15 vite nga vrasja e Zylfos, arbitri i FIFA-s e parandjeu tragjedinë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 13, 2015 | 15:12

15 vite nga vrasja e Zylfos, arbitri i FIFA-s e parandjeu tragjedinë

zylfo

Nga UVIL ZAJMI

E shtunë, 13 maj, 2000. Ora 17:30, në një lokal afër sta diumit “Selman Stërmasi”, pak çaste pasi ka përfunduar ndeshja Partizani-Tomori, janë dëgjuar të shtëna. Një dorë, një armë, plumba pastaj panik, ankth, frikë… Ka të vrarë e të plagosur, një kaos total. Gjithçka në pak sekonda, pastaj lajmi i tmerrshëm: Një president klubi dhe një arbitër futbolli kanë humbur jetën… Zija ka mbuluar futbollin kombëtar. Familje, miq e shokë, i gjithë komuniteti sportiv e më gjerë i zhytur në një dëshpërim, keqardhje, që nuk ka fjalë, por vetëm lot…. Nga ajo mesditë maji, kanë kaluar plot 15 vite. E mbuluar me trishtim të pafundmë, ajo ditë mbetet e lidhur me kujtimin për ata që krejt papritur u ndanë nga jeta. Cilët ishin Ardian Çobo dhe Luan Zylfo? Si ndodhi ngjarja? Përse u caktua ai arbitër? Parandjenja e keqe para ndeshjes, ftesa për një kafe, pastaj drama në dy familjet. Si e kujton Xhuli, gruaja e Luan Zylfos çastin kur mori lajmin? Po Janku dhe Lamçe, dy arbitrat e plagosur apo gazetari Shakohoxha, asistenti Hogu dhe Agim Veshi, shoferi FSHF-së që ishin ulur bashkë me ta…?

Pragsfida, kërkohen arbitra të FIFA-s

Në prag të ndeshjes ndaj Partizanit, presidenca beratase e Tomorit ka kërkuar që përballjen e rëndësishme ta drejtojë një arbitër i FIFA-s. Kërkesa është marrë në konsideratë dhe FSHF, cakton Luan Zylfon, arbitër me eksperiencë, si dhe dy asistentë gjithashtu të njohur, Shpëtim Lamçen (FIFA) dhe Skënder Hogun (FIFA). Arbitër i katërt është Albano Janku (FIFA). Të gjithë nga kolegjiumi i Tiranës. Vëzhgues vendoset Lulzim Konçi, ndërsa delegatë të FSHF-së janë dy: Hito Hitaj e Vasillaq Zëri. Për Zylfon, kjo ishte ndeshja e fundit e karrierës.

Parandjenja para ndeshjes

“Nuk kam dëshirë ta arbitroj atë ndeshje. Nuk ka për të shkuar mirë… Kam një parandjenjë të keqe! Nuk më ka zënë gjumi dhe s’kam fjetur mirë”, i pat thënë Zylfo asistentit Lamçe në mbrëmjen e së premtes, një ditë para ndeshjes. Sidoqoftë, të shtunën, ora 13:30 janë takuar te një lokal përballë stadiumit dhe në heshtje Zylfo ka preferuar të pijë vetëm një shishe me ujë, cigaren e pandarë dhe asgjë tjetër. “Çfarë ke?”, e ka pyetur Lamçja. “Nuk jam mirë”, i është përgjigjur. “A do të mos e bësh ndeshjen?”, ka insistuar Lamçja. “Jo, jo do ta arbitroj unë!” dhe kanë vijuar për në stadium.

90 minutat dhe vërshëllima e fundit

Ishte java e parafundit e kampionatit kombëtar, ora 15:00, PartizaniTomori janë përballë në “Selman Stërmasi”. Vapë, mjaft tifozë beratas, pak partizanas, pasi, si asnjëherë më parë, Partizani ishte drejt rënies nga kategoria dhe Tomori shumë pranë titullit kampion. Nëse Tirana (48 pikë) që luante në Gjirokastër humbiste dhe Tomori (46 pikë) fitonte, beratasit shpalleshin kampionë një javë para fundit, pasi prisnin Shkumbinin në fushën e tyre. Pas 90 minutash të zhvilluara u vulos ky rezultat: 0-1 në “S.Stërmasi” gol i Klodian Arbërit në 89-ën dhe 1-1 barazon Tirana në Gjirokastër. Renditja provizore një javë para fundit: Tomori dhe Tirana me 49 pikë. Ndërkohë, në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”, në orën 17:00, po atë mesditë është programuar të zhvillohet për herë të parë një ndeshje miqësore midis ekipeve përfaqësuese të politikanëve, ShqipëriItali.

Ftesa për një kafe

Ndërsa ndeshja pat përfunduar pa asnjë shqetësim, kur skuadra, lojtarë e tifozë kanë braktisur mjediset e stadiumit, në mëngjesoren “Shelgu”, përballë hyrjes “A” të tribunës, janë ulur së bashku arbitrat, presidenti dhe drejtues të Tomorit, gazetari sportiv Shakohoxha, shoferi i njohur i FSHF-së, Agim Veshi. Duke konsumuar thuajse të gjithë me nxitim nga një pije freskuese, apo nga një kafe e cigare, sepse më pas të gjithë me shpejtësi do të shkonin drejt “Qemal Stafa”-s për të ndjekur miqësoren e politikanëve. As 2-3 minuta pasi u janë servirur çfarë kishin porositur, papritmas një dorë dhe një armë, disa të shtëna, pastaj ulërima kanë shoqëruar ato momente paniku, terrori, frike, ankthi, pasigurie. Njerëz që largohen, por edhe që tentojnë të afrohen e t’u japin ndihmën e parë të dëmtuarve.

Me shpresë, drejt Spitalit Ushtarak

Fatkeqësisht, plumbat kanë goditur e prekur disa, por në mënyrë fatale presidentin e Tomorit, Ardian Çobo, e bashkë me të edhe arbitrin Luan Zylfo. Janë përpjekur për t’u dhënë atë çfarë mund t’u jepej në ato çaste, në veçanti për Çobon ka qenë e pamundur. Veshi, Hogu, Lamçe, Janku bashkë me Shakohoxhën tentuan ta ngrenë e ta hipin në furgonin e FSHF-së Zylfon, por ai e kishte të pamundur qëndrimin në këmbë, binte pa ndjenja. E kanë ulur në sediljen e pasme dhe i janë drejtuar me shpejtësi Spitalit Ushtarak pa e menduar kurrë, madje për asnjë çast, se situata ishte kritike. E kanë futur në urgjencë, pastaj minuta, orë të gjata pritjeje, kur mjekët kanë dalë të dorë- zuar: “Bëmë gjithçka, u tentua në çdo mënyrë, por një plumb e kishte marrë në qafë tek aorta…”, u shprehën mjekët. Lajmi erdhi si një rrufe në qiell të hapur, më të zi e të rëndë nuk kishte. Atëherë u kuptua se kishim të bënim me një tragjedi të madhe.

UntitledEdhe Janku e Lamçe të plagosur

Teksa automjeti i FSHF-së me Agim Veshin shofer i është drejtuar Spitalit Ushtarak, me Zylfon e shtrirë, pikërisht në ato momente edhe Albano Janku ka parë dorën e gjakosur. Nga gjaku që i kullonte, e ka kuptuar se në kofshën e djathtë ishte plagosur. Ndërhyrja kirurgjikale ishte e shpejtë, pas së cilës mjekët kanë mundur të shmangin një tjetër dramë. Disa ditë qëndrimi në spital, pastaj me vështirësi dhe kohë të gjatë ishte rikuperimi. Edhe Shpëtim Lamçe, i plagosur në dorë, ka vrapuar dhe është mjekuar në urgjencën e Ambulancës Nr.8, pranë stadiumit.

Me Çobon në spital, por pa jetë

Ndërsa skuadra e Tomorit bashkë tifozët kishin marrë rrugën për t’u kthyer në Berat, në Ndroq janë njoftuar për çfarë kishte ndodhur. Pa e zgjatur, janë kthyer menjëherë e kanë vrapuar të gjithë në Spitalin Ushtarak, por fatkeqësisht e kanë gjetur pa jetë presidentin e tyre, Ardian Çobo. Të ndodhur në afërsi të lokalit ku ndodhi ngjarja, të afërm të tij kanë vrapuar me shpejtësi për t’i dhënë ndihmën e parë, pastaj me një automjet e kanë dërguar në spital, por jeta e tij fatkeqësisht ishte ndërprerë ende pa mbërritur atje.

“Qemal Stafa” pushtohet nga ankthi

Ndërsa në “Qemal Stafa” po luhej miqësorja e politikanëve, lajmi i ardhur u përhap dhe pushtoi gjithë tribunën qendrore. Njoftimi ishte jo i plotë, madje vetëm kaq: “Ka pasur të shtë- na me armë në afërsi të stadiumit ‘Stërmasi’ pas ndeshjes, ka të plagosur dhe asnjë të dhënë më shumë. Njerëz të tronditur e të pasigurt filluan të interesohen dhe të braktisin ndeshjen që po zhvillohej qetësisht”. Me kalimin e minutave e me shtimin e informacioneve, u kuptua se nuk bëhej fjalë vetëm për armë e plagosje, por edhe për humbje jete. Sheshi para urgjencës së Spitalit Ushtarak ishte plot me qytetarë në pritje të mjekëve, të cilët me fjalën dhe fytyrën e tyre ishin shpresa e fundit e mbetur në ato çaste.

Lajmi i pabesueshëm që mori dhenë

Ndërkohë, kanalet televizive me shpejtësi kanë përhapur lajmin: “Të shtëna me armë pas ndeshjes së futbollit Partizani-Tomori në stadiumin ‘Selman Stërmasi’, ka të plagosur…”. Pastaj, nga një edicion te tjetri, informacioni vinte më i plotë për atë çfarë kishte ngjarë në mëngjesoren “Gjethja”. “Një president i një klubi futbolli, Ardian Çobo i Tomorit të Beratit dhe një arbitër futbolli, Luan Zylfo nga Tirana janë vrarë pas ndeshjes”. Ndërkaq, të tronditur, FSHF-ja, presidenti Papadhopulli, sekretari Starova dhe i gjithë stafi kanë reaguar menjëherë duke vënë në gatishmëri gjithçka që nevojitej në ato çaste, duke njoftuar edhe FIFA-n e UEFA-n.

Drama në dy familjet

Janë tragjedi që nuk të paralajmërojnë, nuk kanë gojë të flasin as para dhe as pas. Përmasat e tronditjes dhe hidhërimit ishin tmerrësisht të mëdha. E tillë ishte edhe për dy familjet, Çobo e Zylfo. Dy të rinj, një president klubi dhe një arbitër futbolli që ndahen në mënyrë dramatike e të papritur nga jeta. Njerëz që vinin në Spitalin Ushtarak, nuk donin t’i besonin asaj që kishte ngjarë. Po kështu, familjarë, të afërm, miq. Të ndjerin Çobo e dërguan në qytetin e tij po atë natë. Të nesërmen, ceremonia mortore e organizuar dhe zhvilluar në Tiranë e Berat e turma njerëzish, kanë kaluar në heshtje pranë tyre, trupat e të cilëve ishin vendosur në mjediset e stadiumeve ku ata shërbyen me pasion dhe me të cilat kishin lidhur jetën, dashurinë, gjithçka.

Shtypi, të nesërmen dhe në vazhdim

Të gjithë gazetat, në veçanti ato sportive, “Sport Ekspres” dhe “Sporti Shqiptar” i kanë kushtuar e dedikuar faqen e parë e më gjerë tragjedisë. Të dielën, një ditë më pas e në vazhdim ato ishin të mbushura me detaje, si dhe kronologjinë e ngjarjes. “Futbolli në Zi”, ishte titulli i “Sport Ekspres”. Ndërsa të martën, “Sporti Shqiptar”, zbardhte një intervistë me Shpëtim Lamçen, asistenti i pranishëm në vendngjarje, që i shpëtoi mrekullisht tragjedisë. Ai i tregon me hollësi gazetarit Bashkim Tufa se çfarë kishte parë dhe si i kishte përjetuar ato çaste tmerri. Po kështu edhe kanalet televizive në çdo edicion lajmesh jepnin informacione plotësuese, ndërkohë që për kampionatin pak kishte hapësirë, pasi gjithçka në ato ditë ishte e fokusuar për tragjedinë e madhe.

Kolegjiumi merr emrin “Luan Zylfo”

Nuk ishte praktikë në të kaluarën që kolegjiumet e futbollit të merrnin apo të njiheshin me emrat e ish-arbitrave të famshëm të qyteteve, ashtu siç veprohet në komunitetin arbitral në shumë vende të botës. Për herë të parë ishte Tirana që mori iniciativën që Kolegjiumi i Arbitrave të Futbollit të merrte emrin “Luan Zylfo”. Propozimi iu bë “Shoqatës së Arbitrave”, e cila aprovoi pa hezitim dhe që nga viti 2000 ky kolegjium njihet me emrin “Luan Zylfo”. Më pas kjo ide edhe në qytete të tjera, ku kolegjiumet morën emrat e arbitrave që nuk jetojnë më, si ai i arbitrave “Ferzi Topciu”, i Pogradecit, ai në Kuçovë “Bashkim Hyskja”. Madje, nga Shoqata e Arbitrave janë organizuar edhe turne përkujtimorë futbolli gjithëpërfshirës, si Kupa “Luan Zylfo”, në të cilën kanë marrë pjesë, gazetarë, arbitra futbolli, miq edhe nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi etj.

Kush ishte Luan Zylfo?

Prej kohësh arbitër futbolli i Kolegjiumit të Tiranës dhe i FIFA-s. Arbitër cilësor, i besohej çdo takim me shkallë të lartë vështirësie, korrekt, modest, familjar, i ekuilibruar, i matur, cilësi të një njeriu me karakter, shumë miqë- sor dhe paqësor. Punonjës në administratën e Institutit “Harry Fultz” (Ish-Politeknikumi 7 Nëndori-Tiranë), i martuar me Xhulin, të cilën e njohu kur kryente shërbimin ushtarak në Vlorë. Të pandarë prej atij momenti, deri në çastet e fundit. Xhuli e ndiqte në çdo ndeshje, duke u bërë një pjesë e rëndë- sishme e tij dhe arbitrimit falë pasionit që transmetonte Luani. Ishte në stadiumin “S.Stërmasi” me fëmijët, pa ndeshjen dhe u nis për në “Qemal Stafa”, në pritje të mbërritjes së Luanit për të ndjekur së bashku takimin e politikanëve, pasi kështu e kishin lënë. Por, ai takim nuk u realizua kurrë… Ata nuk u takuan dhe nuk u panë kurrë më. Edhe ceremoninë e largimit nga arbitrimi, Luani e kishte menduar ta organizonte pas një jave, por edhe kjo nuk u realizua. Ai la pas vajzën dhe djalin, i cili nuk vijoi rrugën sportive të të atit.

Si e kujton Xhuli, gruaja e tij

“U ndamë për t’u takuar, por nuk u pamë më. Isha në stadiumin ‘Selman Stërmasi’ dhe, sapo ndeshja përfundoi, bashkë me dy fëmijët u nisa për në ‘Qemal Stafa’, për të ndjekur atë të politikanëve, ku do të vinte edhe ai. E rrethuar nga policia, nuk më lanë të hyja. Duke qenë se Luani po vonohej, u nisa për në shtë- pi. Nuk dija asgjë, pasi gjithçka kishte ndodhur ndërsa unë isha rrugës. Sapo kisha mbërritur, më erdhën njerëzit e dhëndrit, të cilët e kishin dëgjuar në televizion dhe më thanë: ‘Vishu dhe zbrit poshtë’. Me shpejtë- si zbrita shkallët dhe, sikur ta parandieja, i pyeta: ‘Mos i ka ndodhur gjë Luanit?’. Jo, – më thanë, – është plagosur vetëm në krah. Në spital kujtoj njerëz, pastaj asgjë nuk mbaj mend, se si kam ardhur në shtëpi. As ditët në vazhdim nuk i mbaj mend. Çfarë ishte ai kiamet i madh?! Çdo maj që vjen, më sjell trishtimin, më rikthen tek ajo ditë. Kujtoj se po përgatiteshim për të martuar vajzën dhe ende ruaj listën e të ftuarve të shkruar me shkrimin e bukur që kishte Luani. Kam bluzën e verdhë, atë që arbitroi atë ditë, bilbilin, stemën e FIFA-s, por edhe një bllok shumë të veçantë, në të cilin ai mbante shënime. Nuk e hap, pasi më pushton një emocion i madh që më jep ndjesinë sikur e kam pranë Luanin, ndërkohë që çdo ditë që kalon më shton pafundësisht mungesën e madhe të tij”, rrëfen Xhuli.

Kush ishte Ardian Çobo? 

Kush ishte Ardian Çobo, që bashkë me Zylfon, humbi jetën në atë mesditë të 13 majit? Në fakt ishte një qytetar beratas, president i klubit Tomori, shumë pasionant, dashamirës futbolli, i pari që e afroi aq shumë skuadrën beratase në fitimin e titullit kampion, çka nuk ishte shënuar në gjithë historinë e klubit. I angazhuar për t’i dhënë qytetit trofeun e parë, deri në çastin e fundit tentoi, pa kursyer asgjë, por për fatin e tij të keq nuk mundi ta realizonte. Shumë i ri në moshë, la pas familjen, miq e shokë. Pas ndarjes së papritur nga jeta të Çobos, edhe fati i skuadrës pësoi rënie, madje prej vitesh luan në kategoritë inferiore, larg elitës së futbollit shqiptar, ku tentoi dhe kërkoi ta mbante Ardian Çobo.

