30-vjeçari tregon arsyet e qëndrimit në Vlorë, Beqja: Rinovova për Flamurtarin e elitës, ja plani i ngjitjes

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 27, 2024 | 10:41

30-vjeçari tregon arsyet e qëndrimit në Vlorë, Beqja: Rinovova për Flamurtarin e elitës, ja plani i ngjitjes

Flamurtari e ka nisur punën për sezonin e ri prej disa ditësh, ndonëse në klub mbetet ende i pazgjidhur çështja e trajnerit. Zyrtarisht vlonjatët kanë kryer tre afrime në ekip, Trimror Selimi, Alesandro Kacbufi dhe Aldrit Oshafi, si dhe kanë rinovuar kontratat dy nga lojtarët e sezonit të shkuar, Fabjan Beqja dhe Fabio Hasa.

FABJAN BEQJA

Në vijim pritet të tjera afrime dhe rinovime te kuqezinjtë. Tani është e konfirmuar që Fabjan Beqja do të qëndrojë në Vlorë edhe sezonin e ardhshëm, pasi 30-vjeçari firmosi rinovimin e kontratës. Gjatë një interviste për “Panorama Sport”, Beqja tha se e pranoi ofertën pasi është luks të kontribuosh për Flamurtarin. Mesfushori deklaroi se rinovoi për shkak të korrektësisë së klubit dhe projektit ambicioz. Sias Beqjas, ngjitja në elitë këtë sezon është detyrim.

Beqja, edhe një sezon te Flamurtari. Si ndihesh për këtë zgjedhje?

E pranova ofertën për të qëndruar në Vlorë, pasi është luks për çdo futbollist që të jetë pjesë e Flamurtarit. Pavarësisht se është në një ligë që nuk duhet të jetë, Flamurtari e ka emrin e madh në çdo kategori që të luaj. Nuk mundesha që t’ua ktheja ofertën që drejtuesit më bënë. Jam shumë i kënaqur nga respekti që drejtuesit e klubit kanë patur për mua, por edhe tifozët këtu në Vlorë gjatë këtij sezoni. Kështu që ishte më shumë edhe një dëshirë dhe lidhje shpirtërore për të qëndruar në Vlorë.

Cila ishte arsyeja që ju shtyu për të qëndruar në Vlorë?

Korrektësia e klubit në çdo aspekt më bëri që të rinovoja sërish me Flamurtarin, që është një klub me tradita dhe me histori të madhe në futbollin shqiptar. Kështu që është kënaqësi të jesh në Vlorë dhe të japësh kontributin si futbollist.

Jeni në dijeni të planit të Flamurtarit për sezonin 2024-2025?

Flamurtari ka një plan ambicioz edhe këtë sezon. Një nga shkaqet që më bënë të firmosja sërish në Vlorë, ishte ambicia e madhe që ka klubi për një ngjitje të detyrueshme këtë vit në Superiore. Drejtuesit po punojnë për ndërtimin e një skuadre elitare.

BEQJA DHE DJALI I IDRIZIT

Çfarë i premtoni Flamurtarit në vazhdim?

Flamurtarit i premtoj maksimumin tim në çdo ndeshje. Patjetër me një buzëqeshje në fund të sezonit për të gjithë, për një Flamurtar elite. Do të punojmë fortë dhe me përkushtim për të bërë më të mirën për këtë skuadër dhe për të arritur objektivin.

Pse dështoi ngjitja në Superiore në sezonin e fundit?

Arsyet janë të shumta. Ti analizosh duhen orë dhe ditë ndoshta, por edhe fati në disa ndeshje s’ka qenë me ne. Këtu hyn edhe finalja e fundit me Laçin. Çdo gjë ka përfunduar tashmë dhe nuk na mbetet gjë tjetër vetëm të bëjmë maksimumin në sezonin e ri.

 

Afrime

ka bërë deri tani Flamurtari në merkaton e verës, ku janë afruar Trimor Selimi, Alesandro Kacbufi dhe Aldrit Oshafi. Gjithashtu kanë rinovuar dy lojtarë për sezonin e ri, Fabio Hasa dhe Fabjan Beqja.

 

ERMAL SIKA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"