Nga Kukësi në Korçë, kampionët korçarë priten si heronj
Vërshëllima e gjyqtarit Enea Jorgji sinjalizoi fundin e takimit mes Skënderbeut dhe Kukësit, si dhe krejt sezonit, duke i dhënë kështu rrugë festës së korçarëve si kampionë zyrtarë të Shqipërisë. Për të tretën herë radhazi e përjetojnë këtë ndjesi bardhekuqtë. Dukej si një “déjà vu” momenti kur po jepeshin medaljet e arta, duke qenë se një pjesë e tyre e kanë provuar edhe më parë këtë ndjesi. Por gëzimi mbetet unikal. Ai i ka përfshirë të gjithë, që nga Shehi, i cili e mori medaljen i pari, deri te kapiteni Shkëmbi, që ngriti dhe trofeun. “E fituam!”, ishin këto fjalët e lojtarëve në skenën e përgatitur enkas për ta. Por në përfundim të festimeve ajo skenë u “shkatërrua”, sa nga era, aq edhe nga forca e “ekipit” kampion. Episod që kurrsesi nuk mund ta shuante gëzimin. Pasi u përshëndet me kuksianët, ekipi iu drejtua një tjetër destinacioni. Rruga për në “Tropikal Resort” dukej si e shtruar me tapet të kuq për kampionët, të cilët sa më shumë i afroheshin Durrësit, aq më shumë ndizej atmosfera për fitimin e titullit. Ndërkaq veç entuziazmit, nuk kanë munguar edhe batutat. Njeriu më gazmor ishte pa diskutim Orelesi, me shakatë e tij të pakrahasueshme, por edhe Dimo, Shkëmbi, Arapi e Fagu që nuk pushonin së foluri. Mbërritja në Durrës ishte dhe shpërthimi i festës. Fishekzjarrët dhe jehona e tifozëve shoqëruan më së miri hyrjen e kampionëve në vendqëndrimin e tyre. Momente “paniku” pati kur kupa nuk po dukej askund. Mirëpo kjo ishte veçse një shaka e stisur prej presidentit Takaj dhe tifozëve, të cilët donin që për disa çaste lojtarët të viheshin në kërkim të trofeut të sapofituar. Dhe në fund, pas këtyre momenteve argëtuese dhe deliri, të gjithë të uritur u ulën për të ngrënë. Pasi shijuan darkën e përgatitur posaçërisht për heronjtë, ekipi u nis drejt Korçës. Lodhja nga ky rrugëtim i gjatë pothuajse nuk ndihej. Më në fund një buzëqeshje i është shkëputur edhe trajnerit Josa. Kudo dëgjohej jehona e korçarëve, saqë edhe qytetet nëpër të cilat kalonte ekipi buçitnin nga brohoritjet “Kampiona, Kampiona, Kampiona jemi ne!”.
Pritja në Korçë Lodhja e ditës së shtunë nuk është ndier aspak nga futbollistët. Secili prej tyre që në orët e para të mesditës ka preferuar të festojë sipas mënyrës së tij medaljen e artë. Ndërsa pasditja e djeshme ofroi pjesën tjetër të festës në qytetin e Korçës. Dhe kjo, sipas presidentit Takaj, ishte festa e vërtetë për kampionët, të cilëve për fat të keq u është dashur ta festojnë titullin tre vjet në transfertë. Festa nisi me një hapësirë muzikore. Këngëtarët më në zë të Shqipërisë, Zajmina Vasjari, Samanta Karavello, Devis Xherahu si dhe vëllezërit korçarë, Endri dhe Stefi, mbushën skenën me paraqitjet e tyre, megjithatë kulmi nuk kishte mbërritur gjer në momentin e mbërritjes së kampionëve. Ata kanë improvizuar edhe njëherë ngritjen e kupës, por tashmë nga zemra e qytetit. Me gjithë reshjet e shiut, pjesëmarrja e tifozëve ka qenë mjaft e madhe. Pedonalia e qytetit ishte mbushur plot e përplot, saqë një stadium i tërë vështirë se do ta përballonte këtë ngarkesë. Festa ka vijuar përreth dy orë në qendrën e qytetit, ku ekipi ka ngritur për të disatën herë trofeun. Dhe në fund gjithçka është mbyllur me një premtim të presidentit, i cili ka theksuar se pavarësisht shprehjes që thotë “e treta, e vërteta”, ata do të përgatiten të rrëmbejnë titullin e katërt.
