Nga UVIL ZAJMI
Ndonëse kanë kalu ar 30 vjet, ajo mesditë e së dielës së 5 qershorit të vitit 1988, e njohur si “Revolta” apo Hejseli i Kuçovës, ka mbetur ende një dritëhije enigmatike. Po, sepse pas takimit Naftëtari-Dinamo zhvilluar tri dekada më parë, një turmë tifozësh sulmuan arbitrat, hodhën gurë, dogjën makina. Një revoltë e paparë në një stadium shqiptar në të kaluarën. Cila ishte atmosfera në prag të përballjes së dyfishtë për mbijetesë? Si e kujton Bozhiqi, një “ish”, kur babai i tha të mos luante dhe Ben Vila, kur realizoi golin që shtangu stadiumin?
Dinamo, për herë të parë në rrezik!
Në atë sezon, si asnjëherë më parë që nga krijimi, Dinamo rrezikonte rënien nga Kategoria. Pas 17 Nëntorit që në sezonin 1973-74, i renditur i parafundit luan dy herë me Apoloninë (0-0/2-0), duke i shpëtuar rënies, blutë ishin klubi i dytë i njohur kryeqytetas që ndodhej në një pozitë të tillë. Fundi i sezonit 1987-88 ishte: 17 Nëntori kampion, Flamurtari fitues i Kupës, ndërsa sipas formulës, skuadra e parafundit, do të ndeshej dy herë me të dytën e Kategorisë së Dytë: konkretisht Dinamo ndaj Naftëtarit si nënkampione që me 26 maj në stadiumin “Dinamo” kishte humbur finalen midis fitueseve të Grupi A dhe B: Traktori-Naftëtari 3-0.
Ndeshja qemalstafase, Demollari-gol, por ka pretendime
Ndeshja e parë, DinamoNaftëtari e luajtur në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”, ditën e enjte 2 qershor 1988, përfundoi minimalisht 1-0 për vendësit. Golin e pati shënuar Demollari në minutën e 53-të. Takimi drejtohej nga një treshe korçare me Dhori Priftin kryesor dhe është e rivalizuar deri në fund, madje kuçovarët pretenduan për një 11-metërsh të padhënë, duke nxitur pakënaqësinë e lojtarëve dhe tifozëve. Pas tri ditësh do të zhvillohej ndeshja e kthimit dhe Naftëtari në gjendje të mirë kishte shpresa të mëdha për fitore. Për këtë arsye sfida pritet me shumë interes.
Nga Tirana vjen trajneri Deliallisi
Duke qenë se trajneri Agim Mukavelati kishte dhënë dorëheqjen, drejtuesit marrin Fatbardh Deliallisin, i cili njihej në “Qytetin Stalin”, pasi e kishte drejtuar Naftëtarin edhe më parë, por për atë përballje figuronte si këshilltar. Ekipi ishte grumbulluar te Qendra stërvitore e lojërave me dorë (te tenisi siç e quajnë atë mjedis) dhe trajtohej në restorantin pranë Muzeut, që shërben edhe si pikë turistike. Në dispozicion qëndronte autobusi me shofer Pandeli Fypen, i njohur edhe si bashkëpunëtor i sportit. Analiza u zhvillua paraditen e 5 qershorit rreth orës 10:00. “Nga lart dukej stadiumi që u mbush dhe as në këmbë nuk kishte vende. Ndërsa po shkonin për ndeshje, pamë policët e qytetit jashtë shërbimit. I pyetëm dhe na thanë se kishin ardhur policë nga qytetet e tjera dhe ata do e administronin gjithçka”, kujton Aleksandër Koçi.
