3 rrjeta e 2 asiste/ Abonim me golin, Muzaka: Radhën e ka Flamurtari
Dëmtimi dhe operacioni janë hedhur pas krahëve, madje tani Gjergj Muzaka i kujton si një ëndërr të keqe.
Ai ka rilindur dhe këtë e vërtetojnë më së miri golat që ka shënuar në tri javët e fundit, dy asistet dhe mbi të gjitha forma e tij në fushë.
Është kthyer në një lider për Tiranën, madje gjithkush e cilëson atë si blerjen më të madhe të merkatos së dimrit.
Vetë mesfushori shfaqet tejet modest gjatë intervistës së dhënë për mediat, teksa prioritet u jep vetëm pikëve të marra në finish
Gjergji “abonohet” me golin, ndërsa Tirana jo vetëm blindon vendin e tretë, por i afrohet Partizanit me 7 pikë. Si ndiheni?
Po, e vërtetë. Shpresoj që kështu të vijojë gjatë. Më vjen mirë që golat i shërbejnë skuadrës për të arritur fitoret, pasi ky është objektivi i të gjithëve. Nëse marrim pikët e plota, pak rëndësi ka se kush e dërgon topin në rrjetë. Kjo është kryesorja për mua.
Golat janë dytësorë?
Kur golat e mi i shërbejnë skuadrës, sigurisht që ndihem mirë. Nuk mund ta mohoj. Pastaj, nuk ka rëndësi nëse shënon, pason apo vrapon, ajo që vlen në fund është që grupi të funksionojë dhe në finish ne të konkretizojmë synimin. Fakti që kam rigjetur veten pas atij dëmtimi, më bën të ndihem i shpërblyer.
Fituat me Bylisin, por nuk mendoni se vuajtët pak si shumë?
Absolutisht që po. E gjithë frika ishte te terreni, pasi edhe para ndeshjes pati dyshime nëse do të luhej apo jo. Rrezikoi që të anulohej, ndaj s’mund ta kishim të lehtë. Kur terreni është i rënduar, edhe përqendrimi duhet të jetë më i madh. Dhe, për më tepër, kur krijohet një paqartësi nëse do të luash apo jo. Në atë fushë nuk ke çfarë tregon më shumë. Besoj se përballë kishim një kundërshtar mjaft të organizuar, por edhe ndaj një terreni që nuk ishte aspak i favorshëm për ne.
Veç pikëve të plota, morët edhe “dhuratë” nga kundërshtarët. A ju gëzon barazimi në Shkodër dhe në Kukës?
Kampionati është i gjatë. Sikundër gabuam ne gjatë fazës së parë, edhe kundërshtarëve tanë do t’u vijë radha për të bërë hapa falsë dhe ndoshta u ka ardhur tani. Ky është futbolli.
Ju pret një javë e ngjeshur, të mërkurën luani me Flamurtarin dhe në fundjavë me Skënderbeun. Jeni gati për ta përballuar këtë “malore”?
Unë e kam thënë dhe do vazhdoj ta them, që për ne objektiv është ndeshja e radhës. Unë personalisht nuk dua që të shpërqendrohem që të shoh më larg se kundërshtari i radhës. Me këtë filozofi jemi të gjithë në grup, ndaj vëmendja do të fokusohet e gjitha te Flamurtari, më tej do të mendojmë për Skënderbeun.
Përgatiti: ADELA MERKO
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"