Llazi Saro
Korça dhe Kukësi janë në festë, Skënderbeu ngre trofeun
Stadiumi “Zeqir Ymeri” u shndërrua në arenë e festive për dy skuadrat më të mira të Kategorisë Superiore, që arritën objektivin e fillmsezonit, Skënderbeu titullin kampion, ndërsa Kukësi pjesëmarrjen në Europa Ligë nëpërmjet vendit të dytë. Sikurse ishte parashikuar, kjo sfidë u dha kënaqësinë të gjithë protagonistëve, sidomos tifozëve vendas, që nuk e kishin përjetuar kurrë më parë një atmosferë kaq elektrizuese. Dy kryesueset e Superiores e treguan që e meritojnë pozicionin në renditje me atë çfarë shfaqën edhe në fushën e blertë, ku u shënuan plot shtatë gola, njëri më i bukur se tjetri. Pero Pejiç u dha avantazhin korçarëve në minutën e 21-të, gol që nxiti reagimin e fortë të vendasve, të cilët barazuan shifrat me Enkel Alikajn në minutën e 43-të, ndërsa në kohën shtesë të fraksionit të parë Lazar Popoviç ngriti peshë entuziazmin e tifozëve të shumtë të pranishëm në “Zeqir Ymeri”. Pjesa e dytë do të niste vrullshëm për Skënderbeun, që vuri baraspeshën me Sabien Lilajn, i cili realizoi një gol shumë të bukur. Në një aksion ndoshta pa shumë pretendime, Popoviç bën Mesin, duke tribluar të gjithë mbrojtësit korçarë për ta çuar më pas topin aty nuk mund ta arrijë Orges Shehi. Kapiteni i kampionëve në fuqi, Bledi Shkëmbi, vë firmën e golit të tretë për miqtë, ndërsa goli që i dha kënaqësinë e fitores Kukësit u shënua me 11-metërsh nga Allmuça. Takimet e tjera të kësaj jave të fundit u luajtën vetëm për statistikë, pasi sezoni matematikisht u mbyll që para dy javësh. Sa i përket analizës së këtij edicioni, Flamurtari, që e nisi me pretendime të mëdha këtë kampionat, i cili lançoi me të madhe fitimin e titullit kampion me rastin e 100- vjetorit të pavarësisë, jo vetëm nuk ia arriti kësaj gjëje, por mbeti krejt duarbosh. Duke e mbyllur Superioren në vendin e katërt, vlonjatët mbeten jashtë Europës, ndërkohë që në Kupën e Shqipërisë u eliminuan që në çerekfinale. Kjo mjafton për të thënë se në raport me shpenzimet e mëdha financiare të këtij klubi, sezoni është i dështuar për Flamurtarin, edhe pse ndërroi tre trajnerë: Muça, Rubio dhe Gjoka. Ashtu si bregdetarët, me zhgënjim të plotë e mbyllin edhe kuqeblutë e Vllaznisë. E nisën kampionatin me shumë pretendime, por treguan javë pas jave se kishin gabuar në merkato. Kjo solli edhe largimin e trajnerit Shpëtim Duro pas fazës së parë dhe ardhjen e Artan Bushatit në drejtim. Kjo lëvizje pati njëfarë shkëndije pozitive në tri ndeshjet e para të fazës së dytë, por më tej Vllaznia u rikthye në “identitet”. Vendi i 6-të në renditje me 35 pikë është shumë pak për një skuadër të tillë, e cila duket në ajër edhe për sezonin e ardhshëm. Tirana e emrit të madh, e 24 titujve, më shumë se askush tjetër në Shqipëri, përmbyll një sezon të errët, pa arritur asnjë objektiv minimal, sikurse mund të ishte pjesëmarrja në kupat e Europës. E renditur në vendin e pestë të Superiores pas 26 javësh kampionat, skuadra bardheblu dëshmoi javë pas jave problematika nga më të ndryshmet, sidomos në aspektin financiar, çka u pasqyrua edhe në rezultate. Drejtuesit kanë rikonfrimuar trajnerin Nevil Dede, ndërsa mjaft titullarë të tjerë janë bërë gati për t’u larguar. Se cila do të jetë Tirana e sezonit të ri, pritet të mësohet, por duke parë rivalitetin e krijuar tashmë nga skuadra rrethesh si Skënderbeu dhe Kukësi, apo rikthimi në elite i Partizanit, duhen përforcime të shumta për ta rikthyer aty ku duhet fanellën bardheblu.
“Tortën e ndaj me familjen e lojtarët”
Trajneri i Skënderbeut, Mirel Josa, ka vlerësuar maksimalisht punën e lojtarëve të skuadrës gjatë këtij sezoni, teksa ia ka dedikuar një pjesë të titullit edhe familjes së tij. “Nga titulli me Tiranën deri tani kanë kaluar disa vite dhe si zakonisht, arritjet harrohen disi më shpejt, ndaj më vjen mirë që sot (dje) po festojmë duke uruar të gjithë bashkëpunëtorët e mi për këtë trofe. Dedikimi? Do të më duhet që tortën ta ndaj në shumë copa, pasi ka shumë persona që kanë kontribuar në këtë titull. Gjithsesi, nëse do ta ndaj në përqindje, po them se 50 i takon familjes sime, dy vajzave dhe bashkëshortes, dhe 50 për qind lojtarëve, të cilët ishin edhe kontributorët kryesorë në këtë titull. Ishte një sezon realisht i vështirë, por që ne ditëm të zgjidhnim”.
Cungu: Urimi për klubin dhe tifozët
Në sezonin e parë në Superiore te skuadra e Kukësit dhe në sezonin e tij të parë edhe si trajner i parë, Armando Cungu ishte i suksesshëm përderisa nga dje është nënkampion dhe pjesëmarrës në Ligën e Europës. “Ishte një sezon tejet pozitiv për mua dhe për Kukësin. Mund të them pa frikë se i tejkaluam edhe objektivat për këtë sezon. Ndihem mirë dhe uroj që kjo skuadër të ketë vazhdimësi edhe për sezonin tjetër. Ne do tentojmë që t ’i mbajmë në tonus këta lojtarë dhe, pse jo, sezonin tjetër të pretendojmë edhe për titullin kampion. Nuk ka arsye që të mos e mendojmë një gjë të tillë, por për momentin le të festojmë për arritjen e këtij sezoni. Një urim të veçantë për të gjithë tifozët e Kukësit që na kanë mbështetur gjatë gjithë këtij sezoni”, tha Cungu.
Shkëmbi: Tripletën “e djegim” në Korçë
Kapiteni i Skënderbeut, Blendi Shkëmbi, nuk i ka fshehur emocionet e këtij titulli të tretë, por pas ndeshjes së djeshme ka pohuar se veç festës në Kukës, ajo që do vlejë më shumë do zhvillohet sot në Korçë para tifozëve vendës. “Ishte një eksperiencë e shkëlqyer, një mikpritje super nga kuksianët dhe një ndeshje që pasqyroi më së miri formën dhe nivelin e dy ekipeve. Për mua është një ndjesi e veçantë, pasi kam fituar tre tituj me Skënderbeun. Më duhet të falënderoj shokët e ekipit për këtë kampionat të shkëlqyer. Festa ende nuk është mbyllur, pasi na pret një tjetër atmosferë madhështore në Korçë, ku do të festojmë titullin përballë tifozerisë sonë. Jemi mjaft të gëzuar të gjithë, pasi kemi fituar natyrisht trofetë më të rëndësishëm në këto tri vite, ndaj i falënderoj të gjithë ata që kanë kontribuar”.
Duka: Sezon pozitiv, surpriza ishte Kukësi
Si çdo fund sezoni, presidenti i FSHF-së ka dhënë mendimin e tij lidhur me kampionatin. “Mendoj se ishte një sezon i mirë, me emocione dhe surpriza të këndshme. Një e tillë ishte dhe Kukësi, një skuadër e cila askush nuk besonte në fillim të sezonit se mund të arrinte deri këtu, pra në vend të dytë dhe përfaqësim në Europë. Unë dua të uroj të gjithë protagonistët që morën pjesë në kampionat dhe veçanërisht edhe ata që ranë një kategori më poshtë për garën e bukur që zhvilluan deri në fund, duke uruar që të bëjnë një kampionat të mirë edhe në Kategori të Parë. Unë uroj që të gjithë të jenë kënaqur nga ky kampionat. Uroj që tifozët dhe spektatorët ta kenë pëlqyer dhe pa dashur këtu që të bëj krahasim me sezonet e tjera, ajo që e bën diferencën është fakti se sivjet lufta për titull u mbyll më shpejt, madje edhe ajo për Europë, kështu që dy javë e fundit u luajtën më së shumti për statistikë. Por gjithsesi, kjo nuk ia zbeh bukurinë këtij kampionati”, tha Duka.
