1967: Risitë e të vërtetave të Shqipëria-Gjermania 0-0…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 19, 2017 | 21:17

1967: Risitë e të vërtetave të Shqipëria-Gjermania 0-0…

NGA BESNIK DIZDARI

besnik dizdari

Siç kam premtuar pikërisht këtu, në një numër të prillit 2017 të “Panorama Sport”, po vazhdoj me ciklin “tim” të sensacioneve të vitit 1967. Vit kur shpërthen volejbolli shqiptar në Kupat e Europës; kur Vllaznia bëhet për herë të parë Kampione e Shqipërisë në basketboll; kur shfaqet për herë të parë një peshëngritës botëror me emrin Ymer Pampuri; kur shkatërrohet Kampionati Kombëtar i futbollit me përjashtimin e 17 Nëntorit e Partizanit; kur bëhet ndalimi i pamëshirshëm i Kombëtares së Shqipërisë. Pra, pikërisht mbas 0-0 me Gjermaninë.

Vit që përkon me 50-vjetorin e këtij 0-0 të bujshëm të Kampionatit të Europës, jubile që i plotë ishte të dielën që shkoi, këtë të 17 dhjetorit 2017. Siç kam shkruar pra, është një ngjarje që si të thuash, i kam qitë fundin (dhe jo vetëm unë), jo thjesht në librat e mi e me shkrime të pafund, por edhe tash së voni (2015) mû në këtë gazetë përmes zbulimit të 3-3 të Kosovës me Jugosllavinë pak ditë para ndeshjes së Beogradit, atë Jugosllavia-Shqipëria 4-0. Kësisoj, të gjitha këto ngjarje të rralla të 50 vjetëve më parë të vitit “fatal” shqiptar 1967, në bashkëpunim me “Panorama Sport”, përbëjnë pra radhazi një cikël shkrimesh, përveç të tjerave, me risi të pafund.

shqiperi gjermani1

Mbi të gjitha me synimin për të rrëzuar një tufë shtrembërimesh dhe të pavërtetash që, për fat të keq, nuk po ndalin. Pa përsëritje të mërzitshme, gjithnjë do të kërkoj risitë (të rejat), që edhe për Shqipëria-Gjermania 0-0, për vite të tana ndoshta nuk mund të thuheshin. E për një çast them me vete: “a do t’ia arrij?”. Pyes kështu ngaqë ende nuk ia kam arritur të mund rrenacakët, të cilët ende vazhdojnë të shkruajnë se Ymert Pamuri është Kampion Olimpik, kur dihet se ai nuk është assesi i tillë, por është rekordmen olimpik dhe Kampion i Botës – teksa m’u këto ditë, plot 45 vjet mbas tij, për Shqipërinë mbërriti i dyti (e dyta), që është Kampionia e Botës Romela Begaj 2017. Ashtu siç ende nuk ia kam arritur, edhe pse mbas një “mundimi” e pakta prej nja 40 vjetësh, që përmes “stilit” të vërtetësisë së gazetarit, të heqë nga përdorimi apo përcaktimi thënien se “më 1967 Shqipëria ka eliminuar Gjermaninë”.

shqiperigjermani

Nuk është aspak e vërtetë. Mirëpo, vazhdon të përsëritet e të përsëritet deri në mitizim. Për fat, nuk arrij të ndikoj përballë një kategori shkrimesh kryefort në pavërtetësinë e tyre. Kur e vërteta absolute është kjo tjetra që thotë se më 1967 Gjermania (RF e Gjermanisë) nuk është eliminuar prej Shqipërisë, por prej Jugosllavisë. Sepse po të ishte eliminuar prej Shqipërisë, kjo do të thoshte se në fundoret (finalet) e Italisë nuk do të shkonte Jugosllavia, por Shqipëria. Atje ka shkuar Jugosllavia dhe jo Shqipëria – ngaqë Jugosllavia ka eliminuar Gjermaninë dhe jo Shqipëria Gjermaninë.

Ky 50-vjetor pra është jubileu i ndeshjes Shqipëria-RF Gjermane 0-0 që e kemi bërë legjendë, që shkaktoi eliminimin e Nënkampiones së Botës në të mirë të Jugosllavisë titiste. Ngjarja e përshkruar gjerë e gjatë në shkrime të shumtë edhe prej autorit të këtushëm, sidomos në “Libri i Kombëtares”, por edhe në të tjerë, nuk duron më përsëritje tanësore (totale), përkundrazi, kërkon risitë, çka gjithnjë e nxit sentenca që thotë se historia rishkruhet ngaqë gjithnjë dalin fakte të reja, Natyrisht, duke rikujtuar se viti 1967 ka qenë viti i ndeshjeve kualifikuese për EURO 1968, ku Jugosllavia bën pjesë së bashku me RF Gjermane dhe Shqipërinë në Grupin 4 të Europës.

shqiperi gjermani

Është një garë që nis dhe përfundon në harkun e tetë muajve të vitit 1967: nga 8 prilli 1967 e deri te 17 dhjetori 1967. Dhe me një duel të vetëm, atë Gjermani-Jugosllavi. Mirëpo për kaq vjet këtu te ne, emfaza e shkrimeve dhe euforia për ditirambe ndaj një regjimi apo dhe protagonistëve shokë e miq, shpesh e ka trajtuar si të ishte dueli Shqipëri-Gjermani! Absurde! Kësisoj, aq sa duhet ta nderojmë rezultatin e madh të ndeshjes së Shqipërisë 1967, tashmâ, mbas 50 vjetëve, na takon që për hir të vërtetë- sisë historike, disi edhe ta çmitizojmë atë. Mû këtë do të përpiqemi të bëjmë në këtë cikël jubilar.

