra ngjarjen më gjithëpërfshirëse të të gjitha kohërave. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës nga Parisi, Lisa Bryant, qeveria franceze thotë se ajo thjesht po përpiqet të zgjidhë një çështje të krijuar prej kohësh.

paris 2024

Një kamp emigrantësh zhvendoset në orët e hershme të mëngjesit nga një lagje në të dalë të Parisit.

Banorët e tij e kanë të paqartë se çfarë do të ndodhë me ta.

“Na thanë të vijmë këtu dhe do të gjejnë strehim për ne. Për shkak të Lojërave Olimpike nuk mund të qëndrojmë këtu. Do të na rivendosin diku tjetër”, thotë emigranti nga Guinea Abdoulaye Sow.

Këto lloj dëbimesh nuk janë fenomen i ri. Organizatat për të drejtat e njeriut i kanë kritikuar ato në të kaluarën.

Por aktivistët po vënë në dyshim përmasat dhe momentin e kësaj fushate të fundit – në prag të Lojërave Olimpike të Parisit.

“Si ta përshkruajmë këtë që po ndodh – nuk bëhet fjalë vetëm për këtë javë; filloi shumë kohë më parë. Ne e quajmë spastrim social të Parisit. I tërë ky vullnet për të larguar nga rrugët tërë këtë mjerim dhe skamje për shkak të Lojërave Olimpike”, thotë aktivisti Milou Borsotti nga organizata “Mjekët e Botës”.

Organizata bëmirëse e aktivistit Borsotti është pjesë e një rrjeti aktivistësh, i quajtur “Ana tjetër e medaljes.” Sipas tij, qindra njerëz janë zhvendosur disa muaj para Lojërave Olimpike.

Mes të zhvendosurve nuk janë vetëm emigrantët. Trysni po bëhet edhe ndaj romëve, prostitutave dhe të tjerëve.

Disa emigrantë thuhet se janë dërguar në zona të tjera larg kryeqytetit, duke humbur kështu vendet e punës dhe qasjen në shërbimet sociale.

Autoritetet franceze thonë se emigrantët mund të zgjedhin se ku duan të shkojnë.

“Këto operacione kryhen çdo javë prej vitesh. Të larguarve u ofrojmë strehim në periferi të Parisit për t’i shpëtuar njerëzit nga kushtet e vështira dhe josanitare. Rregullisht dërgojmë njerëz në rajone të tjera të Francës ngaqë strehimoret në Paris janë të stërmbushura. Prandaj u propozojmë njerëzve që sapo kanë ardhur, që nuk kanë ndonjë lidhje me Parisin, ta provojnë fatin e tyre diku tjetër,” thotë zyrtarja franceze Adelyne Savy.

Zhvendosjet po ndodhin në një kohë kur në Francë ka rritje të ndjenjës kundër emigracionit, që po ndikon në shtimin e popullaritetit të Bashkimit Kombëtar, partisë së djathtë të skajshme franceze.

Bashkia e Parisit, që qeveriset nga partia e majtë, fajëson autoritetet kombëtare që nuk kanë ofruar zgjidhje të mjaftueshme për emigrantët.

“Ka muaj që kemi kërkuar nga qeveria ta marrë situatën nën kontroll. Është kompetencë ekskluzive e tyre… Ne vazhdojmë t’u ofrojmë emigrantëve strehim dhe mbështetje, por shteti duhet të marrë përgjegjësitë që i takojnë,” thotë zëvendës-bashkiakja e Parisit, Lamia El Aaraje.

Tani për tani, këtyre emigrantëve do t’u ofrohet një vend për t’u strehuar në rrethinat e Parisit. Por ka mundësi që ata të kthehen sërish në rrugët e kryqytetit kur të kenë përfunduar Lojërat Olimpike./VOA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura