Nevil Dede paralajmëron largim, nëse situata nuk ndryshon. Fill pas ndeshjes miqësore me Tërbunin, trajneri i Tiranës deklaroi se me këtë ekip dhe pa afrime nuk ka në plan që të jetë në pankinë në javën e parë të kampionatit. Gjatë një interviste të dhënë për gazetën ai tregon se shpresat po shkojnë drejt zeros.
Nevil, si e patë këtë miqësore të fundit, premton ky ekip?
Ju e patë edhe vetë, gjendja po merr një rrjedhë gjithnjë e më të keqe. Pas çdo ndeshjeje pësojmë rënie dhe ekipi tregon fytyrë akoma edhe më në rënie. Janë probleme që na shqetësojnë çdo ditë e më shumë.
Italiani që erdhi në provë ju bindi?
Nuk më bindi. Megjithatë, kur ke një ekip jo të mirë, atëherë dhe ai s’ka çfarë të shprehë në fushë. Këtu ka një handikap dhe nuk mundesh ta kuptosh dot nëse realisht ai ka aq kapacitet, apo ndikon çështja që përmenda më lart.
OK, por ikën apo qëndron?
Besoj se ikën.
Po për të tjerët që janë ende nën vëzhgimin tuaj…?
Të hënën do të ketë të tjera firo, do largojmë ata që nuk na bindin.
Do afroni të tjerë lojtarë?
Nuk e di, në këtë moment që jemi dhe me situatën që po kalojmë kjo duket e pamundur. Për një javë nis kampionati dhe, në kushte të tilla, do të ishte më mirë që të futeshe në fushë me të rinjtë.
Administratori thotë se ka një zgjidhje, ndërkohë që ju shprehni të kundërtën. Çfarë po ndodh realisht?
Ne diskutojmë me njëri-tjetrin, por realiteti është i tillë që administratori po mundohet të gjejë një zgjidhje, edhe pse realisht nuk është gjetur. Kemi minimumi 6-7 lojtarë, por edhe ata nuk mund ta përballojnë dot kampionatin. Janë lakuar shumë emra donatorësh, por tashmë shpresat po shkojnë drejt zeros.
Ju vetë çfarë do të bëni?
E vështirë që me këtë ekip unë personalisht të nis kampionatin.
Nënkuptoni se do largoheni…?
Unë vetë nuk mund ta marr dot përsipër riskun që të luaj ndaj Laçit me këtë ekip.
Tirana barazon me Tërbunin, shënojnë Çota dhe Agastra
TIRANA-TËRBUNI 1-1
GOLAT: Çota 12’/ Agastra 1′
TIRANA: Çaka, Kalari, Xhafa, Kaja, Muça, Taku, Peposhi, Kerçiku, Çaço, Kroçeti, Çota; Trajner: N.Dede U aktivizuan: Hysenbelliu, Syla, Kuçi, Hoxha
TËRBUNI: Guga, Hoxha, Shala, Dosti, Baku, Allmeta, Baze, Isufi, Greca, Malasi, Agastra; Trajner: V.Gjoni U aktivizuan: Liçaj, Gjeci, Bruka, Dimo, Mehmeti, Dodaj, Mone.
GJYQTAR: E.Dyrmishi
KARTON I VERDHË: Taku 77′
Tirana barazon 1-1 me Tërbunin. Miqësorja e fundit në prag të startit të kampionatit dëshmoi edhe njëherë që gjendja e bardhebluve lë për të dëshiruar. Në këtë takim u provua dhe italiani Lorenco Kroçeti, i cili nuk bindi, ndaj gjasat janë që sulmuesi të kthehet në vendin e tij. Pukjanët, edhe pse militojnë një kategori më poshtë se kryeqytetasit, ishin më në formë. Këtë e treguan që në sekondat e para të lojës, teksa Mustafa Agastra befasoi duke shënuar golin e avantazhit. Aksion i bukur për miqtë, sulmuesi kontrollon topin, gjuan dhe 0-1. Presioni i Tërbunit shtohet, teksa krijojnë edhe raste të tjera goli. Megjithatë, në të 12- ën minutë është Çota që barazon gjithçka. Muça pason për sulmuesin e bardhebluve dhe lojtari godet bukur, duke e dërguar topin në rrjetë. Loja ka ritëm, sidomos prej miqve nga Puka, që vazhdojnë të rrezikojnë portën e vendësve, por falë pritjeve të Çakës rrejta mbeti e paprekur gjatë fraksionit të parë. Pjesa e dytë nis me lëvizje të pakta në formacionet e të dyja skuadrave. Tirana mundohet, por e ka të vështirë që të bëjë diçka. Italiani i ardhur në provë pati tri raste, por topi në çdo episod përfundoi mbi tra. Me kalimin e minutave pukjanët ndryshojnë thuaje të gjithë 11-shen, teksa trajneri Gjoni aktivizoi lojtarë që kishte të gatshëm në stol. Në të 86-ën minutë, një penallti e fituar nga miqtë pas një ndërhyrjeje të lojtarëve të Tiranës në zonë kishte shansin që t’i ndryshonte shifrat. Megjithatë, gardiani Çaka dëshmoi edhe njëherë vlera, teksa arriti që ta grushtonte penalltinë e gjuajtur nga Baze. Minuta e fundit, përpos ndonjë përpjekjeje nga të dy kampet, nuk solli kurrfarë ndryshimi në rezultat dhe ndeshja u mbyll me shifrat 1-1. Një barazim i vlefshëm për Tërbunin, pasi te bardheblutë më shumë shkaktoi dhimbje koke.
Fagu dhe Vrapi takojnë Alimehmetin, pranë Tiranës
Erbim Fagu dhe Endri Vrapi janë pranë kalimit te Tirana. Dje mbrojtësit e Skënderbeut mësohet se kanë takuar administratorin Krenar Alimehmeti. Në ditët në vijim pritet të ketë një vendim zyrtar, ndërkohë që drejtuesi bardheblu beson se zgjidhja në klub nuk do të vonojë. Pas deklaratës së dhënë nga trajneri, Alimehmeti tha: “Ne po mundohemi, ndërsa besoj se brenda datës 31 gusht do t’i japim një zgjidhje këtij problemi. Ne nuk duam të dorëzohemi, ndonëse e mirëkuptoj edhe trajnerin. Megjithatë, brenda pak ditësh do të jemi gati, do afrojmë lojtarë nga ekipi i Skënderbeut dhe i Kukësit. Por duhet të presim që këto skuadra të mbyllin ndeshjet e tyre në Europë dhe më pas të nisin lëvizjet. Ne besojmë se Tirana do të bëhet dhe do të jetë pretendente”.
Italiani nuk bind
Sulmuesi italian Lorenco Korçeti, i cili erdhi dy ditë më parë te Tirana, nuk e ka kaluar “klasën” në provën e djeshme kundër Tërbunit. Ish-futbollisti i Fiorentinës në miqësoren e zhvilluar dje nuk bëri thuajse asgjë, madje edhe ato tentativa që pati, nuk e gjeti dot rrjetën. Pas sfidës trajneri deklaroi se lojtari nuk e bindi, ndaj sipas të gjitha gjasave ai do të kthehet sërish në vendin e tij.
Kalari nga fusha në dasmë
Nga fusha në dasmë. Ka qenë kjo dita e Reinaldo Kalarit, i cili vetëm dje ka djegur shaminë e beqarit. Pak orë pasi ka mbyllur ndeshjen me Tërbunin, ai ka veshur kostumin e dhëndrit. Mbrojtësi i Tiranës mbrëmë kishte ceremoninë e tij të dasmës. Futbollisti bëri një paraqitje shumë të mirë në fushë, teksa u aktivizua për 90 minuta dhe më pas do të shkonte te ceremonia e bashkëshortes së tij, sikundër janë edhe zakonet në Shqipëri.
ADELA MERKO