Spektakli në Durrës, muret e shtëpive mbushen me piktura

Sep 29, 2014 | 13:44
SHPËRNDAJE

Një nga artistët duke pikturuar muret në Durrës
Me punimet e tyre artistike, 40 piktorë e skulptorë nga vende të ndryshme të botës i dhanë një pamje krejt tjetër lagjes së vjetër që ndodhet pranë Amfiteatrit të Durrësit.
Pamja aktuale e lagjes nuk ka të krahasuar me vjetërsirat e pak ditëve më parë, pasi punimet artistike e kanë ndryshuar totalisht atë. Bëhet fjalë për rrugicat e ngushta që lidhin Rrugën Tregtare me Amfiteatrin mijëravjeçar. Punimet janë kryer pikërisht në rrugën “Doktor Margariti”, segment mjaft i frekuentuar nga turistë vendas e të huaj, jo vetëm përgjatë sezonit veror, por në çdo periudhë të vitit. Bienalja e artit, e pagëzuar me emrin “Durrës art”, po shkon drejt fundit dhe artistët pjesëmarrës thuajse i kanë përfunduar punimet e tyre. Në rrugën “Doktor Margariti” artistët vendas dhe të huaj kanë vënë në jetë pikturat murale në pjesën e jashtme të banesave karakteristike të lagjes së vjetër durrsake, duke e kthyer në një nga lagjet me të pashme të qytetit bregdetar. Përpara se të viheshin në jetë pikturat murale, fasadat e banesave të vjetra në rrugën “Doktor
Një nga artistët duke pikturuar muret në Durrës
Margariti” u suvatuan, me qëllim që artistët të ndiheshin komodë përgjatë veprimtarisë së tyre. Piktorë e skulptorë nga e gjithë bota kanë realizuar piktura të ndryshme murale në fasadat e banesave të vjetra të kësaj lagjeje, si dhe skulptura të ndryshme, të cilat janë vendosur kryesisht ku kishte hapësira më të mëdha në rrugën “Doktor Margariti”. Banorët e lagjes së vjetër, por edhe qindra e mijëra kalimtarë, kanë mbetur të habitur nga transformimi që ka marrë kjo lagje. “Jemi vërtet të mrekulluar. Lagjja ka marrë pamje tjetër, shumë, shumë herë më të bukur se ekzistuesja. Më parë muret e jashtme të banesave ishin të pasuvatuara, ndërsa tani fasada ka marrë tjetër pamje, sikurse e një qyteti të zhvilluar. U jemi shumë mirënjohës këtyre artistëve, të cilët punuan për ditë me radhë në mënyrë vullnetare”, shprehen njëzëri banorët e kësaj lagjeje. Këta të fundit e mirëpritën që në start projektin, pavarësisht se shqetësoheshin nga zhurma e punimeve që skulptorët kryenin me mjete prerëse të gurit e mermerit pranë banesave të tyre. Gjithçka u arrit në sajë të bienales së artit “Durrës art, bienale 2014”. Koordinatori i bienales, Xhuliano Otaviani, në përshëndetjen e tij falënderoi kryebashkiakun Dako për mbështetjen që ai u dha artistëve që në fillim, ndërsa theksoi se qëllimi i bienales është që ajo të kthehet në traditë dhe ata të zhvillojnë edicionin e dytë të saj vitin e ardhshëm.
 

DURRES/ LEONIDHA MUSAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura