30 prill 1994, deliri i dytë në Durrës. Si Aleksandër Meksi ngatërroi titullin e Teutës
BUJAR QESJA (Mjeshtër i Madh)
Pjesa e dytë…
16 prill 1994.
Java e 24-t e kampionatit të 58-të kombëtar të futbollit. Pas 23 javësh, Teuta e Durrësit kryesonte me 32 pikë, duke fituar 12 ndeshje, barazuar 8 dhe humbur 3. Kishte shënuar 33 gola dhe pësuar 9. Pikët e fitoreve ishin 2. Tirana e vendit të dytë kishte 30 pikë, Flamurtari 29.
Vllaznia dhe Elbasani ishin më poshtë me 25 dhe 24 pikë. Kjo ishte renditja e pesë vendeve të para të kampionatit. Më 16 prill, Teuta fiton bujshëm në Kavajë me Besën 3-0, Besëlidhja mundi Tiranën 2-1 dhe Lushnja ndali Flamurtarin 1-0. Klasifikimi dy javë para përfundimit të kampionatit kishte këtë renditje: Teuta e vendit të parë 34 pikë, Tirana 29 dhe Flamurtari 28.
23 prill 1994
Një fitore e Teutës në “Niko Dovana” e klasifikonte automatikisht në vendin e parë. Tirana priste në fushën e saj Lushnjën, e cila e kishte prerë biletën për në Kategorinë e Dytë. Flamurtari në shtëpinë e tij kishte sfidën me Partizanin. Në Durrës s’kishte mbetur njëri pa shkuar në stadium.
Mençuria e tifozërisë durrsake kishte shkuar deri atje, sa të vendoste në rrethin qendror të mesit të fushës 22 kanoçe me kokakola, si shenjë mikpritje për Vllazninë dhe si një sihariq të shumëpritur për ekipin vendës. Vllazninë e Shkodrës e drejtonte Astrit Hafizi. Ndërsa kolegë të tij të Teutës ishin Haxhi Ballgjini dhe Stavri Nica. Teuta fiton 1-0. Tirana barazon me Lushnjën 0-0 dhe Flamurtari–Partizani 1-1. Në numrin e kaluar kemi shpjeguar se çfarë ngjau në “Niko Dovana” në këtë ditë.
30 prill 1994
Teuta udhëton në Lezhë me autoritetin e ekipit kampion. Për të nxitur edhe tifozërinë vendëse që t’i jepte një shans gëzimit dhe entuziazmit të tyre për fitimin e kampionatit, durrsakët nuk stërmundohen dhe barazojnë 0-0. Tirana mundi Dinamon 1-0 dhe Flamurtari humbet thellësisht në Laç 5-0.
Teuta përfundimisht në vendin e parë me 37 pikë, 13 fitore, 9 barazime dhe 3 humbje, me golavarazh 37-9. Tirana e dyta me 33 pikë, 13 fitore, 7 barazime dhe 6 humbje, me bilanc të golave 36-16 dhe në vendin e tretë Flamurtari 30 pikë, 11 fitore, 8 barazime dhe 7 humbje. Shënoi 26 gola dhe pësoi 21.
Kampionati i 58-të kombëtar i futbollit dha këtë renditje finale:
Heronjtë historikë të Teutës kampione
Ata janë 23. Pavarësisht nga minutazhi i aktivizimit, ata mbeten njësoj protagonistë. Futbolli durrsak, duke nisur nga kampionati i parë në vitin 1930 e deri te ky i fundit në vitin 2019, të 23 futbollistët e titullit kampion janë mburrja historike tij.
Cilët janë ata?
Kujtim Shtama, Xhevahir Kapllani, Ardian Abazi, Eugen Xhakoni, Shpëtim Kapidani, Anesti Qendro, Ardian Dashi, Mikel Furrxhi, Bajram Fraholli, Alvaro Zalla, Ilir Alliu, Alban Mehmeti, Ardian Bushi, Elton Koça, Artan Vila, Dashamir Disha, Enkelejd Dobi, Marenglen Xhai, Fatos Kuçi, Ilir Bushi, Gentjan Begeja, Gazmend Canaku, Elvis Kalaja.
Një popull i “çmendur” për trofe
Pak durrsakë të pranishëm në stadiumin e Lezhës, më 30 prill 1994. Ceremonia madhështore dhe popullore për titullin ishte bërë më 23 prill 1994 në Durrës, në stadiumin “Niko Dovana”. Teuta kishte privilegjin që të kurorëzohej me titullin kampion një javë para përfundimit zyrtar të kampionatit.
Dhe gjatë javës, Durrësi ishte i tëri në festë. Populli për çdo ditë improvizonte festime të ndryshme, duke kompensuar “inatin” e grumbulluar sa për një histori të tërë, që nuk kishte mundur të fitonte qoftë edhe një trofe të vetëm. Mjaft banorë e kalonin natën jashtë, duke ndezur zjarre, duke kërcyer e brohoritur, duke krijuar sofra masive deri në agim. Shumë breza të futbollit durrsak nuk ia kishin arritur kësaj. I janë ofruar titullit, por e pa e prekur, kurrë, kurrë.
Eduart Dervishi, sekretar i Federatës Shqiptare të Futbollit (sot punonjës i Federatës Spanjolle të Futbollit) i dorëzon kupën e kampionatit Ardian Abazit, kapitenit të papërsëritshëm të Teutës. Një xhiro i ekipit rreth perimetrit të brendshëm të stadiumit Besëlidhja.
Foto me disa fansa të “çmendur” dhe pa humbur kohë drejt Durrësit. Ekipi dhe stafi i tij e dinin fort mirë se në Durrës do të bëhej një festë e tillë, se zor mund të imagjinohet dhe jo më të përsëritej një e dytë. Ndërkohë, duke nisur nga 11 shkurti 1994, kishte filluar të botohej në Durrës gazeta e përjavshme “Teuta Sport” me botues Bujar Qesjen. Për të fituar kohë, isha nisur në Tiranë dhe në shtypshkronjën “Marin Barleti” në pronësi të Enon Myftiut, po punoja për numrin special, kushtuar heronjve të futbollit të qytetit tim.
Botimi special ishte me 6 faqe, dy prej së cilave u kushtoheshin me foto dhe karakteristika protagonistëve të kampionatit të 55-të kombëtar të futbollit. Duhej të nxitoja që mbrëmja të më vendoste në qendër të qytetit. I lodhur dhe i rraskapitur nga një punë mbi të zakonshmen, vendosur gazetat mbi të vetmin mjet lëvizës, biçikletën, nxitova të kap trenin e orës 19:00 të mbrëmjes që nisej nga Tirana për në Durrës.
Kisha vendosur që 4000 gazetat e numrit special të “Teuta Sport” t’ua falja bashkëqytetarëve të mi për të nxitur më shumë entuziazmin, për t’i dhënë një dorë më shumë kënaqësisë qytetare, nga një pjesë e mundit fizik dhe material të birit të tyre të përkushtuar, i cili gëzonte njësoj si mijërat e mijërat të asaj dite të pazakontë, të së dielës së 30 prillit të vitit 1994.
Prita tek Ura e Dajlanit
Pjesa më ekzaltuar nuk i priti heronjtë e topkëmbës kur të preknin qytetin. Padurimi i kishte vendosur tek Ura e Dajlanit, në hyrje të qytetit të lashtë. Në të ngrysur, kur autobusi i futbollistëve të Teutës shfaq konturet, thirrjet: Erdhën! Erdhën! u përhapën si një kushtrim.
Autobusi dukej si një anije gjigante që po çante detin e trazuar të njerëzve. Dyert e mjetit lëvizës u shqyen nga padurimi dhe menjëherë futbollistët e kanë parë veten mbi krahët e turmave. Dhe prej andej kanë ardhur te sheshi. Nuk mund të përfytyrohet madhështia njerëzore përballë teatrit “A. Moisiu”. Thirrje, thirrje pa fund. “Ju lumtë djema, na nderuat!” “Krenaria dhe mburrja e qytetit tonë!”
“Keni bërë atë që s’kishte ndodhur më parë!” Dhe në fakt, nuk ka ndodhur edhe pas 25 viteve nga 30 prilli i vitit 1994. Nderi i qytetit të Durrësit, këngëtari i njohur Qemal Kërtusha, lotonte nga kënaqësia dhe më lexoi një tekst kënge dhe më interpretonte melodinë përkatëse që e kishte bërë një natë para 30 prillit. Banda e qytetit ekzekutonte himne festive dhe marzhe sportive. Turmat e stërmëdha të njerëzve vetëm thërrisnin dhe brohorisnin. Ishte një gëzim dhe entuziazëm i jashtëzakonshëm. Aty e kupton se sa i magjishëm është futbolli, se sa popullor dhe çudibërës janë futbollistët dhe topi i tyre frymëzues.