Fundi i kampionatit, Tirana kampion

Duke qenë se dy skuadrat u renditën të parat në fundin e kampionatit në kuotën e 52 pikëve, u vendos të zhvillohej takimi final, në Elbasan, fushë asnjanëse, të dielën vijuese. (Rregullorja e atij kampionati me 14 skuadra nuk e parashikon fituesin me golavarazh). Nga shtatë arbitra që ishin në short, po kaq edhe asistentë, ishte Bujar Pregja që e arbitroi atë sfidë titulli. Fillimisht një minutë zi, pastaj 90 minuta të rivalizuara deri në fund. 1-1, me gola të Fortuzit e Malokut. Shtesë 30 minuta, pastaj me penallti 4-3 dhe Tirana kampione. Tomori u rendit i dyti, por ka një të veçantë: Klodian Arbëri u shpall shënuesi më i mirë me 18 gola. Teuta renditet e treta, ndërsa bien në Kategorinë e Dytë Elbasani e Partizani.

Si e kujtojnë atë ditë, Janku, Shakohoxha, Lamçe, Veshi, shoferi i njohur i FSHF-së

Albano Janku, arbitër i 4-ët

“Si një ëndërr që nuk mbaron kurrë. Nuk e dija çfarë kishte ndodhur me Luanin, pasi edhe mua të plagosur më dërguan në urgjencë, më operuan, pastaj në mbrëmje më shtruan në spital dhe i humba kontaktet. Vetëm pas dy ditësh, u informova çfarë kishte ngjarë, pasi askush nuk më tregonte, madje më fshihnin. Nuk e kam besuar dhe nuk kisha se si ta besoja”.

Shpëtim Lamçe, asistent i takimit

“Edhe pse vitet kalojnë, e kam ngjarjen të freskët në kujtesë si momentin më të hidhur të jetës, që nuk e harroj kurrë. Kujtoj ndeshjen, madje isha i vendosur si asistent në krahun e tribunës, pastaj në dhomë pas ndeshjes erdhi presidenti Çobo duke na uruar për arbitrimin. Ai na ftoi për nga një pije freskuese. Duke iu afruar lokalit, kujtoj Zylfon që më tha: ‘Nuk do vonohemi se do shkoj në stadium se më pret familja për të parë ndeshjen me politikanët'”.

Dritan Shakohoxha

” E kam mbajtur në krahë Luanin deri në çastin e mbërritjes në spital. Albano i plagosur mezi qëndronte, ndërsa unë i vetëm, në ato momente paniku dhe hutimi, dikush më shtyu, më dha kurajë, forcë të mblidhja veten, pa ditur dhe kuptuar asgjë. Ndeshja nuk transmetohej në TV, ndërkohë që pas takimit bashkë me arbitrat presidenti i Tomorit më ftoi edhe mua për të pirë diçka. Nuk mendova kurrë që, pas mbërritjes së Zylfos në spital, ai do të humbte jetën. Nuk m’u duk aq rëndë”.

Agim Veshi, shoferi i FSHF-së

“Pasi ndoqa ndeshjen, në lokal u gjenda rastësisht, më shumë për të pritur Luanin e për të shkuar bashkë në shtëpi, pa ditur se ai e kishte lënë me Xhulin në ‘Qemal Stafa’. Gjithçka ka ndodhur në një sekondë, pastaj ato minuta, orë i kujtoj me shumë keqardhje. Me Shakohoxhën dhe Albanin nuk e di si e kam drejtuar makinën për në spital, kur Luani e ndjente se ishte plagosur në qafë. Atje më dërguan t’i merrja një qafore, pasi mund të kishte nevojë. Shkova ja bleva në farmacinë pranë spitalit, por kur u ktheva më thanë se nuk kishte vlerë. Më pas, kujtoj njerëz që vinin dhe qëndronin në oborrin e urgjencës”. Ndonëse ditët, muajt, vitet kalojnë, ajo mesditë e 13 majit nuk do të harrohet lehtë. Sot mbushen 15 vite nga ato minuta tragjike, kur presidenti i një klubi dhe një arbitër futbolli humbën jetën gjatë një aktiviteti sportiv. Një padrejtësi e goditje që nuk ka kufi e limite, pikërisht në momentin më jetësor e vital të tyre, për familjet, miqtë, për të gjithë ne.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"