Të gjithë drejt Kuçovës, asnjë biletë në qarkullim
Kuçova gumëzhinte, madje deri në fshatra e rrethina. Interesimi ishte i jashtëzakonshëm deri edhe nga Fieri, Lushnja, Berati kishte të ardhur, ndonëse në qarkullim nuk gjeje as edhe një biletë. Kur në orën 15:00 u hapen të pesta portat e stadiumit, pak minuta kanë mjaftuar që ai të mbushej me tifozë e shumë të tjerë që mbeten jashtë, duke hipur edhe në plepa. Rrugët ishin të zbrazura, dyqane të mbyllura, një qytet që flet dhe jeton vetëm me 90 minutat e shumëpritura të sfidës. Dhe ndeshja, me pak kronikë: E diel, 5 qershor 1988, ora 17.00 në stadiumin e qytetit, Naftëtari-Dinamo 0-1. Shënues Vila 82′. Arbitra, një treshe nga Tirana me kryesor B. Kaimin dhe ndihmës, Hajro Leskajn asistent i parë dhe Fatmir Dama. Vëzhgues Ilia Plaku, të gjithë nga Tirana. Janë 90 minuta që karakterizohen nga tensioni, protesta ndaj arbitrave, akuza për favorizim të Dinamos, polemika për mbyllje para kohe dhe që pas vërshëllimës përfundimtare të gjithë vrapojnë e futen me shpejtësi në dhomat e zhveshjes.
Fëmija i gjakosur, shkak për protestën masive
Ky moment ka qenë një detaj që nxiti dhe provokoi shpërthimin. Forcat e rendit kanë goditur një fëmijë, që nga përplasja në betonin e sektorit përballë është gjakosur në kokë. Kur policët e kanë hipur mbi rrethimin për ta nxjerrë në fushë, duke e parë të gjakosur, dikush nga spektatorët ka bërtitur se “po na vrasin fëmijët”. Pas kësaj tifozët kalojnë kangjellat dhe vërshojnë në fushë, ndërsa të tjerë që godasin me gurë. Një tifoz tjetër goditet dhe humbet ndjenjat dhe në minutat që vijojnë vjen një thirrje që u përhap shumë shpejt në stadium e përreth tij se “tifozi ka vdekur në spital”. Kjo bëri që e gjithë vëmendja të zhvendoset te ngjarja, të harrohen lojtarë e arbitra, situatë kjo që i gjen të papërgatitur forcat e rendit për një trazirë të tillë. Ngjarja që nxiti protestën Irritimi i madh i tifozëve bën që të kalojnë rrethimin dhe të hedhin sende, shishe, gurë. Ka plagosje të tifozëve, që dërgohen në spital, ndërsa jashtë fillon përplasja midis policisë, civilëve dhe sampistave.
Populli ishte ndezur më shumë pas lajmit se ka “të vdekur”. Autobusi i Dinamos sulmohet dhe i thyhen xhamat, e bashkë me të shkatërrohen e digjen dhe dy automjete pranë tij që ishin në pronësi të Ministrisë së Brendshme. Sheshi para stadiumit ka plot njerëz, po kështu edhe në spitalin e qytetit. Dëgjohen thirrjet “duam drejtësi”. Me një megafon Avdyl Pilafi, Sekretari i Parë i Beratit, kërkon nga populli që të qetësohen dhe të shpërndahen, por drejt tij fluturojnë sende, ka ofendime që e detyrojnë atë të largohet. Një kaos total deri kur nata ka rënë plotësisht dhe rreth orës 22:30 njerëzit fillojnë e shpërndahen, pasi ka informacion se po vijnë forca speciale nga Tirana.
Futbollistë dhe arbitra të ngujuar deri në mesnatë
Kanë qenë orë plot tension dhe ankth, kur në atë mjedis të vjetër, aspak komod, të ngushtë, kanë duruar deri sa i kanë nxjerrë. Aty kanë qëndruar për orë të tëra futbollistë dhe arbitra. Vetëm në një çast nga një telefon primitiv i stadiumit, drejtuesit e policisë kanë mundur të komunikojnë direkt me ministrin Hekuran Isai pas interesimit të tij, nga i cili kanë marrë urdhër për të mbrojtur arbitra e skuadra.