Lapsusi i kryeministrit Meksi
Ishin vitet e para të demokracisë dhe thyerja e monizmit ende nuk ishte e kristalizuar. Është 30 prilli i vitit 1994. Qeveria demokratike e kohës, nëpërmjet përfaqësuesit të saj kryesor, të urtit dhe eruditit Aleksandër Meksi, nxitoi të ishte i pranishme në këtë festë aq masive dhe aq popullore të durrsakëve. S’kishte mbetur njeri në shtëpi atë mbrëmje elektrizuese.
Të gjithë në shesh dhe të gjithë për futbollin. Teksa fjala i kalon kryeministrit, në ekzaltim para këtij manifestimi të paparë, ai ndër të tjera formuloi pak a shumë edhe këtë shprehje: “Ardhja e demokracisë bëri të mundur që për herë të parë ekipi i Teutës në futboll të dalë kampion i Shqipërisë. Kjo nuk kishte ndodhur më parë”. Për analogji i bie të pohojmë se Lushnja dhe Sopoti i Librazhdit, që kaluan në Kategorinë e Dytë të jenë ndëshkuar pikërisht nga ardhja e demokracisë. E vetmja gjë që nuk ka vend në këtë gjykim është politika. Suksesi ishte fryt i mendimit dhe veprimit të specialistëve durrsakë të futbollit, që koha i nxori në pah aftësitë e tyre profesionale.
Suksesi së pari i dyshes Miha-Koka dhe së dyti Haxhi Ballgjinit dhe Nicës.
I është dashur një punë tejet të lodhshme dhe pasionante dyshes së njohur të futbollit durrsak, Edmond Miha dhe Bashkim Koka, që të nxjerrë një brez të artë futbollistësh. Dhe ardhmëria e sigurt duket që te të rinjtë. Xhevahir Kapllani akrobat dhe pozicional, shtatlart dhe dominues në luftën ajrore, kapiteni i lindur i ekipit, mbrojtësi i krahut të djathtë Ardian Abazi, mbrojtësi energjik shtatlartë Mikel Furrxhi, talenti i veçantë i mbrojtësit sulmues Nesti Qendro, shtatshkurtëri dhe energjiku Artan Vila, mbrojtësi pozicional Eugen Xhakoni, i palodhuri Ardian Dashi, organizatorët e mesfushës Shpëtim Kapidani dhe Alban Mehmeti, qendërsulmuesi golashënues Elton Koça, ekstremi i krahut, këmbëshpejti Alvaro Zalla, për të ardhur te dy blerjet e shkëlqyera Bajram Fraholli, teknik dhe i lëvizshëm, ardhur nga Pogradeci në rolin e sulmuesit dhe librazhdasi Ilir Alliu, mesfushor mbrojtës shumë aktiv dhe produktiv, i marrë nga Tirana.
Ky ishte formacioni bazë. Por, pjesa jo e jabanxhinjve është produkt i shkollës durrsake të futbollit. Kujtim Shtama, Gentjan Begeja, Dashamir Disha, Gazmend Çanaku, Fatos Kuçi, Ilir Bushi, Enkelejd Dobi, Markelian Xhai, janë disa prej tyre. Puna që bëri dyshja Miha–Koka me të rinjtë reflektoi edhe në ekipin e parë. Nuk është punë demokracie kjo arritje historike e futbollit durrsak. Teuta kishte prekur kupën ballkanike që në vitin 1992.
Kalon disa ndeshje me sukses, teksa fiton titullin kampion me 1994 dhe Kupën e Shqipërisë në vitin 1995, për t’u ndeshur me Parmën e famshme të futbollit italian. Largimi i papritur i Edmond Mihas, detyroi sekretarin e KF Teuta Bashkim Koka, të emëronte si trajner të parë Haxhi Ballgjinin, i cili së bashku me Stavri Nicën kanë meritën se kristalizuan grupin dhe e ndërgjegjësuan drejt suksesit të pazakontë.
Abdurrahim Sulimani, shtylla financiare e Teutës kampione
Në pranverën e vitit 1993, Teutës së Durrësit iu ofrua një biznesmen i fuqishëm slloveno-shqiptar, me emrin Abdurrahim Sulimani. Ai thërritej në zhargonin e përditshëm Xhimi. Ndër të tjera, kishte një fabrikë të fuqishme të përpunimit të mermerit në qytetin e vogël të Sllovenisë, Kamnik, 10-12 kilometra larg Lubjanës.