Premiera e ndeshjeve, dihet, ka qenë 8 prilli 1967: Gjermania-Shqipëria 6-0 me katër gola të Gerd Mylerit. Më 3 maj 1967, plot katër javë më vonë, Jugosllavia fiton 1-0 në Stadiumin e Armatës Popullore (JNA) të Beogradit ndaj Gjermanisë me gol të Josip Skoblarit të madh. Dhe kur do të mbërrijmë te ndeshja e Tiranës, ajo e 14 majit 1967 – papritmas, mbas plot 19 vjetëve, fati përkimor i rrallë, do të bëjë përballë edhe një herë dy legjendarë të futbollit të të dy vendeve: Loro Boriçi i Shqipërisë dhe Rajko Mitic i Jugosllavisë – më parë lojtarë të madhështores së Beogradit, asaj Jugosllavia – Shqipëria 0-0 të 1948- ës. Po tashmâ ata janë në rolin e trajnerëve. I japin dorën njëri-tjetrit mbas 19 vjetëve në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa” të një dite tiranase plot diell, por të freskët. Janë para 18.573 spektatorëve, saktësisht simbas biletave të shitura – i vetmi rast ky ku në historinë tonë ne njohim numrin e pagabueshëm të spektatorëve të një ndeshjeje të Kombëtares Shqiptare.

shqiperi gjermani

Dhe pa e zgjatur me gjëra të stërnjohura, nënvizojmë thjesht se Jugosllavia fiton 2- 0, duke pas me vete edhe katër gazetarë të Kosovës, të mirënjohurit Ali Shala, Veli Vraniqi, Gani Ajeti dhe Esat Stavileci, e transmetuar shqip drejtpërdrejt për shqiptarët e Kosovës. Hera e parë kësisoj në gjithë historinë. Mandej tek e vona, fuqinë “e dytë” e merr ndeshja Jugosllavia-Shqipëria e 12 nëntorit 1967, e cila prodhoi 4-0 e pamëshirshëm. Nuk ka qenë e vërtetë që televizioni jugosllav e ka transmetuar ndeshjen Jugosllavia-Shqipëria 4-0, me absurdin se e paskan pa madje edhe shqiptarët e Shqipërisë, diku në vijën kufitare, për shembull në Vermosh, në Breg të Bunës apo në Morinë!?

Çka duhet nënkuptuar se aparatet e para televizive në Shqipëri nga Partia iu qenkan “dhuruar” kooperativistëve kufitarë! Kur dihet se më 1967 edhe në Tiranë, përveç jerarkëve komunistë, aparate vetjake televizive mund t’i kishin as nja 100 familje e në Shkodër e shumta nja dhjetë. E, televizioni jugosllav ka transmetuar për çudi të madhe ndeshjen Bullgaria-Suedia 3-0! Ashtu siç nuk është po absolutisht e vërtetë se në ndeshjen JugosllaviaShqipëria 4-0 të 1967-ës, në stadiumin e Armatës Popullore të Beogradit – siç më shkruan kolegu i shquar, radiokronisti i madh i Kosovës, Azem Brovina, të jetë dëgjuar thirrja e tifozëve kosovarë: “Eho! “Eho! Për herë të parë ajo është dëgjuar, thotë Brovina, vetëm më 1983 kur Prishtina u bë anëtare e Ligës së parë të Jugosllavisë më 1983 në ndeshjen Crvena Zvezda-Prishtina 1-3. Dhe është konsideruar nga serbët si një sjellje nacionaliste.

Po ashtu nuk është e vërtetë që mijëra e mijëra kosovarë kanë qenë të pranishëm në ndeshjen e Beogradit 1967. Ashtu siç përfundimisht nuk është e vërtetë se futbollisti i përmasave botërore, Fahredin Jusufi, është shqiptar, siç është shkruar. Ka deklaruar vetë Jusufi në gazetën “Rilindja” (17 prill 1989): “Nuk jam shqiptar, por jam goran nga rrethi i Dragashit”. Kështu pra, këto janë të vërtetat, siç më thotë një koleg tjetër kosovar, që të papërgjegjshmit duan t’i shndërrojnë në tregime “të reja”. Dhe risi quhen edhe ato që rrëzojnë rrenat. Të vërteta (autentike), madje për shtypin shqiptar, risi pra, janë këto tri faqe të para të gazetave gjermane të dhjetorit 1967 – çka për herë të parë në historinë e shtypit tonë, po shohin dritën e botimit këtu në “Panorama Sport”.

Ku shquhen titujt e tyre tronditës që sikur buçasin nën këtë ritëm frenetik: “0-0 – stuhia nuk është asgjë”! “Tirana e thellë duhet të kthehet (në kuptimin “të harrohet”)! “Gjigandi vrasës shqiptar”! Këto risi për ne nuk janë merita ime, por e dashamirit të mirënjohur të futbollit, madje statisticienit të shquar, lexuesit të pandashëm të “Panorama Sport”, Arian Abazit, i cili i ka gjetur dhe i ruan në koleksionin e tij. E falënderoj! Kësaj radhe deri këtu. Do të takohemi me vazhdimin e ciklit tonë të risive dhe të të vërtetave të 50-vjetorit të 0-0 të 1967-ës, në numrat e ardhshëm të gazetës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"