Migen Memelli dhe Gilman Lika janë dy objektivat e Tiranës për merkaton e dimrit. Sulmuesi dhe mesfushori, të cilët aktualisht luajnë në Arabi me skuadrën e Al- Faisalit, janë në planet e kryeqytetasve për “pazarin” e janarit. Që të dy nuk janë emra të panjohur për kryeqytetasit, pasi në periudha të ndryshme e kanë veshur fanellën bardheblu e kanë shkëlqyer madje, duke fituar edhe trofe. Kontaktet e para kanë nisur që në muajin gusht, por transferimi asokohe nuk u bë i mundur. Më tej drejtuesit nuk u ndalën, përkundrazi vazhduan të ruanin kontaktet. Por tashmë duket se u kanë bërë edhe një ofertë konkrete. E megjithatë, kalimi i tyre nuk është edhe aq i lehtë. Pogradecari dhe shkodrani kanë një kontratë me klubin arab, ndaj largimi nuk do të ishte një mision lehtësisht i arritur. Por, nga sa mësohet, për sulmuesin ndoshta mund të ketë shpresa disi më të mëdha, për shkak edhe të ecurisë jo fort të mirë që ai ka pasur gjatë kësaj kohe tek Al-Faisali. Ndërsa për mesfushorin nuk mund të thuhet e njëjta gjë, sepse në fakt është titullar i padiskutueshëm, përpos shkëputjes që ka pasur prej dëmtimit. Sigurisht, Tirana nuk ka në plan të dorëzohet. Ajo do të vijojë të këmbëngulë, me shpresën që deri në mbylljen e merkatos të ketë arritur akordin minimalisht me njërin nga këta emra.
Konfirmimi Në një bisedë me “Panorama Sport”, Gilman Lika konfirmoi se ka pasur kontakte me drejtuesit bardheblu. Megjithatë, 27-vjeçari sqaron se asgjë nuk është në dorën e tij, sepse ka një kontratë me Al-Faisalin, që duhet ta respektojë. “Më kanë kontaktuar, por asgjë nuk është në dorën time. Nuk jam unë ai që vendos, kam një kontratë me klubin arab”, – tha shkurtimisht mesfushori, i cili deri para një sezoni luante për llogari të Tiranës. Në tri vitet si bardheblu, ai ishte pa dyshim lideri i kësaj skuadre, madje mbajti edhe shiritin e kapitenit. Por oferta që mori nga Arabia në verën e 2013-ës ishte aq joshëse, sa e detyroi që të transferohej atje dhe të zyrtarizonte largimin nga kryeqyteti.
Flamurtari “blindon” Dushkun, s’ka shpresa për Tiranën
Shpresat e Tiranës për të afruar Erjon Dushkun gjatë merkatos së dimrit janë shuar. Burime të sigurta zbulojnë se Flamurtari e ka “blinduar” lezhjanin, e për pasojë ai nuk do të largohet gjatë muajit janarit, pasi do ta rinovojë kontratën deri në fund të sezonit 2013-2014. Dëshira për të mbajtur Dushkun (i vetmi nga futbollistët kuqezinj, që në janar i skadon kontrata) në skuadër i ka detyruar drejtuesit vlonjatë që të gjejnë financat e nevojshme jo vetëm për ta shlyer mbrojtësin, por edhe për paradhënien për kontratën e re. Lojtari aktualisht ndodhet në Amerikë me familjen, por një marrëveshje e tillë është mbyllur para se ai të nisej.
Magani projekton largime dhe eviton ndërhyrje
Gugash Magani dy ditë më parë u ka komunikuar futbollistëve të tij planin për të ardhmen. Ai u ka sqaruar para seancës stërvitore se tashmë ka përpiluar një listë, kështu që e ka fare të qartë se cilët janë ata që nuk do të jenë më pjesë e Tiranës. Megjithatë, trajneri ka theksuar se ajo listë do të zyrtarizohet vetëm të premten, pasi ekipi të marrë zyrtarisht pushimet. Nga burime pranë lojtarëve zbulohet se, gjatë kësaj mbledhjeje ai ka parandaluar edhe ndërhyrjet e mundshme për “fshirjen” e emrave nga lista. “Kam përgatitur një listë largimesh, por atë do e bëjmë publike vetëm pas datës 27 dhjetor. Megjithatë, ajo që dua të sqaroj është se pasi të merrni vesh emrat në listë, dua që askush të mos më telefonojë”, – u ka thënë ai shprehimisht. Në fakt, trajneri peqinas e pranoi edhe për gazetën “Panorama Sport” se do të ketë largime. Ai tregoi se kishte gati një listë të përpiluar që do t’ua tregonte edhe drejtuesve, dhe më pas do të bëhej zyrtare, pra do u komunikohej atyre që nuk janë më në planet e bardhebluve. Nga ana tjetër, aq sa do të ketë largime, do të ketë edhe afrime. Pra, merkatoja do të bazohet pikërisht te rrjedhjet, e më pas do të bëhet kompletimi i grupit. Qëllimi i numrit një të stolit kryeqytetas është skarcimi i kontingjentit nga ata elementë që nuk kanë dhënë gjë gjatë kësaj periudhe.
Roland Peqini, drejt Kukësit
Roland Peqini është pranë rikthimit te Kukësi. Pas përvojës së tij të shkurtër me Tiranën, e cila nuk shkoi edhe aq mirë, për shkak të dëmtimit që pësoi, prishja e kontratës është thuajse çështje ditësh. Lojtari është në kontakte të vazhdueshme me drejtuesit kuksianë, të cilët e kanë shprehur hapur dëshirën për ta afruar sërish. Gjasat që mbrojtësi elbasanas të qëndrojë te kryeqytetasit janë shumë të pakta, ndaj ai mund të konsiderohet si një largim i radhës.
Tirana, i vetmi ekip që vijon stërvitjen
Tirana ka vijuar përgatitjet edhe dje. Nën drejtimin e Gugash Maganit dhe numrit dy të stolit, Klodian Dervishi, ekipi ka marrë ngarkesat e radhës. Mbi 90 minuta zgjati edhe seanca e djeshme, e cila nisi në orën 14:00. Grupi ka pasur edhe mungesa, një ndër të cilët Mensur Limani. Ky i fundit është nisur drejt vendlindjes dhe pritet që t’u bashkohet bardhebluve vetëm pas 6 janarit, kur do të startojë edhe faza përgatitore. Me kthimin e ekipit, mendohet se do të jetë qartësuar diçka edhe për kontingjentin e ri, pra mund të jetë zbuluar ndonjë emër. Pas disa ditëve stërvitje në kryeqytet, klubi do të nisë të mendojë edhe për fazën përgatitore. Nuk është përcaktuar ende nëse Tirana do të shkojë jashtë, apo do të qëndrojë këtu.
ADELA MERKO