30 lojtarë të aktivizuar në 36 javët e kampionatit/ Egnatia, ja rekordmenët e surprizës së sezonit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 8, 2023 | 22:35

30 lojtarë të aktivizuar në 36 javët e kampionatit/ Egnatia, ja rekordmenët e surprizës së sezonit

Vendi i 3-të në përfundim të sezonit të fundit futbollistik 2022- 2023, si dhe trofeu i parë, duke fituar Kupën e Shqipërisë, për Egnatian e Rrogozhinës, përbëjnë arritje më shumë se historike. Duke llogaritur edhe faktin se skuadra tani po bëhet gati të marrë pjesë për herë të parë në Europë, duke luajtur në Ligën e Konferencës, ecuria duhet thënë se kapërceu madje edhe pritshmëritë.

xhekson egnatia

Natyrisht në këto arritje kanë pasur peshë specifike të 30 futbollistët që përballuan ngarkesën si në kampionat në 36 javë, ashtu dhe 9 ndeshjet në total të 4 tureve me vajtje-ardhje dhe finales për Kupën e Shqipërisë. Rekordmenët e minutave, sipas ndeshjeve të luajtura, duken qartë dhe nga statistika përmbledhëse që “Panorama Sport” ia kushton sot ekskluzivisht skuadrës rrogozhinase.

Bie në sy një raport i përafërt i futbollistëve vendës (shqiptarë) ardhur nga qytete e skuadra të ndryshme (17 futbollistë), me ata të huaj që kanë kombësi të ndryshme (13 lojtarë).

Përtej këtij fakti, skuadra ka funksionuar më së miri edhe prej ndërthurjes mjaft efikase të moshave dhe përvojave që sollën nivel e cilësi të admirueshme si në lojëra ashtu dhe në rezultate. Sikurse ka pasur një organikë të bollshme, duke pasur për të gjitha postet edhe lojtarët e duhur “dublues”, edhe pse këta të fundit duket se kanë marrë më pak minuta nga pjesa e formacionit bazë të titullarëve që kryesojnë si me numrin më të madh të ndeshjeve, por dhe të minutave konkrete që ka kontribuar secili në fushën e lojës.

Është edhe një ndarje tjetër interesante që ekzistoi përgjatë sezonit, që lidhet edhe më lëvizjet e kryera sipas të gjitha formave e mënyrave që përcakton rregullorja e futbollit.

egnatia

Egnatia përdori shkëlqyeshëm si metodën e shitjes së futbollistëve (kujtojmë se Ojediran Hamzat kaloi te Debrecen e Hungarisë me vlerën e mbi 100 mijë eurove), arriti të ketë merkato tepër të studiuar në janar 2023 në lidhje me lojtarët në dalje dhe ato në hyrje, sikurse u përdor me pozitivitetin e duhur, në gjysmën e dytë të këtij sezoni të porsambyllur, edhe huazimi i disa lojtarëve si Jurgen Goxhaj te Teuta, Skerdilajd Levendi dhe Geri Selita te Lushnja.

FATMIR EFICA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"