Xhimi bëri të mundur të bënte atë grumbullim unik për kohën të të gjithë ekipit dhe stafit të tij në fshatin kodrinor të Cërkljes, shumë pranë portit të Koperit, e vetmja pjesë ujore e Sllovenisë. Për afro 20 ditë, nën drejtimin e trajnerit Edmond Miha dhe Stavri Nica dhe drejtues të klubit, Bashkim Koka, 23 futbollistë nisën atë grumbullim efikas, pasojat pozitive të tij do të ndiheshin në të gjithë sezonin. Pjesë e këtij grumbullimi ishte edhe gazetari Bujar Qesja.
Teuta krahas përgatitjes speciale sllovene, zhvilloi edhe një sërë takimesh miqësore me klubet vendëse, ku po kristalizoheshin vlerat cilësore të futbollistëve. Baza materiale ishte e fuqishme. Po kështu, u rritën edhe pagesat dhe kontratat me futbollistët. Çdo gjë e detajuar. Abdurrahim Sulimani, ngarkoi pranë ekipit përfaqësuesin e tij diplomatin e karrierës Kujtim Hysenaj. Me këtë rast, një homazh për Hysenajn, i cili para disa vitesh është ndarë nga jeta. Futbollit durrsak dhe qytetarisë durrsake i mbeten t’i jenë mirënjohës dhe të respektojnë historikisht ndihmesën e jashtëzakonshme që dha Abdurrahim Sulimani. Ai titull ishte edhe i atij.
“Teuta Sport” nxiti suksesin
“Teuta Sport” pa dritën e botimit në kulmin e zhvillimit cilësor të futbollit durrsak. Ajo u bë zëdhënëse aktive i këtij suksesi, duke u kthyer në pjesë e domosdoshme për sportdashësit durrsakë. Sot mund të duket e pabesueshme për të ekspozuar një të dhënë shumë inkurajuese.
Tirazhi i “Teuta Sport” në atë vit dhe pak më vonë shkoi në 8000 kopje, 5000 prej së cilave shpërndaheshin në Durrës, Kavajë, Shijak dhe pjesa tjetër në Tiranë, Elbasan, Vlorë, Shkodër, Lezhë, Laç etj. Futbolli durrsak ndiqej në ato vite me shumë interes dhe duartrokitej në shumicën e qyteteve shqiptare ku ndeshej Teuta. “Teuta Sport” pati rastin fatlum ta ndiqte Teutën 100 për qind në të gjitha takimet e saj brenda dhe jashtë vendit. Prezenca e saj ka qenë në Parma të Italisë, Turku të Finlandës, Akranes të Islandës, Edesa të Greqisë, Lubjanë të Sllovenisë, në Vjenë të Austrisë etj.
Epilog
Ndonëse kanë kaluar 25 vite nga titulli i parë dhe i vetëm kampion i Teutës së Durrësit në futboll, 30 prilli i vitit 1994 kujtohet me nostalgji. Është pjesa më e bukur, më tërheqëse e futbollit të Durrësit. Ishte një futboll që u gatua dhe u nxit më lëndë të parë, nga pasionantët e rinj të topkëmbës vendëse.
Ky brumë u gatua në perfeksion nga dy specialistë të shkollës shqiptare të futbollit, që të dy kanë përfunduar studimet e larta në Akademinë e Sporteve (dega futboll) dhe që të dy në vite ishin titullarë të nderuar të Lokomotivës. Ata janë Edmond Miha, që jeton prej vitesh në Austri dhe Bashkim Koka që nuk ka lëvizur nga Durrësi. Punën e tyre e vijoi futbollisti i shquar Haxhi Ballgjini dhe i mirënjohuri tjetër, Stavri Nica, që ende vazhdon detyrën e trajnerit. 30 prill 1994-30 prill 2019.
Plot 25 vite. Ai brez futbollistësh do të mbetet kurora e artë e futbollit durrsak, duke ua rritur dukshëm prestigjin dhe duke i bërë krenarë durrsakët, pikërisht për këtë dukuri mbresëlënëse. Dhe më tej! Jemi besimplotë për të përsëritur një tjetër sukses të këtij lloji. Por ,titulli i parë i 30 prillit 1994 do të mbetet gjithnjë i parë
Pjesa e parë është bërë publike më 23 prill 2019
* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"