Vijnë përforcime nga Tirana
Kur në Kuçovë situata po precipitonte, e ka detyruar Ministrinë e Brendshme të reagojë dhe rreth orës 19:00 nga Tirana janë nisur katër kamionë “Ifa” me forca speciale. Nga shpejtësia njëri prej tyre, duke marrë kthesën te “21 Dhjetori” nga shpejtësia është përmbysur. Nisja e forcave speciale tërhoqi vëmendjen e qytetarëve tiranas që nuk kishin ende informacion çfarë kishte ngjarë. Në Kuçovë ata mbërritën pak para mesnatës, kur situata kaotike ishte qetësuar, vetëm një pengesë tek Ura Vajgurore, njerëz që kishin bllokuar me gurë rrugën. Pastaj largimi i Dinamos dhe arbitrave të shoqëruar prej tyre drejt Tiranës.
Një shtet në këmbë, në kërkim të organizatorëve
E konsideruan revoltë dhe nga Ministria e Brendshme menjëherë janë kërkuar organizatorët e saj. Një situatë e tillë ka vazhduar disa javë në një qytet, i tëri në këmbë, familje, gra, burra, fëmijë. Në mbledhjet e zhvilluara orientohej hapur e me forcë ndëshkimi i akteve të dhunës dhe thirrjet kundër Partisë. Automjete të dikasterit që qarkullonin me persona që i merrnin, i dërgonin në Berat, midis tyre futbollistë, tifozë, drejtues, deri edhe instruktorin e Komitetit të Partisë së Kuçovës, Naim Halilajn. Për të bërë fajtore Kuçovën u bë shpejt gjyqi dhe u dënuan 10 persona, midis të cilëve edhe Halilaj e disa sportistë.
Reagimi i shtypit: Shfaqje të huaja antisportive!
Në numrin e radhës, gazeta “Sporti” kishte një kronikë të shkurtër e pak koment. Ndërsa pas disa ditëve në një artikull më të zgjeruar, opinioni publik informohet se “pas përfundimit të ndeshjes që u gjykua me korrektësi dhe u fitua nga Dinamo 1-0, një grup rrugaçësh iu drejtuan dhomave të gjyqtarëve e të sportistëve të dyja ekipeve, duke kryer akte vagabondazhi, të huaja për sportin tonë, ndonëse ngjarja e papëlqyeshme nuk prish të vërtetën e pamohueshme të mjedisit entuziast e objektiv në stadiumet tona…
Por, në pozitat e tifozit të sëmurë bien disa herë edhe drejtues të klubeve, gjë që u reflektua te drejtuesit e klubit Naftëtari, para dhe pas ndeshjes, si dhe ndonjë kuadër tjetër që me presionet ndaj gjyqtarëve u bënë nxitës të veprimeve të huaja nga tifozët. Futbollistëve të paedukuar dhe tifozëve të sëmurë që krijojnë situata të rënda t’u tregohet vendi i duhur… Me të drejtë, organet kompetente, për sjellje të padenja në shoqëri, kanë dhënë dënime të ndryshme, me privim lirie për 10 persona nxitës të këtyre veprimeve. Ndërsa, për ngjarjet antisportive që bien ndesh me normat e moralit tonë, KKP të FSSH dhe sektori i futbollit morën këto masa:
1) Ekipi i Naft tarit përjashtohet 1 vit nga të gjitha veprimtaritë kombëtare të futbollit dhe zbret një kategori me poshtë dhe do luajë jashtë fushës së tij.
2) Për punë të dobët edukative dhe mungesë masash organizative, përgjegjësi i klubit Naftëtari, Fatmir Ismaili shkarkohet nga detyra, ndërsa trajnerit Pandi Angjeli i hiqet e drejta për të drejtuar ekipe në veprimtaritë kombëtare.
3) Futbollistët S. Meta, R. Makashi përjashtohen përgjithmonë nga të gjitha veprimtaritë sportive për shfaqje të huaja antisportive e nxitje të opinionit sportiv të sëmurë.
Ky artikull është ekskluzivisht për Panorama Sport. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al