Verdiktet e kampionatit
Kujtojmë se verdiktet e këtij kampionati janë të tilla: Skënderbeu kampion për të tretin sezon radhazi, Kukësi debutues për herë të parë në Superiore shpallet nënkampion i vendit, ndërsa Teuta renditet e treta. Të tria këto skuadra përfshihen në “zonën europiane”: Juglindorët do të marrin pjesë në fazën paraeliminatore të Ligës së Kampioneve, ndërsa kuksianët në fazën paraeliminatore të Ligës së Europës, së bashku me Teutën e Durrësit. Ndërkohë, katër skuadrat që i thonë lamtumirë Superiores janë: Apolonia, Tomori, Luftëtari dhe Shkumbini. Në këtë drejtim ndoshta mund të kemi edhe ndonjë surprizë, sepse presidenti i Besës, Nexhat Bizhdili, është nën hetim nga Prokuroria për trukime ndeshjesh. Nëse kjo vërtetohet, atëherë skuadra kavajase do të detyrohet të zbresë një kategori më poshtë, duke lumturuar kësisoji peqinasit. Që përfitojnë indirekt.
Tashmë nga ky sezon futbollistik ka mbetur për t’u luajtur vetëm finalja e Kupës së Shqipërisë, mes Bylisit dhe Lacit, dy skuadra që e shijojnë për herë të parë në historinë e tyre këtë event futbollistik. Më 17 maj, në orën 20:00, në ndërkombëtarin “Qemal Stafa”, kurbinasit dhe ballshiotët do të luajnë ndeshjen e jetës, pas së cilës do të mësojmë edhe fituesin e trofeut të dytë më të rëndësishëm kombëtar, që vlen pjesëmarrjen në Kupat e Europës.
Në kampionatin e Superiores janë shënuar në total 427 gola, nga të cilët 41 me penallti. Më shumë se të tjerët, gjashtë 11-metërsha i ka shndërruar në gol Igli Allmuca i Kukësit, ndërsa pesë të tilla kanë autorësinë e Migen Memellit të Flamurtarit. “Këpucën e Artë” të Superiores e fiton sulmuesi i Flamurtarit, Migen Memelli me 19 gola, i ndjekur nga Popovic, serbi i nënkampionëve të vendit, me 16 gola.
KATEGORIA SUPERIORE
Skënderbeu – Kampion (pjesëmarrës në Champions League)
Kukësi dhe Teuta – Liga e Europës
Bien nga Kategoria – Shkumbini, Tomori, Luftëtari dhe Apolonia
Kupa – Bylis-Laçi (17 maj 2013)
KATEGORIA E PARË
Lushnja – Kampion
Lushnja dhe Partizani – Ngjiten në Superiore
Bien në Kategori të Dytë – Naftëtari, Gramshi, Besëlidhja dhe Iliria
KATEGORIA E DYTË
Albpetroli – Kampion
Albpetroli dhe Veleçiku – Ngjiten në Kategori të Parë
Bien nga kategoria – Skrapari dhe Egnatia
JAVA e 26-TË
11.04.2013
LUFTËTARI-SHKUMBINI 1-2
Golat: Nora 90+2′ / Lluca 18′, Mile 70′ (pen)
BYLISI-BESA 1-1
Golat: Izucuku 31′ / Poci 60′
APOLONIA-FLAMURTARI 0-0
VLLAZNIA-KASTRIOTI 2-0
Golat: Guri 58′, Vecaj 89′
KUKËSI-SKËNDERBEU 4-3
Golat: Alikaj 43′, Popovic 45+1′, 64′, Allmuca 81′ (pen) / Pejic 25′, Lilaj 47′, Shkembi 74′
09.04.2013
TOMORI-TEUTA 4-1
10.04.2013
LAÇI-TIRANA 0-0
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"