Tabela me pikët finale të intervistës dhe testimit për 336 aplikantë
Dekania Rakacolli: Të premten bëhet ndarja e kuotave për fituesit
Gara e kandidatëve për të fituar një nga 97 kuotat e specializimeve në Mjekësi po shkon drejt finalizimit.
Rreth 350 mjekë pretendentë për t’u specializuar kanë përfunduar provimin me shkrim dhe me gojë, ndërsa kanë afat deri të martën të ankimojnë rezultatin. Fakulteti publikon pikët finale për secilin aplikant, të cilat janë shumatore e pikëve të mesatares, pikët e intervistës me gojë dhe pikët e testimit që iu nënshtruan gjatë kësaj jave. Faza përfundimtare, ajo e zgjedhjes së profilit, që këtë vit do të bëhet sipas meritës, parashikohet të mbyllet në javën që vjen.
“Deri të martën aplikantët mund të bëjnë ankimimet, të cilat do t’i shqyrtojmë një më një. Besoj se të premten ata do të mund të zgjedhin një nga 36 programet e ofruara”, informon dekania e Fakultetit të Mjekësisë, Mira Rakacolli. Zgjedhja e profilit bëhet nga vetë kandidatët fitues në rend zbritës, bazuar në pikët e fituara nga secili dhe kuotat e vëna në dispozicion. Me përfundimin e programit të specializimit, përcaktohet që vendi i punës u sigurohet nga Ministria e Shëndetësisë, e cila vlerëson me 25% të pikëve rezultatin e arritur në konkurrimin hyrës për specializim dhe 75% të pikëve vlerësimin përfundimtar të këtij programi. Në vendet e punës në dispozicion për këta kandidatë nuk bëjnë pjesë strukturat spitalore universitare, për të cilat parashikohet konkurrim i hapur.
Listen e plote e lexoni duke klikuar ketu
BESARTA BASHA